Ilirjan Gjika

"Atje ku Fieri çelej me sy nga mali e ku këmbanorja e Shën Gjergjit dilte si gisht përpjetë përmes mjegullës së parë që rëndonte mbi kurrizin e qytetit". Kështu shkruante vite më parë për qytetin e tij të dashur, Fierin shkrimtari Jakov Xoxa, një nga përfaqësuesit me zë të prozës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, i cilësuar si një shkrimtar i dashur, i bindshëm, që ka pasur ç’ti ofrojë lexuesit (Sh. Islamaj, Tema 11 Gusht 2006), Xoxa dhe vepra kryesore e tij "Lumi i vdekur" është vlerësuar si një nga monumentet gjuhësore të shqipes.
    Njëkohësisht sot ne konstatojmë se: E gjithë vepra e Xoxës përfshirë edhe romanin Lumi i vdekur, përbën një nga monumentet e historisë së qytetit të Fierit. N.q.se do ti bëjnë një vëzhgim tangencial krijimtarisë së tij, do të vëmë re se: ngjarjet që zhvillohen në këtë qytet dhe personazhet që gjallojnë aty, janë reale, të cilët sot gjenden vetëm po të gërmosh në kujtesën e më të moshuarve. Në tekstin e "Historisë dhe Letërsisë Shqiptare", që zhvillohet në vitin e katërt të shkollës së mesme, autori Shaban Sinani citon se : J.Xoxa zhvilloi një prozë të gjatë analitike, duke qëndruar besnikërisht të njëjtit mjedis Myzeqesë, në tri kohë të ndryshme në: para, gjatë dhe pas luftës antifashiste, tek të tre Romanët e tij si: "Lumi i Vdekur" botuar në 1964; "Juga e Bardhë", botuar në vitin 1971 dhe "Lulja e kripës", botuar në vitin 1980 ndriçuar me subjektet e tyre në botën shqiptare dhe fshatin Myzeqar.
    Është interesant fakti që Shaban Sinani citon përsëri këtu (Letërsia dhe gjuha shqipe 2007. fq.268) se: Xoxa periudhën e fundit të jetës e kaloi në vetmi, ku zgjodhi si mjedis të krijimtarisë së tij Apoloninë. Jeta e mënanjuar nga Kryeqyteti, kultura filologjike dhe mjedisi tradicional i Myzeqesë lanë gjurmë të forta në ligjërimin e tij letrar, në pikëpamjen gjuhësore estetike dhe etnografike.
    Krijimtaria e mirëfilltë e Xoxës nis me ciklin novella, por ajo që na intereson shumë është novella:"Tre pleqtë dhe Mihali katër", që është pjesë e vëllimit: "Novela" të cilën autori e botoi në vitin 1958. Subjekti i saj flet për tre pleq nga Fieri, të cilët nisen nga qyteti i tyre për në Plyk, një fshat në jug-lindje të qytetit, për të çuar ushqime partizanëve. Meqënëse në Fier ishte vendosur shtetrrethimi ata vendosin që të kalojnë në shtigje të vështira përmes kënetës së Sheqit, për të dalë në Kishën e Shën Markut në Grizë dhe për të vazhduar më tej, drejt Lalarit, Krapsit, duke mbërritur në Plyk, tek baza partizane. Rrugës tre pleqtë: Xha Miti, Ganiu, Gor Kasapi dhe i biri Mihali hasin peripeci të ndryshme, të cilat i kalojnë me zgjuarsi. Ndërkohë frazeologjia që përdor autori si: Ura mbi lumë, Barangat e mullirit, Gjanica, etj nuk janë gjë tjetër veçse, Gjanica, lumi që përshkron qytetin e Fierit, Ura e kishës përmbi të, Mulliri i Beut që ndodhej aty pranë dhe kisha katedrale e Shën Gjergjit me këmbanoren e saj. Këtu Jakov Xoxa shpreh me mjeshtërinë e penës së tij edhe shqetësimin e priftit të Fierit për të hedhur ditën në 6 Janar, ditës së ujit të bekuar, kryqin mbi lumë. Por gjermanët e kishin bllokuar urën, duke vendosur aty një postbllok. Kështu prifti vendosi ta hidhte kryqin në Gjanicë tek Ura tjetër, ose siç shprehet autori, tek Ura e Jonuzit, e cila është ura me shkallë. Ajo quhej kështu sepse ishte ndërtuar me porosi të tregtarëve fierakë në vitin 1935 nga Usta Jonuzi. Ndërkohë toponime të tjera që ndeshim në këtë novelë janë kasapana (thertorja) që ndodhej pranë Gjanicës, Mbyeti, fshat pranë Fierit, Kisha e Shën Kollit në Mbyet, e cila ekziston edhe sot, kisha e Shën Markut në Grizë, etj.
    "Kurorat e Masar beut" është një tjetër Novelë ku personazhi i saj Masar beu, i biri i Galip Pashës, ishte një njeri i njohur në Fier dhe politikën shqiptare të viteve 1920-1944. Pas personazhit të Masarit fshihet Qemal bej Vrioni, i cili siç e shpreh autori u bë zyrtar në kohën e Turqisë, kur erdhi Italia dhe kur ndodhi pushtimi Gjerman. Xoxa e quan Masarin: "Pasha i vogël", sepse me të drejtë dega e familjes Vrioni në Fier mbante titullin e vjetër turk Pasha (i nderuar). Gjithashtu në këtë novelë gjejmë frazën: "Masar beu i doli përpara ushtrisë Italiane dhe një ditë u gdhi minister". Në këtë rast Xoxa tregon lidhjet reale që kishte me Italianët Qemal Vrioni, i cili në periudhën e okupacionit u bë deputet dhe kreu edhe disa detyra të tjera të rëndësishme si: Drejtor i gazetës qeveritare "Tomori" dhe Ministër i financave në një nga qeveritë Kuislinge të kësaj periudhe. Karrierën e këtij njeriu Jakov Xoxa e perifrazon kështu në gojën e njerit prej personazheve të kësaj novele: -Jo mor bej jo! Se mos pive një e në dy, po në katër sisa bashkë. Pive në të Turqisë (Qemali kish qenë nënpunës në administratën osmane), pive në të Shqipërisë, (Qemal Vrioni kishte qenë deputet në Parlamentin shqiptar që nga Kongresi i Lushnjes), Pive në të Italisë…".
    Nuk dihet se përse Jakov Xoxa i referohej këtij personi, duke e bërë personazh të krijimtarisë së tij, ku ai e përmend edhe në krijime të tjera me emrat: Qemal bej Gjungëza, tek novella "Ai që tallej me urinë e tjetrit", apo Suat bej Vërdhoma tek "Lumi i vdekur". Ndërkohë që ne mund të themi se personazhet negative realizmi socialist i merrte pikërisht nga ato që ai i quante regjimet antipopullore, ku si e tillë ishte etiketuar nga lufta e dikurshme e klasave në regjimin komunist edhe familja Vrioni. Ndoshta J.Xoxa mund të ketë patur edhe ndonjë ndikim tjetër, sepse dihet shumë mirë nga historia e Fierit konflikti i dikurshëm që kishte pasur familja e Xoxës me Vrionasit për një çështje pronësie në Fshatin Radostinë, ku ishin përdorur edhe armët. Pavarësisht nga etiketimi i Xoxës, familja Vrioni vlerësohet nga historia si themeluese e qytetit të Fierit. Siç përmendet edhe në shkrimet e historianëve të ndryshëm ajo ka kontribute në Historinë e Shqipërisë. Mund të përmendim faktin se në shtëpinë e tyre në Fier u strehua Ismail Qemali, arkitekti i Pavarësisë së Shqipërisë gjatë udhëtimit të tij historik drejt Vlorës.
    Ndërkohë vepra më përfaqësuese e Xoxës për Fierin dhe rrethinat e tij është vepra e jetës së tij romani: "Lumi i vdekur". Këtë roman autori e botoi për herë të parë në vitin 1964, kurse subjektin e tij e vendos në vitin 1938, duke e nisur fillimin e veprimit në fshatin Grizë, që sot nuk ekziston me vendin e quajtur kthesa e Patosit. Edhe sot aty ku ndahet rruga automobolistike Fier-Berat nga Fier-Patos ndodhet kisha e Shën Markut që autori e përshkruan në veprën e tij. Po kështu ai tregon në talentin e tij sesi nis shtegtimi i familjes së Pilo Shpiragut drejt Fierit, ku gjatë rrugës gratë e Shpiragajve shkojnë në Kishën e Shën Kollit në Mbyet, ku takohen me gratë e Çukollarëve dhe Papuçinjve, dy prej familjeve më të vjetra të qytetit të Fierit. Më pas në udhëtimin e karvanit të qerres së Ikanakëve dalin Kisha e Shën Gjergjit, Ura e Kishës, Gjanica dhe më në fund Hani i Bishtanakës. Ai sipas autorit Xoxa ishte hapur nga 3 ortakët, ish emigrantë në Amerikë si: Vëllezërit Gjanica dhe Lako Zhullapi. Ndërkohë që këta tre personazhe kanë qenë tre persona realë në qytetin e Fierit si: vëllezërit Papai dhe tregtari L.Shallapi. Po kështu tek kapitulli i parë i "Lumit të vdekur" J.Xoxa, bën një analizë të hollë historike të ngjarjeve të zhvilluara në Fier në vitet 1920-1930. Midis të tjerave ai thekson ngjarjet e vitit 1924 kur tregtarët e Fierit u ngritën kundër Vrionasve, përfapërfaqësuesin e të cilëve Beun Vrionas ai e quan në libër "Suat bej Vërdhoma".
    Në mënyrë artistike shpjegohet këmbëngulja e tregtarëve të cilën duke u mbështetur edhe nga qeveria e Fan Nolit vendosin të ngrejnë një treg të ri në Bishtanakë, ku lind edhe lagja e sotme e qytetit "Liri". Konflikti i Qemal Bej Vrioni me tregtarët njihet mirë në histori. Këtë akt Xoxa e përshkruan edhe tek shkrimi qindvjetori i një qyteti, botuar tek gazeta Drita në 17 Mars 1963. Ngjarjet që në mënyrë artistike ai i përshkruan tek "Lumi i Vdekur", i citon në mënyrë publicistike kështu "Qeveria Demokratike e Fan Nolit, për t’ju përgjigjur aspiratave të borgjezisë së vogël tregtare të këtij qyteti, e transferoi pazarin nga tregu i vjetër i Vrionasve në tokat e Bishtanakës, që ishin truall shtetëror dhe lëshoi lejet për ngritjen e dyqaneve të Pazarit të ardhshëm. Vrionasit ju përgjigjen kësaj mase me gjak. Futën njerëz dhe vranë Soto Baren, të parin që ngriti dyqan në tregun e ri. Pas ardhjes së Zogut pazari u kthye në tregun e vjetër. Kështu kjo histori e vërtetë vazhdon në një tjetër formë, tek ‘’Lumi i vdekur’’, ku Xoxa tregon se fillimisht për të penguar pazarakët të ktheheshin tek tregu i vjetër Suat Bej Vërdhoma urdhëroi njerëzit e vet të zinin katër rrugët kryesore të Fierit si: Urën e Kishës, Qimitirion, (varrezat e vjetra), Vaun e arrës (Sheq i madh) dhe shtegun tek shoqëria anglo – persiane (rrugën e Semanit).
    Gjithashtu në vitin 1924 sipas Xoxës u ngrit edhe Hani i Bishtanakës nga tre ortakët që ishin kthyer nga emigracioni në Sh.B.A, fakt i vërtetë në Fier, ku një pjesë e borgjezise tregtare-industriale që u krijua në vitet 1920-1930, e patën fillesën nga kapitalet e grumbulluara pikërisht nga emigracioni përtej oqeanit. Pikërisht në këtë Han takohet familja e Pilo Shpiragut me familjen e emigrantit kosovar Sulejman Tafilit, i cili ishte ndjekur nga politika serbe shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve në Kosovë. Xoxa në këtë rast na sjell një tjetër histori. Atë të vendosjes në Fier të komunitetit kosovar, familjet e të cilëve erdhën midis viteve 1926-1938, të përndjekur nga politika e mbrapshtë e Jugosllavisë. Sot në Fier jetojnë pasardhësit e këtij migracioni politik, të cilët janë integruar shumë mirë në jetën ekonomike dhe shoqërore, duke u bërë protagonistë në të gjitha zhvillimet.
    Këtu nis edhe dashuria e djaloshit Kosovar Adilit me Myzeqaren e bukur Vitën, e vila përshkruan gjithë romanin që nga kapitulli i parë e deri në fund. Adili dhe Vita janë dy personazhe reale, historia e vërtetë e të cilëve u shpreh nga Xox në këtë vepër letrare. Për arsye etike ne nuk po i përmendim emrat e tyre por një pjesë e lexuesit do ti shkojë mendja se cilët janë këta njerëz që jetuan gjatë shekullit të kaluar në Fier.
    Jakov Xoxa u mor edhe me shkrime publicistike, të cilat i botoi në organe të ndryshme të shtypit të kohës si: "Zëri i Popullit", "Zëri i Rinisë", "Drita", "Ylli", etj. Në njërin prej tyre të titulluar: "Qindvjetori i një qyteti", botuar në 17 Mars të vitit 1963 në gazetën Drita, Xoxa merr rolin e historianit, kur shkruan midis të tjerave se: "Ky qytet, si rrallë qëndra banimi të ngritura në kohën e Turqisë, është ndërtuar jo rreth ndonjë xhamie, po në vendin e një tregu të gjesë gjallë. Që këtej ka mbetur edhe emri Fier nga Fiera, Panair.
    Mjaftoi ky përcaktim subjektiv i shkrimtarit, i cili ju erdhi për shtat shumë fierakëve, të cilëve origjina e Fierit si qendër tregtare e përmendur ja: "guduliste" sedrën e tyre qytetare. Ai ju, dukej atyre më i modes, se përcaktimi tjetër që: emri i tij vinte nga një bimë Fieri, ashtu si shumica e fshatrave të tjerë përreth. Kaq mjaftoi. Xoxa në këtë rast "goditi në shenjë", sepse kjo teze u mbështet nga dy intelektualë fierakë, studjues serioz dhe me reputacion. i pari ishte Perikli Ikonomi, i cili e përmendi këtë gjë tek libri i tij "Historiku i qytetit të Fierit", botuar në vitin 1957, ndërsa i dyti ishte Historiani dhe Poeti Hysen Emiri, që i përmbahej edhe ai këtij "argumenti" tek libri i tij "Historia e Fierit" botuar në vitin 2001. Kështu pas 45 vjetësh teza e shprehur nga Xoxa, është akoma në fuqi dhe ka bërë pas vetes fansa të shumtë, si dhe trashëgimnia letrare e shkrimtarit, të cilën ja kushtoi qytetit të tij Fierit, dhe rrethinave të tij.