Fieri gjatë Luftërave
Fieri ishte i fundit rajon i Shqipërisë i cili përcolli trupat turke nga skela e Semanit në vitin 1913, por kronologjia e pushtimeve vazhdoi për të sepse, 3 vjet më vonë ai u pushtua nga trupat e perandorisë Austro-hungareze, për të vazhduar në vitet 1918-1919 nga ushtria Italiane. Në Nëntor 1919 Italianët u larguan nga Fieri për tu rikthyer pas 20 vjetësh përsëri si pushtues. Në 8 Prill 1939 ushtria Italiane e përbërë nga një grup Bersalierësh të drejtuar nga Major Mesina u futën në Fier. Nga 8 Prill 1939 deri në largimin e ushtrisë gjermane në 15 Tetor 1944 për katër vjet e gjysëm qyteti ynë kaloi pushtimin e fundit. Gjatë të dy luftërave botërore ndodhën një sërë ngjarjesh, disa prej të cilave do ti pasqyrojmë në shkrimin e sotëm.
Gjatë viteve 1914-1918 Shqipëria u bë shesh lufte dhe u pushtua nga fuqitë e ndryshme ndërluftuese. Austro-Hungaria pushtoi Shqipërinë e veriut e të mesme dhe arriti deri në Vjosë. Shqipëria ishte atëherë një vend pa rrugë, gjë që sillte pengesa të mëdha për lëvizjet e ushtrive pushtuese. Pasi ushtritë austro-hungareze pushtuan pjesën më të madhe të Shqipërisë, ato ishin të detyruara të ndërtonin arteriet e komunikimit. Një urdhër i komandës austro-hungareze i dalë ditët e para të pushtimit theksonte se përmirësimi i komunikacionit ishte detyrë e rëndësishme e cila duhej realizuar me çdo mjet. Për ndërtimin e rrugëve përveç ushtarëve punonin edhe punëtorë vendas me pagesë, kurse drejtimin teknik të punimeve e kishin oficerë të Xhenjos.
Kështu u ndërtuan rrugët automobilistike Lushnje-Libofshë-Fier-Levan-Buzmadh-Vjosë, ku kalonte vija e frontit që i ndante ushtritë austro-hungareze nga ato të Italisë.
Por për ti furnizuar më shpejtë ushtritë austro-hungarezët ndërtuan edhe një rrjet dekovili, d.m.th hekurrudha me binarë të ngushtë prej 0.65 m, ku përdoreshin për tërheqje lokomotiva me avull ose me motor benzine. Ky rrjet fillonte në Shkodër dhe vazhdonte në Lezhë-Vorë-Durrës-Kavaj-Rrogozhinë-Lushnje-Kolonjë-Mbrostar-Fier-Levan deri në Vjosë.
Mbi Seman austriakët ndërtuan në Mbrostar urën ku kalonin automjetet dhe dekovili, të cilën e hodhën në erë në vitin 1918 kur u tërhoqën nga Fieri të ndjekur nga ushtritë Italiane.
Mbi bazamentin e dekovilit të ndërtuar nga austriakët në segmentin Lushnje-Mbrostar u ndërtua midis viteve 1926-1937 rruga automobilistike Lushnje- Fier.
Austrohungarezët sistemuan edhe rrugën automobilistike Fier-Skela e Semanit dhe përdorën gjerësisht edhe Skelën detare të Semanit, ndërtuar nga Vrionasit në vitet 1860.
Në vitet 1916-1918, gjatë luftës së I-rë si përkthyes në Fier shërbente pranë Komandës Austriake edhe piktori i njohur Shkodrani Simon Rrota, i cili e njihte shumë mirë gjuhën gjermane sepse kishte studjuar ne Austri, i konsideruar nga kritika piktori i fundit i Rilindjes. Ndërkohë që sot vepra të tilla si Skënderbeu në shtratin e vdekjes, beteja dhe Lek Dukagjini përbëjnë fondin e artë të pikturës historike Shqiptare. Kështu në Janar 1916 Simoni erdhi dhe u vendos në Fier ku punoi edhe si fotograf. Ai u martua edhe me një vajzë fierake por epidemia e gripit në vitin 1918 bëri që nusja e re të mos i shpëtonte vdekjes. I pikëlluar sa më ska, piktori i famshëm u largua nga qyteti ynë me një brengë të rëndë në zemër.
Një tjetër personazh që gjalloi gjatë këtyre viteve në Fier ishte edhe oficeri i artilerisë austriaku Jorg Fait. I apasionuar prej arkeologjisë ai vizitoi të gjitha qëndrat dhe rrënojat që paraqisnin interes shkencor. Me një repart xhenjierash Faiti gërmoi në Fier, në rrëzë të kodrës së Shkozës gjatë vitit 1918, me idenë se mos gjente mbeturinat e kampit të Çezarit. Megjithëse nuk gjeti gjë Faiti shkroi një libër interesant me titull Fushata e Durrësit dhe lufta civile midis Çezarit dhe Pompeut, përveçse përshkrimeve historike ai jep të dhëna të shumëanëshme rreth Apollonisë antike dhe Rajonit të Fierit.
Në libër ai përshkruan midis të tjerave dhe goditjet që i bëri artileria Italiane Apolonisë në vitet 1916-1918 sepse aty punonte një ekip arkeologësh austriakë të drejtuar nga Kamilo Prashniker.
Shumë njerëz tashmë e njohin Duçen jo vetëm si personazh historik por edhe për shkak të Lukut të tij, kokës së rruajtur. Në 2 Mars 1941 Benito Musolini, Diktatori fashist fluturoi nga Bari për në Tiranë me një avion 3 motorësh S-79, i cili shoqërohej nga një skuadrije e madhe aeroplanësh gjuajtës. Udhëtimi I tij bëhej në një situatë shumë kritike të zhvillimeve të luftës Italo-Greke. Ushtria Greke gjatë kundër mësymjes së saj kishte thyer ushtrinë Italiane duke e vendosur frontin në vijën Llogara-Tepelenë-Tomorr-Pogradec.
Në këto kushte ku Italia ndodhej përpara të parës disfatë serioze Musolini mbërriti në Tiranë bashkë me hierarkët e lartë fashistë si Çiano, Farinaçi, Starace, etj.
Pasi qëndroi një natë në Tiranë, Diktatori fashist udhëtoi drejt frontit ku gjatë drekës u ndal edhe në Fier. Ku autoritetet lokale fashiste i kishin marrë masat qysh më parë. Kështu për herë të parë rruga kryesore e qytetit u asfaltua nga shoqëria e ndërtimit Puriçeli.
Vetura me të cilën udhëtonte Musolini u "godit" me tufa lulesh të hedhura nga njerëzit që ishin mbledhur në të dy anët që ishin përgjithësisht Italianë që punonin në Shqipëri, ushtarë, njerëz servilë të regjimit, nëpunës dhe nxënës shkollash që ishin urdhëruar për një veprim të tillë. Por vizita pati edhe koston e saj negative pasi aviacioni Grek dhe ai anglez bombarduan Fierin. Goditja iu bë pasditen e datës 3 Mars në vijën Qenas-qendra e qytetit-shkolla artistike, ku ndodhej edhe Komanda e forcave ushtarake Italiane.
Nga bombardimi u shënuan viktimat e para në qytet nga zhvillimet e luftës së II-të Botërore.
Por atë ditë në Fier së bashku me Duçen ishte edhe Konti Çiano.
Ai ishte një nga personazhet kryesore të regjimit fashist, i cili ishte i martuar, me vajzën e Musolinit, Edën. Konti Çiano u emërua Ministër në vitin 1936 ishte vetëm 33 vjeç dhe ishte zyrtari më i ri Italian në atë post.
Çiano njihej si ithtar i Duçes, të cilin e imitonte në sjellje, gjeste, në të falur dhe stilin e jetesës. Ai e drejtoi Ministrinë e Jashtme në vitet 1936-1943 duke i dhënë asaj një ton tipik fashist. Në historinë e Shqipërisë, Konti njihet si dëshmitari kryesor i martesës të mbretit Zog me Konteshën Hungareze Geraldina Aponei, si dhe si arkitekti kryesor i pregatitjes së pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Ndërkohë që si Diplomat Çiano njihej për gafat dhe stilin arrogant, por ai kishte një veti për tu vlerësuar, sepse çdo ngjarje të jetuar e shkruante në ditarët e tij, të cilët sot janë një burim i jashtëzakonshëm I historisë së luftës së dytë Botërore. Në këto ditare, tek kapitulli Shqipëria, në faqen 96 Çiano shkruan se në 8 Tetor 1941 u njoftua se Kryeministri Shqiptar Shefqet Vërlaci dëshironte ti dhuronte Shefit të Shtabit të ushtrisë Italiane Gjeneralit Ugo Cavallero 1000 ha tokë në rajonin e Myzeqesë të Fierit. i irrituar nga ky akt i pa precedent Çiano shkon dhe e denoncon tek Duçja, i cili ndërhyn për ta anulluar këtë veprim, i cili mbeti në tentativë.
Qyteti ynë është dalluar edhe për bukurinë femërore. Mjafton të dëgjosh këngët e traditës popullore ku spikatin vargje të tilla si: "Moj e bukura në derë,...moj e bukura ose vish fustanin me toka hajde dhe moj Fierake ja", apo "Çma kishe shtëpinë mu në anë të Fierit moj gocë e Berberit". Dhe kështu po u frymëzuar nga muza e artit popullor mund të themi se një prej përfaqësueseve të kësaj bukurie femërore ishte dhe Liri Gero.
Ajo lindi në Fier në vitin 1926 në lagjen Shkozë. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në qytetin e lindjes ku mbasi përfundoi arsimin fillor nisi të punojë në dyqanin e të atit, një rrobaqepës i njohur në qytetin e Fierit. Gjatë periudhës së luftës Liri Gero ju bashkua rezistencës antifashiste duke kryer detyra të ndryshme në radhët e saj në qytetin e Fierit. Në moshën 17-vjeçare së bashku me 68 vajza dhe gra antifashiste ajo vendosi të largohej nga qyteti për t’ju bashkuar njësiteve Partizane të rezistencës që vepronin jashtë qytetit, në Mallakastër.
Për ta nxjerrë nga qyteti në kushtet e shtetrrethimit këtë mision e kreu Xha Kostandini, përfaqësues i njërës prej familjeve më të vjetra të Fierit, Familjes së madhe dhe të nderuar të Toskallarëve. Ishte viti 1943 dhe regjimi I pushtimit gjerman ishte duke shfaqur ashpërsinë e tij ndaj rezistencës antifashiste, duke kryer kudo akte terrori.
Liri Gero do të vritet në rrethana makabre nga Gjermanët pasi u kap rob prej tyre në luftimet e zhvilluara gjatë operacionit gjerman të qershorit 1944, në rrugën automobilistike Fier-Vajkan. Pas luftës Liri Gero u shpall heroinë e popullit dhe emri i saj ju vendos njërës prej shkollave 9-vjeçare të qytetit të Fierit.
Ndërkohë vitë më vonë shkrimtarja e njohur Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare, botoi Novelën "Nusja dhe shtetrrethimi", kushtuar figurës së Liri Geros. Novela shërbeu si skenar i filmit të mëvonshëm të xhiruar nga regjizorët Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muça, prodhim i kinostudjos Shqipëria e re. Filmi i cili edhe sot të sjell nostalgjinë e Kinemasë Shqiptare trajton jetën gjatë luftës së Liri Geros, interpretuar mjeshtërisht nga Rajmonda Bulku.
Në role të tjera luajnë aktorë të njohur si: Thimi Filipi, Llazi Serbo, Kastriot Çaushi, Sotiraq Bratka, të cilët na sjellin nëpërmjet subjektit imazhin e gjallë të heroinës.
"Nënë moj vajto vëllanë
Me tre plumba na e vranë
Na e vranë e na e shanë
Na i thanë Tradhëtor"
Menjëherë sapo i lexon këto rreshta, të vjen ndër mend poezia e Fan Nolit për Luigj Gurakuqin, të cilin ai e quan Vigan Liberator. Poezia u shkrua pas vrasjes së Gurakuqit në fillim të vitit 1925 në Bari të Italisë nga Balton Stambolla. Vetë Baltoni ishte djali i tezes së Gurakuqit dhe i paguar kreu këtë vrasje që quhet vërtet e shëmtuar. Policia Italiane e arrestoi vrasësin dhe ai u dënua nga gjykata e Tronit me 25 vite burg të cilat 17 i kreu në Itali. Por pas vitit 1939 situata politike ndryshoi sepse Italia e pushtoi Shqipërinë dhe si pjesë e kurorës së Savojës ajo kishte Flamurin, Qeverinë, Këshillin dhe Nënmbretin. Në vitin 1941 Kryeministër i Shqipërisë u bë Mustafa Kruja, një politikan i shkollës së vjetër, pjesëmarrës në Kuvendin e Pavarësisë dhe në Revolucionin e Qershorit 1924 Kruja njihej si mik i ngushtë i Luigj Gurakuqit dhe ishte betuar se do të hakmerrej në fjalimin që kishte mbajtur në varrimin e tij në Bari. Dhe rasti erdhi. Në emër të qeverisë së tij Mustafa Kruja i kërkoi qeverisë Italiane ekstradimin e Balton Stambollës, i cili u krye pa asnjë ekuivok nga autoritetet policore.
Nga Durrësi i burgosuri B.Stambolla u vendos në arrest shtëpie në një banesë në qytetin e Fierit. Këtu vrasësi do të merrte dënimin e merituar. U krijuan kushtet artificialisht dhe Baltoni vendosi të arratiset, por rojet e pikasën dhe e qëlluan. I plagosur ai qëndroi dy ditë pa u mjekuar qëllimisht dhe vdiq. Kjo ishte hakmarrja e premtuar ndaj Gurakuqit që u realizua atë ditë të vitit 1942 në qytetin e Fierit, kur miqtë e tij ishin në pushtet.
Qemal Beu ishte një nga njerëzit më të shquar të qytetit të Fierit. Si pinjoll i familjes së njohur Vrioni, ai u bë protagonist në shumë nga ngjarjet politike të kohës, duke nisur që nga viti 1912 deri deri në vitin 1943. Duke bërë një kronologji të shkurtër, mund të themi se në vitin 1913 Qemali bënte pjesë në administratën e Qeverisë së Vlorës, në vitin 1914 mori pjesë si delegat i Fierit në Kongresin e Durrësit, në vitin 1920 drejtoi vullnetarët fierakë në luftën e Vlorës, në vitin 1921 u zgjodh Deputet në Parlamentin Shqiptar, Deputet përsëri në vitin 1925, kundërshtar i mbretit Zog në kryengritjen e Fierit në vitin 1935 si pjesëmarrës në të. Në vitin 1938 ishte drejtuesi i Kompanisë elektrike SITA. Me pushtimin fashist ai u angazhua në politikë pas 4 vjet mungese për shkak të persekutimit politik si kundërshtar i Mbretit Zog. Kështu me themelimin e gazetës qeveritare Tomorri në prill 1940 Qemal Vrioni shërbeu si drejtor i saj. Më pas me rastin e dorëheqjes së Kryeministrit Mustafa Kruja në 13 Janar 1943 për postin e Kryeministrit u paraqitën dy kandidatura siç ishin ato të Eqerem Libohovës dhe Qemal Vrionit.
Por fati këtu nuk i eci sepse Kryeministër nga Italianët u caktua Eqerem Libohova. Me kapitullimin e Italisë në 8 Shtator 1943 Qemal Vrioni u shkëput nga Politika dhe nuk pati angazhime të tjera. Deri këtu jeta e këtij personazhi u zhvillua njëlloj si shumë e shumë jetë të tjera njerëzore. Viti 1944 do të rezultonte fatal për të sepse në Nëntor Qemal Vrioni do të arrestohej dhe do ti sekuestrohej pasuria e tij e madhe.
Vdiq në mënyrë tragjike në burgun e Burrelit në vitin 1946, duke u bërë edhe personazh i novelave të Jakov Xoxës në letërsinë e realizmit socialist.
Megjithatë pavarësisht se sot nuk njihet nga shumë njerëz shtëpia që ai ndërtoi në fillim të viteve 1930 ndodhet përsëri në qendër të Fierit dhe vizitohet çdo ditë nga dhjetra njerëz. E shndërruar në një njësi të suksesshme shërbimi në Bar-Restorant "Piazza" është sot një nga ndërtesat më të vjetra dhe më mbresëlënëse të qytetit tonë. |