Ilirjan Gjika

                                                    Kastriotët dhe Origjina Etnike e tyre

Kastriotët e parë

    Për herë të parë në histori Kastriotët përmenden në vitin 1368 në një dokument Raguzian i shkruar në sllavisht, në Vlorë, nga përfaqësuesit më në zë të këtij Despotati, (Principate). Në këtë vit Princi i Vlorës Aleksandri Komnen Aseni, Përfaqësuesi i një familjeje Sllave (Bullgaro-Serbe), i kërkoi Republikës së Raguzës (Dubrovnikut), titullin e qytetarit të nderit. Për të bërë betimin ndaj Raguzës, Aleksandri dhe 15 njerëzit e tij nënshkruan aktin e Besnikërisë në Kalanë e Kaninës, në prani të përfaqësuesit Raguzian Nikolla Kabuziç.

    Në një pasazh të këtij dokumenti thuhet shprehimisht "Prodan Vojvoda dhe Mikleushi, Qefalia i Vlorës, Branilo dhe Qefalia i Kaninës Kastrioti (M.Kruja. Antalogji historike 2001). Kjo dëshmi e shekullit të XIV i ndau historianët në dy grupe, duke i futur në një debat pa fund dhe në interpretime subjektive. Njëri grup i përbërë nga historianët: Hop, Han dhe Makushef e lexonin dhe e interpretonin këtë dokument si të tillë: "Vojvoda Prodan, Qefalia i Vlorës Mikleushi dhe Qefalia i Kaninës Branilo Kastrioti". Duke u nisur nga emri sllav Branilo ata mendonin se Kastriotët kishin origjinë sllave. Ndërsa grupi tjetër i përbërë nga historianët: Falmerajer, Prizani, Shuflai, Thalloczy, Jeriçek dhe Mustafa Kruja, duke u mbështetur në leximin e dokumentit sipas fomës origjinale, mendonin se Kastriotët ishin Shqiptarë. Mendimin e tij ky grup e mbështeste në dy fakte: Së pari: Braniloja dhe Kastrioti sipas dokumentit ishin dy njerëz të ndryshëm dhe së dyti: N.q.se dokumenti kishte pasaktësi dhe se Branilo dhe Kastriot ishin i njëjti person (Branilo Kastrioti), kjo nuk do të thoshte asgjë, sepse shqiptarët gjithmonë kanë mbajtur sipas traditës emra të huaj, sikurse ndodh edhe sot. Duke vazhduar më tej idenë M.Kruja aludonte se Branilo ose Branilac në sllavisht do të thotë mbrojtës. Pra sipas tij Kastrioti i përmendur në dokumentin e mësipërm nuk ishte veçse kështjellari i Kaninës domethënë mbrojtësi i saj. Kështu familja e Kastriotëve del në analet e historisë për herë të parë me këtë kështjellar të Kaninës. Ndërkohë që për pasardhësit e tjerë të Kastriotëve kemi të dhëna nga dy autorë të shekullit të VI-të si Gjon Muzaka dhe Andrea Ëngjëlli.
    Gjon Muzaka që kishte lidhje krushqie me Kastriotët thotë në shkrimet e veta: se i pari i Kastriotëve ishte Pali, i cili zotëronte në Dibër, 2 fshatra: Sinjën dhe Gardhin e poshtëm. Si pasardhës i drejtpërdrejtë i tij ishte Gjoni, i ati i heroit tonë Kombëtar Gjergjit. Ndërsa Andrea Ëngjëlli përfaqësues i familjes bashkëkohëse të Skënderbeut, Ëngjëllorëve të Drishtit në gjenealogjinë e shkruar prej tij na jep një listë gjenealogjike të familjes së Kastriotëve ku si parardhës të parë të tyre na jep: Kostandinin, Gjergjin, dhe Gjonin, të atin e Skënderbeut.
    Duke u mbështetur në këto të dhëna M.Kruja tek libri i tij :"Antologji Historike" u përpoq që ti plotësonte këto dëshmi duke formuluar këtë ide, e cila përsëri mbetet hipotetike. Kështu pas kështjellarit të Kaninës, Kostandini ishte një tjetër Kastriot kushëri ose vëlla i tij. Pas këtij vjen Pali dhe si pasardhës i tij Gjoni. Të tjerë historianë kryesisht të huaj kanë hedhur edhe hipoteza të cilat kanë mbetur të tilla. Kështu Thalloczy hidhte edhe një ide tjetër, që Kastriot është emër me origjinë greke, e që do të thotë qytetar, por që nuk e vazhdon më gjatë idenë e tij. Në një formë të ngjashme pohimi pa u zgjatur dhe pa interesim Milan Shuflai hedh një ide tjetër. Midis të tjerave ai thotë se Kastriotët, Topiajt dhe Balshajt ishin kalorës të fuqishëm që I përkisnin një race trupmadhe dinamike.

Principata e Kastriotëve

    Të dhënat e mirëfillta historike nisin me Gjon Kastriotin i cili e nisi ngjitjen e pushtetit në momentin kur turqit i dhanë goditjet e para familjeve dhe principatave të fuqishme shqiptare siç ishin: Balshajt dhe Topiajt, në vitet 1385-1389.
    Diku pas vitit 1385 nis edhe ngjitja e Gjon Kastriotit i cili nga një feudal i vogël, vassal ndoshta i Balshajve, Topiajve, Dukagjinëve apo ndonjë familje tjetër feudale, shndërrohet në një Zotëri të fuqishëm. Në fillim të viteve 1400 Gjoni kishte krijuar një principatë e cila arriti fuqizimin më të madh në dy dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XV. Ajo shtrihej në veri deri në afërsi të Drinit në kufij me Dukagjinët, në jug deri afër Shkumbinit në kufij me Arianitët, në perëndim kufizohej me zotërimet e Venedikut ku kishte edhe një dalje në det, siç ishte Skela e Shufadasë në grykëderdhjen e lumit Mat. Në lindje principata shtrihej deri në rrethinat e Gostivarit (Historia e Shqipërisë 1994 fq.50) dhe kufizohej me zotërimet e vjehrrit të Gjonit që banonte në krahinën e Pollogut.

Vojsava

    Shumë burime historike nuk e theksojnë origjinën etnike të nënës së Skënderbeut, Vojsava Kastriotit. Biografi i parë i Skënderbeut Barleti thotë se: "Gruaja e Gjonit e kishte emrin Vojsavë, të cilën e bënin jo të padenjë për atë burrë me një anë i ati shumë fisnik, princi i Tribalëve dhe me një anë tjetër bukuria, sjellja dhe shpirti i saj i lartë përmbi natyrën e femrës. (M. Barleti, Historia e Skënderbeut fq.64).
    Edhe bashkëkohësi i Skënderbeut Gjon Muzaka thekson: "Dhe për më tepër ta dini se zoti Gjon Kastrioti i ati Zot i Skënderbeut pati për grua zonjën Vojsava Tribalda, me të cilën bëri katër djem dhe pesë vajza". (Gj.Muzaka. Memorie Tiranë 1996,fq.44).
    Ndërsa në një pasazh tjetër të po kësaj vepre po ky autor thekson se: Zonja Vojsava Tribalda rridhte nga një fis i mirë. Ndërkohë që është e çuditshme se këta autorë nuk theksojnë origjinën e huaj të familjes Tribalda, kurse Abaz Ermenji (vendi që zë Skënderbeu në Historinë e Shqipërisë, 1996, fq 26) mendon se kjo familje ka qënë Shqiptare, për arsyen se ajo vazhdonte martesat me dyer Shqiptare. Këtu ky autor ka të drejtë, sepse Gjon Muzaka thotë në Gjenealogjinë e tij se e ëma e Vojsavës ishte nga Muzakajt. Megjithëse njihet tradita mesjetare e martesave të familjeve fisnike shqiptare, me familje fisnike të huaja si: Bizantine, Greke, Serbe, Napolitane, Italiane, Frënge, etj. Gjon Kastrioti u martua me Vojsavën të bijën e sundimtarit të Pollogut, krahinë që shtrihet sot midis Tetovës dhe Shkupit (Maqedoni), e cila përbëhej në pjesën më të madhe të banorëve nga Bullgaro-Sllavë.

Martesat

    Në Historinë e Shqipërisë njihen një sërë martesash që princat dhe përfaqësuesit e klasës feudale Shqiptare kanë bërë me fisnikë të huaj si: Bizantinë, Ballkanas apo katolikë perëndimorë. Ato kishin karakter politik dhe i shërbenin aleancave ndërshtetërore. Të gjithë dinastët katolikë shqiptarë shkruan Milan Shuflai tek: Serbët dhe Shqiptarët ishin në lidhje farefisnie me familjet princore ortodoks se të Balshajve, Lazareviçëve, Brankoviçëve, Cernojeviçëve, Zharkoviçëve si dhe me Perandorët Bizantinë. Martesat e Shqiptarëve me Sllavët ishin bërë traditë përpara Kastriotëve për fisnikërinë shqiptare. Kështu mund të përmendim se Gjergji i I-rë Balsha ishte martuar me Teodorën mbesën e Car Stefan Dushanit (Serbët dhe Shqiptarët fq.134). Gjergji II-të Balsha ishte martuar me Lenën vajzën e Princit Serb Llazarit, Gjergj Topia ishte martuar me motrën e sundimtarit Serb të Kosovës Vuk Brankoviçit (po aty, fq.133), Merksha Zharkoviçi Princi serb u martua me Rugina Balshën , vajzën e Balshës II-të dhe Komita Muzakës.
    Gjon Kastrioti u martua me Vojsava Tribaldën me të cilën lindi nëntë fëmijë, nga të cilët katër ishin djem e pesë vajza. Kronist Gjon Muzaka si bashkëkohës i fëmijëve të Gjon Kastriotit tek vepra e tij "Historia e Shtëpisë Muzaka" (1510), thekson se i pari i fëmijëvë ishte Reposhi. Ai u bë murg dhe vdiq në vitin 1431 në Manastirin e Hilandarit në Malin e Shenjtë, Greqi. I dyti i djemve ishte Stanishi, i treti Kostandini dhe i katërti Gjergji. Të tre këta djem u përfshinë në sistemin e Devshirmesë duke u marrë peng nga Sulltani. Stanishi do të bëhet një nga bashkëpunëtorët më të mirë të Gjergj Kastriotit në luftën 25-vjeçare Shqiptaro-Turke të shekullit XV. Kostandini u martua me një zonjë turke dhe nga kjo lidhje lindi Hamzai, "djali plangprishës".
    Nga vajzat e Gjonit dhe Vojsavës përmenden: Maria e cila u martua me Stefan Cernojeviçin, Princin e Malit të zi, Jella e cila u martua me Princin Gjin Muzaka, e treta Angjelina u martua me Vladan Arianitin, vëllain e Gjergj Arianitit. Më pas vjen Vlojka e cila sipas Muzakës u martua me Pal Stres Balshën dhe së fundi Mamica e cila u martua me Muzakë Topinë.
    Martesat e Kastriotëv vazhduan edhe në Itali pas eksodit të Mamicës dhe Gjonit të ri, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468.

Dëshmia e Skënderbeut

Dëshmitë e Historianëve të huaj të cilët mundohen të hamendësojnë se Skënderbeu kishte origjinë sllave ose greke bien poshtë nga dëshmitë e historianëve bashkëkohës të Heroit. Kështu mund të përmenden autorët shqiptarë të shekujve XV-XVI si Gjon Muzakën, Marin Barleti, Kronistin Raguzian Pietro Lukari të cilët dëshmojnë për origjinën shqiptare të Kastriotëve. Ndërkohë që këtë problem e zgjidh vetë Skënderbeu. Kështu në letrën që ai i dërgon Princit të Tarentit Xhovani Antonio Orsini në 31 Tetor të vitit 1460 Skënderbeu pohon origjinën e tij shqiptare. Botimi i këtij dokumenti e mbylli përgjithmonë këtë debat duke vërtetuar plotësisht origjinën shqiptare të Kastriotëve.

Previous Previous