Sa janë të besueshme dëshmitë e Barletit
Vendvarrimi i Skënderbeut dhe memoriali i tij
Figura e Gjergj Kastritotit, heroit tonë kombëtar është jo vetëm ajo e protagonistit kryesor të Historisë së Shqipërisë, por edhe e simbolit kryesor të unitetit tonë kombëtar. Duke e vështruar nga kjo pikpamje ajo është bërë në të kaluarën dhe do të jetë edhe për të ardhmen një nga temat më të preferuara që do të vazhdojë të trajtohet nga historia jonë dhe ajo e huaj.
Ndërkohë objekti i këtij shkrimi të sotëm është "shikimi" dhe saktësimi i të dhënave mbi vendvarrimin e Skënderbeut, duke ju referuar Biografit të tij të parë Barletit, prej të cilit janë përfituar burimet më të rëndësishme të jetës së heroit. Po a duhet besuar Barleti në gjithçka që thotë?!, apo duhet parë me skepticizëm
.
Derisa të mos disponojmë burime të tjera alternative vepra e tij do të mbetet akoma "monument", të cilën e ka bërë të tillë edhe koha gjatë së cilës ajo, është prezantuar. Por fati i keq i historisë sonë kombëtare është tek mungesa e dokumentacionit, gjë që na detyron si gjithmonë të punojmë me hipoteza dhe arsyetime të cilat shpesh nuk janë aq bindëse për studjuesit dhe auditorin e gjerë. Ndërkohë që po e nisim duke renditur të dhënat e teksteve tona.
Historia e Shqipërisë, teksti shkollor
....."Pas largimit të trupave osmane për të shqyrtuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej vendi nga rrënimet dhe problemet e fundit që kishte shkaktuar lufta e viteve 1466-1467, Skënderbeu thirri në Janar të vitit 1468 një kuvend të ri të princërve shqiptarë. I sëmurur pa pritur, pas disa ditësh qëndrimi në shtrat Skënderbeu vdiq në Lezhë më 17 Janar 1468 i mbuluar me lavdi ai u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, në atë vend ku ai kishte themeluar Besëlidhjen Shqiptare".
Barleti, Historia e Skënderbeut
.....Turqit dhe Barbarët duke u bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxorrën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut. Tek eshtrat dhe varri i tij u mblodhën që të gjithë kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishe fatbardhë, shumë i lumtur ai që do të siguronte për vete një copëz prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjend, një palë me ar dhe e varnin në qafë, si ndonjë gjë hyjnore,të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre dhe e nderonin me respekt shumë të madh, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vete ato thërmija do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat edhe gëzoi sa qe gjallë vetë Skënderbeu.
Historografia e huaj
Pas vdekjes së Skënderbeut Shqipëria "u zhyt" në terrin e pushtimit turk, i cili dalngadalë e izoloi atë nga ajo jetë e lidhjeve tradicionale që ekzistonin me perëndimin. Ndërsa në vendin tonë brezat e shqiptarëve e mbajtën të gjallë figurën e tij me anë të traditës gojore si: këngë, legjenda, e gojëdhëna, perëndimi e bëri atë të pavdekshëm nëpërmjet biografisë së Marin Barletit "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut", e cila u botua në Romë në vitin 1510.
Deri në vitin 1750 kjo vepër u ribotua 21 herë (Histori e Shqipërisë, Tirane 2002, fq.487), duke e përfshirë në "gjeografinë" e saj vende të tilla si: Italia, Gjermania, Spanja, Anglia, Franca, Portugalia, Polonia, etj.
Ishte pikërisht kjo vepër ajo që frymëzoi shumë shkrimtarë, poetë, dramaturgë, përkthyes e historianë që të merreshin me figurën e Skënderbeut, duke krijuar vepra të tilla që i shërbenin në radhë të parë kulturës sonë kombëtare. Ajo shërbeu si bazë për shumë përshtatje, vepra publicistike dhe letrare të historisë së Skënderbeut në vende të ndryshme. Megjithatë miti mbi dhunimin e varrit të tij mbeti fakt për memorjen e Europës.
Nga memoria e tyre mund të veçojmë përkthimin dhe adoptimin që biografisë së Barletit i bëri abati francez Zhak de Lavardin. Në vitin 1573 ky autor e botoi veprën e tij në Paris me titullin "Histoire de Georgis Castriotis Syrnome Scanderbeg, Roy de l’Albanie". Ja seç tregon ai për vendvarrimin dhe fatin e eshtrave të "Heroit".
"Trupi i tij u varros në Lezhë në Katedralen e Shën Nikollës, sipas zakonit të stërgjyshërve të tij, varrimi u bë me një ceremoni plot zi dhe dhimbje të pamatë nga kapedanët dhe ushtarët e princave fisnikë aleatë të tij. Askush nuk e kishte menduar se në Shqipëri në ato vende të krishtërimit do të derdheshin aq shumë lotë. Kockat e tij të futura nën dhe u prehën në paqe gjer ditën kur në Epir erdhi Muhameti II, katër vite më pas turqit të cilët pushtuan qytetin e Lezhës, kërkuan të etur trupin e Skënderbeut, duke ja shkulur kockat e tij. Kockat e atij njeriu që dikur me ti dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani i rrëmbenin si diçka të shenjtë. Ata vërsuleshin drejt skeletit dhe i lumtur ish ai që i prekte e akoma më shumë, ai që i varte ato si hajmali, pra si diçka përrallore…….(cituar nga L.Rama, "Krushq të largët", Tirane 2002, fq.19).
Botimet zyrtare
Historia shqiptare në botimet e saj çuditërisht e anashkalon dëshminë e Barletit se, kur turqit pushtuan qytetin e Lezhës dhunuan varrin e Skënderbeut. Kjo gjë shihet jo vetëm në tekstet shkollore por edhe në botimin prestigjoz të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ja seç thuhet në faqet e këtij libri lidhur me këtë problem: "Në 5 Shtator trupat e bejlerbeut të Rumelisë u futën lehtësisht në kështjellën e Lezhës, sepse ajo u braktis nga komandanti Venecian që drejtonte mbrojtjen e saj. Banorët e qytetit që ishin strehuar në ishullin e Lezhës u kapen dhe u vranë para mureve të kështjellës së Shkodrës".
Ndërkohë që Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botimi i vitit 1985, në faqen 85 tek rubrika e tij e titulluar "Lezha", pranon se varri i heroit u shkatërrua dhe u dhunua nga osmanët. Ndërsa shumë vite më parë pikërisht në vitin 1968 studjuesi Dhosi Liperi formuloi një tezë interesante.
Ajo u publikua në Janar të vitit 1968 në Konferencën e dytë të studimeve Albanologjike të zhvilluar në Tirane, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Por çuditërisht teza e tij se varri i Skënderbeut u transferua më parë në një vendvarrim të dytë, të fshehtë nuk gjeti mbështetjen dhe interesin e studjuesve dhe historianëve, e kështu mbeti në harresë.
Kumtesa e Dhosi Liperit
E titulluar "Varri dhe shpata e Skënderbeut sipas legjendave popullore", Kumtesa përmblidhte mjaft dëshmi të drejtpërdrejta të mbledhura nga autori në krahinat e Zadrimës, Matit, Krujës dhe Mirditës. Çuditërisht të gjitha gojëdhanat e popullit tregonin se turqit asnjëherë nuk e gjetën varrin e vërtetë të Skënderbeut.
"Tuba muhabet me pleçt e vjetër, këta thojshin se kur erdh ushtria turke dhe zaptoi Lezhjen, kërkuen vorrin e Skanderbegut e çilën treqind vorre për me gjet eshtrat e Skanderbegut, por vorrin e tij s’mujtën me e xhetë vorri i Skanderbegut asht i pa çilë. E kanë mëshefë shqiptarët thojshit pleçt e vjetër të Zadrimës". E treguar me origjinalitet nga Hil Kola nga fshati Gramsh i Lezhës, në Shtator të vitit 1964, kjo gojëdhanë së bashku me shumë të tjera e shtynë Dhosi Liperin që të nxirrte përfundimin se, pas vdekjes së Skënderbeut bashkëluftëtarët e tij përhapën parrullën se turqit e prishën varrin e heroit, por eshtrat nuk i gjetën brenda, sepse ato ishin tërhequr fshehurazi prej tyre më parë, për tu vendosur në një varr të ri, i cili fatkeqësisht nuk u gjend më.
Interesant është edhe fakti se në xhaminë e Lezhës në vitet e luftës së parë botërore janë gërmuar dhe hapur varre për të gjetur atë të Skënderbeut, nga reparte të specializuara të ushtrive pushtuese Malazeze, Serbe, Austro-Hungareze dhe Italiane.
Ky fakt na bën të dyshojmë sidomos për Austriakët, të cilët njihen jo vetëm për seriozitetin dhe skrupulozitetin e studimeve Albanologjike, por edhe për suksesin e madh në zbulimet arkeologjike në Shqipëri gjatë viteve 1916-1918. Duket se ata kishin informacione paraprake (ndoshta veneciane apo raguziane), se varri i Skënderbeut nuk ishte gjetur nga turqit dhe për këtë gjë u angazhuan duke gërmuar në Lezhë. Ndoshta dëshira e Austriakëve ishte që Përkrenares dhe shpatës së "Heroit" ti bashkangjisnin në Vjenë edhe eshtrat e tij, të cilat shpresonin ti gjenin këtu.
Vendvarrimi i Skënderbeut
Gjatë sulmeve mbi Lezhën të viteve 1478 dhe 1501 turqit e dogjën kishën Katedrale të Shën Kollit. Në vitin 1680 karakatina e kishës që konsiderohej nga vendasit si vend i shenjtë u shndërrua nga pushtuesit në xhami me emrin "Selime" (Daniele Farlati, Ilyricum Sacrum, VII). Turqit prishën edhe varrezat e dikurshme të kishës duke i hedhur eshtrat e varreve në lumin Drin që ndodhej aty pranë (Harvat Glasnik XXI, Dokum.83).
Deri në vitin 1967 xhamia ishte në pronësi të komunitetit myslyman shqiptar. Po në këtë vit ajo ju nënshtrua gërmimeve intensive të zhvilluara nga arkeologu Frano Prendi, i cili arriti në përfundimin se këtu ishte varrosur heroi. Ky objekt kulti i kaloi në administrim Institutit të monumenteve të kulturës në Tirane, i cili e shndërroi në muze.
Pas shumë përpjekjesh nga ky Institucion në vitin 1981 kisha u kthye në memorialin e sotëm duke e shdërruar sa ishte e mundur në gjendjen e vitit 1501, kur u dogj për herë të fundit nga turqit.
Megjithatë ajo krijon diçka nga atmosfera e dikurshme të shekullit të XV. Brenda kishës në absidën e dikurshme është vendosur një bust i Skënderbeut, punuar nga skulptori Odise Paskali. Në qendër të saj pranë altarit ndodhet një pllakë granite, mbi të cilën janë vendosur kopjet e shpatës dhe prekrenares së Skënderbeut. Në të dy muret e kishës së dikurshme janë fiksuar një varg mburojash dekorative që tregojnë betejat e Skënderbeut. Pranë tyre dy pjesë të shkatërruara afreskesh na kujtojnë funksionin e dikurshëm fetar të saj.
Ndërkohë historiani Kristo Frashëri në botimet e tij e kundërshton idenë se kisha e Shën Kollit ku u varros Skënderbeu është pikërisht ky memorial. Nëpërmjet dëshmive dhe fakteve të tjera ai argumenton se varri i vërtetë i Skënderbeu dhe kisha ndodheshin në kalanë e Lezhës, por gjithësesi ai pranon idenë se heroi mund të nderohet në këtë memorial që ndodhet fare pranë vendvarrimit të vërtetë të tij.
Përfundime
1.- Është e vërtetuar plotësisht se Skënderbeu vdiq në Lezhë në 17 Janar 1468.
2.- Barleti thotë: se atë e kapën një palë ethe të forta, të cilat nuk ishin veçse ato malarike, nga e cila vuante e gjithë Ultësira e Adriatikut.
3.- Përse Skënderbeut u varros në Lezhë dhe jo në Krujë. Kjo është një pyetje të cilës herët a vonë i duhet dhënë përgjigje, sepse së pari Lezha ishte territor i Republikës së Venedikut dhe së dyti Skënderbeu sipas zakonit shqiptar duhet të varrosej ose në Krujë, në qendrën e shtetit të tij ose në varrezat historike të Kastriotëve, atje ku preheshin edhe prindërit e tij.
4.- Figura e tij ishte shumë e respektuar nga shqiptarët dhe vendvarrimi i tij do të kthehej në një vend pelegrinazhi nuk mund të ishte në një territor të Venedikut.
5.- Deri më sot nuk është gjetur asnjë eshtër e trupit të tij, e cila mund të ishte e ruajtur si hajmali nga ushtarët turq. Dihet dhe njihet mistifikimi i objekteve të tilla por çuditërisht nuk ekziston asnjë dëshmi e tillë, d.m.th. ka gjasa që varri i tij nuk është dhunuar nga turqit.
6.- Sulltan Mehmeti i II-të pushtuesi i Kostandinopojës i cili nuk arriti ta mposhte Skënderbeun për 18 vjet (1450-1468) nuk mund ta lejonte që varri i "Heroit" të bëhej vend pelegrinazhi dhe frymëzimi për shqiptarët që vazhduan ti rezistonin edhe për mëse 11 vjet "vrullit" turk pas vdekjes së Skënderbeut.
7.- Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij i njihnin mirë barbarizmat lindore aziatike dhe e kishin parashikuar që varri i tij mund të dhunohej në të ardhmen prej turqve, prandaj eshtrat mund të jenë tërhequr nga varri për tu vendosur në një varr të ri, por që me migrimet masive të shqiptarëve në shek. XV mbeti në tisin e harresës së kohës. |