Ilirjan Gjika

Saranda

Rrethi i Sarandës ndodhet në ekstremin më jugor të Shqipërisë, atje ku regjistrohet edhe gjerësia gjeografike prej 39o 38' (Konispol). Saranda ka formën e një grushti të mbledhur i cili ka drejtuar gishtin tregues lart. Ajo kufizohet në veri me Vlorën, në lindje me Delvinën dhe Gjirokastrën, në jug me Greqinë, kurse në perëndim me detin Jon.
    Rrethi i Sarandës ka një reliev përgjithësisht fushor i cili përbehet nga: pjesa jugore e maleve bregdetare që shtrihen nga Borshi deri në gjirin e Ftelias. (A.Bozgo, Gjeografi e rretheve, Tirane 1985, fq.84-85), fusha e Vurgut, fusha e Vrinës dhe kodrat e Sarandës, Lëkursit, Ksamilit, Butrintit e Konispolit. Të gjitha këto njësi përbëjnë pjesën jugore të Rivierës Shqiptare në të cilën të bien në sy gjiret e shumtë, plazhet, bregdeti shkëmbor, kodra me agrume dhe ullinj, male që qarkojnë peisazhin, etj.
    Territori i Sarandës përshkohet nga lumenjtë e Kalasës, Bistricës dhe Pavllës të cilët pasi përshkojnë fushëgropën e Delvinës derdhen në Detin Jon.
    Kalasa buron nga mali i Steshnikoshit dhe pasi bashkohet me Bistricën (Saranda Almanak. Tirane 1985 fq.91-92) nëpërmjet kanalit të Çukës derdhet në detin Jon. Bistrica buron nga qafa e Muzinës dhe pasi zbret me shpejtësi të madhe drejt perëndimit merr me vete 18 burime përfshirë dhe Syrin e Kaltër. Në të janë ngritur edhe dy hidrocentrale si Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Bistrica është e famshme edhe për troftën e saj (Salmo Fario) dhe troftën e kultivuar (Salmo Irideus).
    Ndërsa Pavlla është lumi më jugor i Shqipërisë. Ai buron nga mali i Stugarës dhe merr me vete edhe përroin e Leshnicës (Gjeografi e rretheve fq.90-91) dhe derdhet në det në jug të liqenit të Butrintit.
    Në hidrografinë e Sarandës bën pjesë edhe Liqeni i Butrintit, i cili është një nga liqenet më të mëdha detare të Shqipërisë. Ky basen ujor ka një sipërfaqe prej 16 km2 dhe komunikon me detin Jon, nëpërmjet kanalit të Vivarit i cili ka gjatësi prej 1.5 km. Liqeni i Butrintit është i paisur në specie detare dhe në ujërat e tij tashmë është krijuar edhe tradita e kultivimit të Midhjes, siç quhet ndryshe "Mbretëresha e liqenit". Kanali i Vivarit ka përmasat e një lumi i cili është i lundrueshëm. Kushtet e relievit, gjerësia gjeografike dhe klima subtropikale krijon kushte shumë të mira për kultivimin e agrumeve dhe ullirit.
    Temperaturat mesatare vjetore arrijnë shifrat 16-17o C, ku muaji më i ngrohtë është Gushti ndërsa ai më i ftohtë Janari. Rreshjet bien kryesisht në formë shiu dhe përgjithësisht gjatë gjysmës së ftohtë të vitit. Sasia mesatare e rreshjeve arrin në 1500 mm, kurse rrezatimi diellor numëron rreth 340 ditë me diell gjatë vitit. Në aspektin ekonomik dega kryesore e ekonomisë është turizmi. Saranda dallohet për kultivimin e grurit, misrit, vreshtarisë, etj. Ajo zë vendin e dytë për prodhimin e ullirit. Në Sarandë ndodhet edhe miniera e vetme e kripës së gurit në Dhrovjan (Saranda Almanak 1985).
    Saranda është port detar dhe kryqëzim rrugësh automobilistike si Vlorë-Sarandë, Sarandë-Gjirokastër, Sarandë-Konidpol-Qafe Bot-Greqi.
    Në Sarandë ka punuar dikur si doganier edhe poeti kombëtar Naim Frashëri në vitin e largët 1876.

Rrethi i Delvinës

Është një nga ndarjet territoriale më të vogla të Republikës së Shqipërisë. Ai u krijua në vitin 1992 pas ndarjes nga rrethi i Sarandës.
    Rrethi i Delvinës kufizohet me rrethet e Gjirokastrës dhe Sarandës. Territori i saj përbëhet nga fushëgropa e Delvinës në perëndim dhe vargu malor Mali i Lukos, Mali i gjerë, Mali i Stugarës ne lindje. Të dy këto njësi gjeografike lidhen midis tyre nëpërmjet një sistemi kodrash. Nëpërmjet territorit të Delvinës kalon arteria e rëndësishme e komunikimit që lidh portin e Sarandës me Gjirokastrën dhe Kakavijën, nëpërmjet Qafës së Muzinës. Në territorin e Delvinës ndodhen burimet e Bistricës dhe burimi karstik i Syrit të Kaltër.
    Delvina si qendër e rrethit është qytet me origjinë mesjetare. Kjo gjë dëshmohet nga kalaja që është në shekullin e XIII dhe kompleksi (Lejla Kalo Gjeografi e rretheve fq.94).
    Së bashku me Vlorën dhe Sarandën Delvina bën pjesë nga pikëpamja administrative-territoriale në Qarkun e Vlorës. Si territor Delvina bën pjesë në trevën etnografike të Labërisë. Nga ky qytet kanë dalë një sërë shtetarësh dhe intelektualësh si Sulejman Delvina ish Kryeministër, shkrimtari Sabri Godo, aktorja Hajrie Rondo, etj.

Ksamili

U ngrit si qytezë bregdetare gjatë periudhës komuniste. Në nëntor 1966 Enver Hoxha porosit që në këtë vend të bukur dhe të virgjër të ngrihej një qendër e prodhimit të agrumeve dhe ullirit. Kështu "lindi" Ksamili, vetëm 5 km larg Butrintit, përballë ishujve piktoreskë, në gadishullin e Heksamilit, (gjashtë miljeve nga Butrinti). Peisazhit të bukur të detit dhe kodrave i shtohen dy ngjyrat jetësore, e kaltra dhe e blerta, që e hijeshojnë edhe më tepër gjirin e Ksamilit, i cili ndodhet pothuaj përballë ishullit më të madh të Jonit Korfuzit.

Borshi

Borshi shtrihet përgjatë një gjiri të bukur të Jonit, ku lumi i Izvorit ka krijuar një fushë të mysët që vjen duke zbritur nga kalaja e Sopotit drejt bregut. Këtu ndodhet plazhi i Kamorezës një nga më të mëdhenjtë e Rivierës Shqiptare. (J.Koçi, Himara 2006, fq.80-81).
    Qendra e Borshit ndodhet në Izvor, kurse duke u ngjitur më sipër rruga të çon drejt kalasë, fortifikimet e së cilës nisin qysh në periudhën Homerike. Sipas studjuesit të kësaj kalaje arkeologut Jano Koçi, qyteti antik që u ngrit këtu quhej Meondria. Ai rrethohej me mure të gjatë 1400 m, brenda të cilëve ndodhej akropoli dhe ndërtesat urbane, një pjesë e të cilave ishin ndërtuar në shkëmb. Në mesjetë kalaja e Borshit u quajt e Sopotit, emër të cilin e ruajti deri në vitet e pushtimit turk, gjurmë e të cilit shihen tek xhamia e ngritur në një nga anët e kalasë, e cila ruhet akoma në gjëndje shumë të mirë.

Konispoli

Është qyteti më jugor i Shqipërisë me gjërësi gjeografike prej 39o 38'. Ai shtrihet në shpatin e malit të Saraqinit dhe është qëndra e shtatë të fshatrave të krahinës etnografike të Çamërisë, e cila dallohet për kostumet, këngët dhe valet popullore, ku e famshme është vallja e Osman Takës. Konispoli veçohet për traditat atdhetare dhe kulturore.
    Konispoli është vendlindja e Hasan Tahsinit. Rektorit të parë të Universitetit të Stambollit. Nga ky qytet është edhe Muhamet Kuçuku njëri prej përfaqësuesve të rrymës poetike të bejtexhinjve. Në Konispol kalon edhe rruga për në qafën e Botës që e lidh atë me qytetin e Sajadhës në territorin Grek.

Kalaja e Lëkursit

Gjendet në majën e një kodre që domin Sarandën, bregdetin, Butrintin, Fushëgropën e Delvinës. Kështjella që i përkiste një garnizioni u ndërtua nga Turqit në shekullin e XVII (Gj. Karaiskaj. Kështjella e Lëkursit…). Për të kontrolluar rrugët që kryqëzoheshin në Sarandë sipas studjuesit të saj Gjerak Karaiskaj. Fortesa ka planimetri katrore me përmasa 42x44 m dhe dy kulla të rrumbullakta në anën Jug-perëndim dhe Jug-lindje, si dhe një kullë në formë drejtëkëndëshi në murin perëndimor.

Kalaja e kanalit të Vivarit

Ndodhet në bregun e majtë të kanalit të Vivarit, përballë hyrjes për në qytetin antik të Butrintit. Ajo ka formë trekëndëshi dhe në të tria qoshet është e paisur me kulla të rrumbullakta (Gj.Karaiskaj. Butrinti… fq.102). Në pjesën e brendëshme kalaja ka një sërë banesash, që i përkisnin garnizonit, të vendosura në anën perëndimore, e cila është dhe brinja me e shkurtër. Ajo është e gjatë 40 m kundrejt dy të tjerave që janë përkatësisht 50 dhe 51.5 m. Kalaja mendohet të jetë ndërtuar nga anzhuinët dhe më vonë ajo i është nënshtruar rindërtimeve të ndryshme.
    Pas rënies së Pashallëkut të Janinës në vitin 1821 të dy kështjellat së bashku me atë të Butrintit u braktisën, duke u shndërruar në një vend të braktisur. U desh ardhja e Luixhi Ugolinit në vitin 1926 që të zbulonte Butrintin dhe ta nxirrte atë nga harresa mëse 100-vjeçare.

Xara

Është një nga vendbanimet më të vjetra ku është shfaqur veprimtaria njerëzore në Shqipëri, njëlloj si në Gajtan në Shkodër dhe Kryegjata në Fier. Ajo ndodhet 8 km në jug të Butrintit (A.Trushaj, Kaonia, 2007, fq.28) fare pranë bregdetit dhe i përket periudhës së Paleolitit të mesëm dhe të vonë. Banorët prehistorike të Xarës i përkisnin tipit të njeriut të Neandërtalit që ka jetuar 40 000 vjet më parë. Këta njerëz jetonin me produkte që i siguronin nga gjuetia, përshkrimi dhe natyra. Kjo gjë dëshmohet nga objektet e gurit të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike.

Shpella e Kërçmoit

Ndodhet pranë Konispolit. Ajo përbëhet nga një zgavër në formë piramide dhe përbëhet nga një galeri prej 130 m e cila është banuar që nga neoliti i vonë e deri në neolit. (Iliria 1996, I-2, fq 188) kjo dëshmohet nga objektet arkeologjike të gjetura në të si vegla guri, qeramike, etj.

Kështjella në grykën e kanalit të Vivarit

Pasi pushtoi Butrintin në vitin 1799 Ali Pashë Tepelena ndërrmori punime fortifikuese në të gjithë periferinë e tij. Ai ndërtoi kalanë në derdhje të Vivarit dhe rindërtoi kalatë e Butrintit, kalanë trekëndëshe, kalanë e Mahallasë, etj.
    Kalaja në derdhje të Vivarit u ndërtua (Gj. Karaiskaj, Butrinti dhe fortifikimet e tij. Tirane 1984, fq.128), në vitet 1807-1808 për tu mbrojtur nga Francezët që ishin vendosur në Korfuz dhe ishujt e Jonit. Kështjella ka formë katerkëndëshi me përmasa 22x30 m. Ajo është paisur me katër kulla, dy prej të cilave janë të rrumbullakta, kurse dy të tjerat janë në formë drejtëkëndëshi. Kalaja është e paisur me frëngji topash të cilët kishin si specifikë të ndalonin ndonjë zbarkim të mundshëm nëpërmjet Vivarit për në Butrint.

Kaonia

Në antikitet Saranda e sotme përfshihej në trevën e kaonisë e cila në vetvete ishte njëra nga pjesët përbërëse të Epirit antik. Kaonia kishte si kufi verior mallet e Llogarasë (Akrokeraunët) dhe rrjedhën e mesme të lumit Vjosa.
    Me një shtrirje përgjatë bregdetit Jonian territori i saj arrinte deri në lumin Kalamas në jug, prej nga ndahej nga krahina tjetër e Epirit, Thesprotia. Kaonët përbënin një prej 14 bashkësive fisnore që popullonin këtë rajon, së bashku me Mollosës dhe Thesprotët ata luajtën rolin kryesor në formimin e shtetit të Epirit në shekullin e V p.k. Autorët antikë japin të dhëna të shumta mbi Kaonët. Të tillë mund të përmendim Tuqiditin, Skylaksin, Polibin, Strabonin, Ptolemeun, Tit Livin, Plinin, Aristotelin, Varronin, Elionin, Hesiodin, Stefan Bizantinin, etj.
    Ndërmjet të tjerëve mund të veçojmë Hesiodin, i cili flet për fushat, kullotat dhe tufat e mëdha të bagëtive, si dhe Tuqiditi që i përmend Kaonët si pjesëmarrës në luftën e Peloponezit (Ilirët dhe Iliria te autorët antikë).
    Gjatë historisë së shtetit të Epirit Kaonët janë pjesë e strukturave të tij gjatë periudhës së shekujve V p.k - II p.k, në të tria fazat si: Lidhjen Molose, Aleancën Epirote dhe veçanërisht tek Republika kur qyteti i Foinikës do të jetë kryeqytet gjatë shekujve III-II p.k. (Historia e popullit Shqiptar).
    Si qytete kryesore të Kaonisë përmenden Butrinti, Foinike, Onhezmi, Panormusi, Antigonea, Pasaroni, etj. Në vitin 167 p.k Kaonia u pushtua nga Roma për tu përfshirë në provincën e Maqedonisë.
    Në këtë territor kanë gjalluar personazhe të famshëm të historisë antike si Pirroja i Epirit, Ajakidët Molosë, Mbretëresha Teuta, Filipi i V-të i Maqedonisë, Konsulli romak Paul Emili, etj.
    Në Kaoninë antike kryqëzoheshin një sërë rrugësh tokësore sipas tabelës së Peuntingerit (Tabula Peuntigeriana), e cila është kopje e një harte romake rrugësh, ku një nga akset kryesore ishte ai: Apoloni-Aulonë-Orik-Himera-Portus Ponormus (Porto Palermo)- Finiq-Butrint. Ndërsa një nga rrugët kryesore detare ishte ajo Durrës-Sazan-Butrint, e cila vazhdonte më tej drejt Korintit. Transporti detar favorizohej nga skelat e shumta përgjatë bregdetit Jonian si Himera, Ponormusi, Onhezmi, Buthroti.

Kisha e Shën Kollit Mesopotam

Kisha e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam është kisha më e madhe bizantine që ndodhet në territorin e Shqipërisë. Origjinaliteti i saj i veçantë në stilin arkitektonik dhe vlerat historike e bëjnë atë një nga objektet e kultit më me vlera kulturore. Studimin më të plotë rreth këtij manastiri e ka bërë Prof.Dr. Aleksandër Meksi, një nga njohësit më të mirë të arkitekturës mesjetare shqiptare.
    Manastiri i Shën Kollit është ndërtuar mbi një kodër të vogël në lindje të qytetit të Sarandës, në fshatin Mesopotam. Nga vetë origjina e emrit e huazuar nga greqishtja ku Mesopotam do të thotë vend midis lumenjve.
    Manastiri i cili mendohet se është ndërtuar nga Perandori Bizantin Kostandin Monomaku në shekullin e XI, është i tipit të Fortifikuar. Ai rrethohej nga një mur në formë drejtëkëndëshi me përmasa 80x150m, (A.Meksi, Arkitektura mesjetare shqiptare, Tirane 1983, fq.184).
    Muri ishte i ndërtuar me gurë dhe kishte gjithsej shtatë kulla mbrojtjeje. Në këtë ansambël konakët ku banonin murgjit ishin të vendosur në anën veriore, kurse kisha e Shën Kollit në anën jugore të tij.
    Kisha ka formën e një kubi dhe mbulohet nga katër kupola. Ajo përbëhet nga Naosi, Narteksi, Altari dhe rrënojat e një portiku që dikur qarkonte këtë tempull. Muret janë ndërtuar me gurë, tulla të lidhur me llaç ndërsa nuk mungojnë edhe afresket dhe mozaikët.
    Në brezin e poshtëm të mureve janë gdhendur në formë relievësh një sërë zbukurimesh që paraqitin luanë, shqiponja, dragonj si dhe zambakët simbolë të anzhuinëve francezë.

Kalaja e Butrintit

Ka formën e një pesëkëndëshi (pentagoni) dhe është ndërtuar nga Despoti i Epirit Mihali II-të, së bashku me kalanë trenkëndore të Vivarit. (Gj. Karaiskaj, Butrinti, fq.221). Më pas ajo i është nënshtruar rindërtimeve turke dhe Veneciane.
    Kalaja është e paisur me bedena dhe përveç ambienteve të brendshme ajo është e paisur edhe me një kryekullë, e cila përdorej për qëllime vëzhgimi. Fortesa është ngritur në ish akropolin e Butrintit, i cili ndodhej një kodër e cila futet në liqen në formë gadishulli. Në kala ndodhet edhe muzeu arkeologjik i cili mbart në vetvete një pjesë të vlerave arkeologjike të Butrintit.

Ugolini

Luixhi Maria Ugolini ishte arkeologu i cili kryesoi misionin arkeologjik Italian që nisi punën në Sarandë në vitin 1925. I bazuar tek burimet antike ai kreu gërmimet e para në Foinike 1925-1928 dhe Butrint 1926-1936. Në Foinike Ugolini zbuloi teatrin, akropolin, theusaurusin, muret rrethuese. Megjithëse rezultatet ishin spektakolare Ugolini e braktisi Foiniken dhe nisi punën në Butrint, i cili i përshtatej ideologjisë dhe politikës fashiste të evokimit të historisë së Romës. Në Butrint gjatë eksodit të tij drejt Italisë ishte ndalur Enea dhe Trojanët e tij. Gjithashtu në Butrint kishte ekzistuar një koloni romake, ku romakë të pasur si: Pompon Atiku kishin ngritur vila pushimi në periferi të tij.
    Zbulimet e Ugolinit në Butrint përfshinin teatrin, tempullin e Eskuilapit (Asklepit), portikun, temenosin, bazilikën, agoranë, baptistelin, ujësjellësin, banjat, muret dhe disa banesa të tjera. Ugolini pagëzoi edhe portën lindore që të çonte drejt akropolin me emrin Skea, ashtu siç quhej një nga portat e Trojës. Midis skulpturave që zbuloi ai u "dashurua" pas shtatores së një gruaje të re, të cilën ai e cilësoi si një Apolon femëror i shkollës së Praksitelit, skulptorit të famshëm grek. Ugolini e veçoi kokën nga trupi dhe e pagëzoi me emrin Dea e Butrintit. Pasi e paketoi fshehurazi ai e nisi atë në Itali, duke shkelur marrëveshjen e bërë me ministrinë e arsimit dhe të kulturës që të gjitha objektet e zbuluara do ti dorëzoheshin palës shqiptare.
    Koka e Deas u bllokua në portin e Durrësit dhe Mbreti Zog për të mos i dhënë shkas një skandali Diplomatik ja dhuroi Dean, Musolinit.
    Në vitin 1984 koka e Deas u rikthye në Shqipëri dhe qëndron sot tek pavioni i antikitetit në Muzeun historik kombëtar në Tirane.
    Ugolini vdiq në vitin 1936 i sëmurë nga malarja në Butrint. Pas vdekjes u botuan tre veprat e tij: Miti i Eneas, gërmimet, akropoli i Butrintit, të cilat i kushtohen veprimtarisë së tij në Butrint.

Finiqi

Parku arkeologjik i Finiqit gjendet në rrethin e Delvinës, mbi shpatet e një kodre, me pamje nga fushëgropa me të njëjtin emër.
    Foinike u themelua diku rreth shekullit të V p.k. dhe jetoi deri në antikitetin e vonë, në periudhën e mbretërimit të Justinianit. Ndër autorët antikë që kanë shkruar për Foiniken mund të përmendim: Strabonin, Ptolemeun, Tit Livin, Polibin, Stefan Bizantinin, etj.
    Ashtu si shumica e qyteteve të Ilirisë dhe Epirit edhe origjina e themelimit të qytetit ishte e veshur nga një sërë legjendash ku njëra prej së cilave tregon se: "Qyteti u themelua mbreti Kalia, i cili i vendosi atij emrin e të atit, Foenik". Ndërsa Polibi thekson se Foinike ishte më i pasuri më i fuqishmi dhe më i fortifikuari i Epirit. Këtë gjë e dëshmojnë edhe rrënojat antike që kanë dalë në dritë nga gërmimet arkeologjike, të cilat për herë të parë nisën në vitin 1926 nga Luixhi Ugolini për të vazhduar deri në ditët tona.
    Nga gërmimet kanë dalë në dritë rrënojat e një akropoli, teatri, nekropoli, disa banesa, muret rrethuese, disa stërna uji, dhe të një agoraje.
    Qyteti i Foinikës kishte një sipërfaqe prej 57 ha dhe një arkitekturë katërkëndëshe (N.Ceka, Ilirët, fq.77-78).
    Rëndësinë më të madhe Foinike e arriti në fazën e fundit të shtetit të Epirit, kur gjatë periudhës së Republikës ajo ishte edhe kryeqytet në vitet 134 p.k-167 p.k.
    Gjatë pushtimit romak (167 p.k-395) Foinike e ruajti për një kohë të gjatë Statusin e Civitatit, qytetit aleat. Si të gjitha qytetet e Ilirisë dhe Epirit edhe ajo u shkatërrua nga sulmet barbare të gotëve. Prokopi i Çezaresë e përmend Foinikën në listën e ndërtimeve që bëri Perandori Bizantin Justinian në provincën e Epirit të vjetër. Kjo ishte periudha e fundit të shkëlqimit të Foinikës si qendër peshkopale, ku peshkopi i saj Peregrinus merr pjesë në koncilet ekumenike të Efesit dhe Kalcedonit në vitet 431 dhe 451. Më vonë qyteti u braktis duke u shtrirë drejt fushës dhe u shndërrua duke e humbur rëndësinë në një fshat.