 |
Rishkrimi i historisë ishte një term që qarkulloi rreth një vit më parë dhe u prit në forma të ndryshme nga publiku shqiptar, i cili nxitoi menjëherë të jepte opinionet e tij rreth këtij problemi. Rreth tij u shprehën mendime të ndryshme, ku nga sa e pamë auditori i gjerë u nda në dy kampe. Në të parin, ata më radikalët, ngritën zërin që: historia duhet rishkruar, ndërsa më pas erdhi reagimi i kampit të të moderuarve. Këta të dytët u shprehën që: çdo gjë duhet të ruhet me kujdes, se historia nuk çbëhet, dhe gjithçka që ka ndodhur nuk mund të ndryshohet. Por kur debati nisi të fashitet paksa, kur në "horizont" u shfaq Profesori Shmid, i cili nga pozicioni i një historiani të huaj, me veprën e tij mbi Skënderbeun shkaktoi një polemikë të fuqishme e cila po vazhdon përsëri të diskutohet.
Gjatë këtyre zhvillimeve midis deklaratave dhe konstatimeve të shumta, (nuk mbaj mend mirë se deklarata ishte e Zotit Shmid, apo e dikujt tjetër), fiksova thënien se: "njerëzit që kanë shkruajtur historinë e Shqipërisë në periudhën e monizmit janë po ata që, po merren me trajtimin e saj dhe sot''. Ky fakt më bëri përshtypje të thellë dhe ndjeva se vërejtja ishte e drejtë, dhe menjëherë artikulova shprehjen se duhet të rishkruhet historia, sepse ajo ka qenë e ndikuar drejtpërdrejtë nga politika dhe është trajtuar me metodologjinë marksiste, por të metodës Shqiptare ajo ka qenë e trajtuar në mënyrë të njëanshme.
Pikërisht si një nga njerëzit, që në këto vitet e fundit kam qenë nga më aktivët në shtypin e përditshëm, për pasqyrimin e figurës së Skënderbeut, mendoj se rishkrimi i historisë duhet të fillojë nga periudha e jetës së Heroit, e kështu me radhë të pasohet edhe për periudhat e tjera.
Mendoj se, çmitizimi i figurës së tij nuk ka përse ti trembë shqiptarët. Për jetën dhe bëmat e Skënderbeut kanë shkruar bashkëkohësit, të cilët për kohën ishin njerëzit më të ditur, përfaqësues të denjë të humanizmit europian. Ndërkohë që edhe vepra të tilla si, ajo e profesorit të nderuar Shmid, nuk kanë përse të shkaktojnë aq polemika të ashpra dhe panik. Mjafton të lexohet bibliografia në fund të tekstit dhe të shihet burimi i dokumentave, kur dihet që: të gjithë subjektet, individët dhe strukturat politike të shekullit të XV, që kanë patur kundërshtar Skënderbeun në çdo moment kanë mbajtur qëndrim fyes ndaj tij. Mjafton të shohësh dokumentat Venedikase dhe Osmane, që të kuptosh se çfarë përcaktimesh autentike kanë shkruar kronistët turq dhe zyrtarët venedikas ndaj Skënderbeut.
Pikë së pari Skënderbeu është dhe mbetet i madh dhe ideja ime është se, rishkrimi duhet bërë duke sqaruar, theksuar dhe trajtuar fakte e ngjarje që qëllimisht ose jo, janë anashkaluar. Probleme të tilla që mendoj se duhet të ndalemi janë origjina e Kastriotëve, Dasma e Skënderbeut, Familja e Arianitëve, Dukagjinët, Kastriotët e Italisë, etj.
Ndërkohë një nga problemet kryesore që duhet të sqarojë historografia jonë është origjina e Kastriotëve. Akoma vazhdohet të thuhet se Kastriotët ishin ga Dibra, pavarësisht se Barleti vlerësohet si biografi më i madh i heroit, ai fyhet nga përfaqësuesit më në zë të historografisë shqiptare. Po, po fyhet, sepse Barleti thotë se: "Kastriotët ishin nga një derë fisnike në Mat", ndërsa historianët tanë të nderuar që deri vite më parë citonin Barletin, e ndryshuan faktin duke i vendosur Kastriotët në Dibër. Përse?! Një veprim i tillë a nuk ishte ky një rishkrim i detyruar. Ndoshta gaboj në aludimin e mëposhtëm, por them se: Mos vallë regjimit të kohës nuk i interesonte që Kastriotët të ishin nga Mati i Ahmet Zogut?.
Kështu Skënderbeu na dilte me biografi të keqe. Ndërkohë në media është publikuar porosia që Shoku Enver i kishte dhënë Drejtorit të atëhershëm të Institutit të historisë, që: "Gabimet duhet ti ndreqësh me punë". Dhe ai u përpoq që "sjelljen ta rregullonte", duke i nxjerrë Kastriotët nga Dibra, ku shoku Enver ishte dhëndër. Për këtë atij i erdhi në ndihmë Gjon Muzaka. E kush do ta hetonte Muzakën, që në vitin 1510 kur shkroi memorjen e tij, e dinte se nga ishin Kastriotët?.
Patjetër që e dinte, sepse ai ishte martuar me një nga motrat e Skënderbeut, por atij i interesonte tjetër gjë, siç ishte fakti që: familja e tij të dilte si familja më e fisme dhe më e vjetër e Shqipërisë, biles me origjinë nga Perandorët Romakë. Që dëshmitë e Muzakës janë të dyshimta dhe të qëllimshme kjo gjë dihet dhe ka filluar edhe të pohohet tashmë. Duke lënë mënjanë Muzakën ne mendojmë se ka ardhur koha të themi se: Kastriotët nuk janë nga Dibra apo Hasi, por janë nga Mati. Arsyet që më shtyjnë të pohoj këtë gjë janë disa:
Së pari: Në shqipëri ka shumë toponime mesjetare që lidhen me emrat e familjeve të mëdha si: Dukagjin, Aranitas, Blinisht, Skënderbegas, Kastriot etj, të cilët nuk tregojnë origjinat e këtyre familjeve, por zotërimet e tyre. Kjo ndodh edhe me fshatin Kastriot të Dibrës, të cilin as Barleti dhe as Muzaka nuk e përmendin si zotërim të Kastriotëve. Përsa i përket toponimisë së pasur të Dibrës që lidhet me familjen e Kastriotëve mund të themi se ekzistojnë shumë dëshmi që lidhen me veprimtarinë e tyre në këtë zonë. Kjo gjë nuk mohohet, por ndërkohë dua të shtoj se edhe në Vlorë, në rrëzë të Kaninës, buzë malit të Shashicës ka toponime të tilla si: Ara e Skënderbeut, Vau i Skënderbeut, ose Rrapi i Skënderbeut. Ndërkohë që ky fakt nuk do të thotë se Skënderbeu ishte nga Vlora.
Edhe dëshmia e Rafael Valaterranos që Gjon Kastriotin e quan Dibrani nuk qëndron. Atë e rrëzojnë dokumentat Venedikase, Raguziane dhe Turke, të cilat heshtin në këtë pikë. Po kështu edhe Gjon Muzaka i cili thotë që Pal Kastrioti zotëronte dy fshatra në Dibër, por po aty nuk thotë që Kastriotët ishin nga Dibra, gardhi i poshtëm Sinja, Kastrioti apo Çidhna.
Gjithashtu në Shqipëri ekziston me fanatizëm zakoni që, në gjjallje shumë njerëz e lënë amanet që të varrosen në vendlindje. Si ka mundësi që asnjë nga Kastriotët nuk është varrosur në Dibër?. Kështu thuhet se Vojsava, e ëma e Skënderbeut është varrosur në kishën e Shtjefnit në Mat, Mamica në Petrelë ose Rodon, Gjoni nuk dihet se ku, kurse heroi u varros në Lezhë.
Ndërkohë që në metodën e studimit historik thuhet se, për të shkruar historinë mbështetemi tek dy burime kryesore siç janë: Burimet e shkruara dhe burimet e tërthorta që mund të jenë gojore, etnografike, arkeologjike, gjuhësore, antropologjike, etj. Megjithatë vendin kryesor e zënë burimet e shkruara ku në rastin e Skënderbeut kemi përveç Barletit dhe dëshmitë e Dhimitër Frëngut dhe Andrea Ëngjëllit. Ato dëshmojnë drejtëpërdrejtë origjinën e Kastriotëve nga Mati. Tek Historia e Skënderbeut e Barletit autori në parathënie thotë se: Unë nuk kam shkruar trillime por ato që më kanë treguar me kujdes të medhenjtë dhe ato që kanë parë me sytë e tyre disa që kanë marrë pjesë në luftë. Pra vepra është shkruar nga tregimet e marra nga njerëzit e kohës. Sqarojmë të nderuar lexues se Barleti lindi në Shkodër në vitin 1460, tetë vjet përpara se të vdiste Skënderbeu, kurse në vitin 1479 në moshën 19 vjeçare ai mori pjesë në mbrojtjen e Shkodrës, e cila ishte rrethuar nga Turqit.
Ndërsa si intelektual ai u formua dhe kulturua në Venecia. Në moshën 50-vjeçare, kur ishte në kulmin e pjekurisë intelektuale Barleti botoi në vitet 1508-1510 historinë e Skënderbeut në Romë. E cilësuar nga studjuesit e mirëfilltë si vepër Historike, Historia e Skënderbeut i kushtohet nipit të Skënderbeut Don Ferrantes, i cili nuk mund ta lejonte ndonjë lajthitje të Barletit lidhur me origjinën e familjes së tij. Mos vallë ai nuk e dinte se nga ishte gjyshi?, Skënderbeu dhe familja e tij.!
Ndërkohë që një tjetër dëshmi që nuk duhet anashkaluar është edhe Përkrenarja e Skënderbeut e cila ruhet së bashku me shpatën e tij në KUNSTHISTORICSHE MUZEUM në Vjenë, në sallën XXV e quajtur e Maksimilianit. Përkrenarja prej çeliku përbëhet nga një rrip i larë me ar në të cilin është gdhendur mbishkrimi (IM*PE*RA*TO*RE*BT) që dëshifrohet: Jezusi i Nazaretit, bekon Skënderbeun, Princin e Matit, Mbretin e Shqipërisë, Tmerrin e Osmanëve, Mbretin e Epirit. Thuhet se Përkrenarja ju dhurua Skënderbeut nga Papa Piu II-të, kurse rripi me mbishkrimin e tij ju shtua nga pasardhësit e familjes Kastrioti që lindën pas emigrimit të kësaj familjeje në Itali pas vitit 1468.
Është e natyrshme që kushdo që porosit mbishkrimin, qoftë Papa ose pasardhësit e heroi, të dyja palët e njihnin mirë origjinën e Skënderbeut dhe u kujdesën që aty të shënonin edhe titullin e parë të tij si Princ i Matit dhe pastaj Mbret i Shqipërisë, apo i Epirit.
Pra edhe ky fakt nuk mund të mohohet dhe anashkalohet sepse edhe ai është një tjetër tregues që Kastriotët ishin nga Mati.
I vetmi gabim i Barletit theksoi në vitin 1976 studjuesi Dilaver Kurti ishte se: Humanisti ynë nuk përcaktoi se nga çvend i Matit ishin Kastriotët dhe ky problem do të ishte mbyllur me kohë. Pikërisht kjo gjë ka shkaktuar këtë pështjellim në historinë e Shqipërissë, i cili vazhdon edhe sot, sepse për origjinën e Kastriotëve kemi katër variante: si atë të Matit, Dibrës,Hasit dhe Mirditës.
Të gjitha lajthitjet theksonte D.Kurti nisin me kronistin Raguzian Petro Lukari, i cili në vitin 1605 thotë se: Kastriotët ishin nga Hasi. Ndërkohë që kjo e dhënë e Lukarit bie gjithsesi, sepse nuk është gjë tjetër veçse një dëshmi që u gjend në një manastir të Bosnjës, dhe që është e dyshimtë si dokument.
Ndërkohë që të tjera argumenta tonat që historia të rishkruhet saktë janë edhe këto: Së pari familja e Kastriotëve ishte shumë e madhe dhe pronat e mëdha të Gjonit nga Drini në Shkumbin dhe Prizreni e Pollogu në Lindje deri në Adriatik në Perëndim, administroheshin nga kushërinjtë e tij. Këta Kastriotë të vendosur në Has, Dibër, Mat, Prizren, Mirditë, Krujë apo gjetkë kanë qenë shpesh referimet e kronistëve të huaj që i kanë ngatërruar ata rreth origjinës së Kastriotëve, siç është edhe rasti i Lukarit.
Ndërsa në Shtjefën të Matit është edhe sot një fis me emrin Kastriot të cilët e mbajnë veten të një gjaku me Skënderbeun, fakti i rrallë që nuk gjendet as në Dibër, Has, Mirditë apo gjetkë. Një tjetër autor që përmendëm më sipër është edhe Dhimitër Frëngu lindur në 1443 dhe vdekur në vitin 1525 në Trevi të Italisë. Dhimitër Frëngu ishte arkëtar dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut dhe rridhte nga familja e Ëngjëllorëve të Drishtit. Në vitin 1539 botohet në Venedik në gjuhën latine vepra e tij komentar i punëve të Turqve dhe zotit Skënderbe, Princ i Epirit. Përkthyes i veprës ishte Pali, i biri i Pjetër Ëngjëllit, i cili mbante emrin e të ungjit, Pal Ëngjëllit, ambasadorit dhe bashkëpunëtorit të Skënderbeut. Në këtë vepër theksohet se Kastriotët ishin nga Mati. Kështu pohon autori Dhimitër Frëngu dhe përkthyesi Pal Pjetër Ëngjëlli. Duke ju referuar këtij fakti ngamë pyetjen: A mos edhe këta zotërinj që i kanë shërbyer Skënderbeut, nuk e dinin se nga ishte ai? A mos ndoshta edhe nipi tjetër i Dhimitër Frëngut Andrea Ëngjëlli gënjen, kur boton në vitin 1555 në Romë veprën "Gjenealogjia e Perandorisë Romake dhe Kostandinopolite", sepse në faqen 490 thotë se Kastriotët ishin nga Mati.

Përfundime
Deri në vitin 1974 mendimet e historinëve për origjinën e Kastriotëve ndaheshin më dysh. Një pjesë argumentonin se Kastriotët ishin nga Mati, ndërsa pjesa tjetër mendonin se ata ishin nga Hasi. Të dy kampet argumentonin tezat e tyre duke sjellë në mënyrë të pavarur fakte të ndryshme. Ndërkohë tribunë e polemikave u bë gazeta Mësuesi, kështu që në vitin 1974 në një shkrim të botuar në dy numra të gazetës ‘’Mësuesi’’ në datat 4 dhe 11 Shtator, Historiani Kristo Frashëri hodhi për herë të parë tezën se Kastriotët ishin nga Dibra, duke mohur të dhënat e tre autorëve bashkëkohës të Skënderbeut si: Barleti, Dhimitër Frëngu dhe Andrea Ëngjëlli.
Pas tij historiani Kasem Biçoku rimbrojti në dy numra të tjera të gazetës Mësuesi të botuar në 11 dhe 18 Dhjetor 1974, tezën se Kastriotët ishin nga Hasi, tezë që mbështetet tek dëshmitë e Lukarit dhe Frang Bardhit. Ndërkohë që këtyre tezave ju bashkangjitën dëshmi të vjetra dhe argumente nga historianë të rinj duke sjellë këtë pështjellim në historinë e Shqipërisë.
Kujtojmë se tezat e mësipërme të origjinës Dibrane dhe Hasjane të Kastriotëve janë përfaqësuar në këto 35 vjet nga emra autoritarë në fushën e historografisë Shqiptare të cilët kanë qenë edhe drejtues të institutcioneve shkencore. Prandaj tezave të tyre u është dhënë më tepër prioritet në dëm të tezës sonë se Kastriotët ishin nga Mati. Kjo shihet tek tekstet e historisë së Shqipërisë.
Ndërkohë që botimet e tjera e mohojnë këto aludime. Shembulli më tipik është historiku i kishës ortodokse autoqefale të shqipërisë i autorit Andrea Llukani, botimi i vitit 2005, ku midis shumë fakteve për familjen e Kastriotëve, në faqen 38, theksohet se Mati është vendi i origjinës së Kastriotëve. Ky historian i pa ndikuar nga asnjë prej tezave të mësipërme, pasi u njoh me burimet historike nuk hezitoi që të orientohej drejt duke gjykuar me arsye dhe profesionalisht. Kështu kanë vepruar edhe një sërë intelektualësh dhe historianësh të cilët dinë të vlerësojnë dhe kanë vullnetin të gjykojnë pa subjektivizma historinë tonë kombëtare. Kjo u pa edhe tek botimi i autorëve të sotëm katolike si Marin Sirdoni dhe Frano Ilia, të cilët në studimet e tyrë të mirëfillta nuk theksuan se Kastriotët janë dibranë. Pikërisht në emër të parimeve shkencore dhe të gjykimit intelektual ka ardhur koha që të kërkojmë që të mos fyhet më Barleti, si i pari biograf i heroit. Të botohen veprat e Dhimitër Frëngut dhe Andrea Ëngjëllit që janëa dëshmi të drejtpërdrejta krahas Barletit për origjinën e Kastriovëve.
Të merret parasysh argumenti i Thallocit i cili duke çmuar dokumentin Raguzian të vitit 1368 të nënshkruar në Kalanë e Kaninës, dhe që i përmend për herë të parë Kastriotët thotë se: Kastriot do të thotë qytetar. Pra Kastriotët ishin qytetarë por nga cili qytet?. A ka patur qytete Hasi apo Dibra nga të cilat pretendohet se ishin Kastriotët. Gj. Muzaka nuk thotë se ata ishin nga vetë qyteti i Dibrës. Ndërsa Mati ka patur dy qytete në periudhën që po flasim, atë të shekujve XIII-XIV, siç ishin Petralba (Guri i bardhe) dhe Stelushi.
Pikërisht këto dëshmi duhet që të merren në konsideratë nga institucionet tonë kompetente, të cilat duhet të dalin jashtë rutinës së punës së tyre. Duke kapërcyer marrëdhëniet, raportet dhe qejfmbetjet midis kolegëve, individët që janë pjesë përbërëse e tyre duhet të dëshmojnë tashmë të vërtetën, duke mos e mbajtur më peng të tyre, historinë e Shqipërisë.
Historia nuk mund të shkruhet tashmë vetëm në Tiranë, sepse ajo nuk është eskluzivitet i disa individëve të caktuar, të cilët dashje pa dashje kanë qenë të detyruar të ndërtojnë teza të paracaktuara nga të tjerët. Të tillë "Personalitete" u panë edhe në imazhet televizive, kur u prezantua libri i profesorit Shmid, ku si pjesëmarrës në auditor nuk dinin se si të reagonin, duke mbetur rob të tezave të së kaluarës.
Për këtë qëllim po i kujtoj auditorit dhe opinionit publik, Lukianin dijetarin e shquar të antikitetit që jetoi në shekullin e dytë. Qysh përpara 1800 vjetësh ai formuloi panfletit e titulluar. Si duhet shkruar historia ku në pasazhin e fundit thotë:
Historia shkruhet me pasion për të vërtetën, duke patur parasysh atë që mund të pritet nga e ardhmja, dhe jo me lajka, për tu bërë qejfin bashkëkohësve. Ja këto janë për ju rregulla dhe metri i një vepre historike të vërtetë. |