Ilirjan Gjika

                                                    Një historik i shkurtër i kësaj shkence në Fier

Qysh nga viti 2005, Apolonia kjo qendër arkeologjike e Shqipërisë funksionon si park arkeologjik kombëtar, dhe është i hapur për tu vizituar nga turistë vendas dhe të huaj.
    Ndërkohë që çdo verë aty zhvillohen ekspedita arkeologjike, të cilat së bashku me muzeun dhe Manastirin mesjetar, krijojnë të gjitha kushtet, që në këtë "qytet antik" të zhvillohet një turizëm i mirëfilltë kulturor dhe historik, ku karakterin shlodhës të të cilit ja shton edhe natyra e bukur e peisazhit përreth. E çdonjëri prej atyre që vjen këtu për herë të parë, ose për të disajtën herë, nuk mund ti shkojë mendja, sesi kanë qenë monumentet e Apolonisë, atëherë kur kazma e arkeologut nuk kishte nisur të trokiste në tokë. Pikërisht këtë fakt do të trajtojmë për ju të nderuar lexues në këtë shkrim të sotëm me objekt historikun e zhvillimit të arkeologjisë në Apoloni
    Ashtu e braktisur dhe në gjendjen e një qëndre manastiriale Apolonia ngacmonte vetëm vëmendjen e njerëzve të apasionuar ndaj arkeologjisë, mbledhësve të thesareve dhe të atyre që mblidhnin gurë rrënojash për ndërtime. Misionarët e parë më shumë u kujdesën për përshkrime dhe mbledhje vlerash arkeologjike sesa për të kryer studime kulturore. Në vitin 1806 Apolonia u vizitua nga zëvendës konsulli francez i Janinës Fransua Pukëvil. Gjithçka që pa si: gërmadha, relieve, relike e monedha ai i përshkroi në librin e tij: "Udhëtim rreth Greqisë", botuar disa vite më vonë në Paris në vitin 1821.
    Po këtë vit konsulli tjetër në Janinë Anglezi Uilliam Martin Lik vizitoi Apoloninë. Ashtu si Pukevili edhe ai e përshkroi atë që pa në librin e tij: "Udhëtim në Greqinë e veriut", botuar në Londër në vitin 1835.
    Në vitin 1859 në Apoloni erdhi anëtari I shkollës arkeologjike franceze të Athinës Klod de Klabri. Ai mundi të merrte nga manastiri i Apolonisë një tors të cilin e dërgoi në muzeun e Luvrit, ku u ekspozua në sallën "TIMBRE" me numër 665. Disa vite më vonë konsulli francez në Korfuz, Andre Grase vizitoi Apoloninë, duke marrë disa objekte, midis të cilave edhe një statujë të perëndeshës romake Viktoria, e cila pati edhe ajo fatin të shkonte drejt Luvrit.
    Në vitin 1861 vjen këtu me mision dijetari Leon Hezej i shoqëruar nga kolegu i tij Henri Dome. Hezej ishte profesor i historisë dhe i arkeologjisë në Akademinë e arteve të bukura në Paris, ndërsa Dome ishte arkitekt, anëtar i akademisë franceze në Romë. Ky grup u dërgua në Apoloni nga Perandori francez Napoleoni i III-të, për të studjuar më gjerë luftimet midis Çezarit dhe Pompeut gjatë luftës civile. Gjatë qëndrimit të tyre në Apoloni Hezej dhe Dome grumbylluan relieve, mbishkrime dhe skulptura, të cilat me shumë peripeci i transportuan drejt Luvrit. Përshkrimin e të gjitha studimeve që kryen këta dy autorë i botuan në librin e tyre "Mision arkeologjik në Maqedoni", botuar në Paris në vitin 1876.
    Në vitin 1877 një tjetër misionar kulturor zbret në Apoloni. Ai ishte arkeologu francez Zhileron, i cili ishte i pari që u përpoq të përcaktonte planimetrinë e vendosjes së qytetit antik. Këtë punim të tij ai e botoi me titullin "Udhëtim mes rrënojave të Apolonisë", në revistën e shkollës arkeologjike franceze "Monumentet Greke" që botohej në Athinë.
    Pas gjithë këtyre ecejakeve në vitin 1902 Apoloninë e vizitoi Karl Paç, profesor i universitetit të Vjenës, i specializuar për histori, etnografi dhe arkeologji. Në gërmadhat antike ai bëri vëzhgime sipërfaqësore, të cilat I përshkroi në librin e tij "Sanxhaku i Beratit në Shqipëri" të cilin e botoi në Vjenë në vitin 1904.     Gjatë periudhës së luftës së I-rë botërore pikërisht në vitet 1916-1918 arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober ndërmorrën gërmime në Apoloni. Misioni i tyre ishte organizuar nga Akademia e Shkencave të Vjenës që në bashkëpunim me komandën ushtarake të Austro-Hungarisë, kishte si qëllim gjurmimin arkeologjik të zonave dhe dërgimin e objekteve të tyre në Vjenë.
    Në Apoloni Prashnikeri gërmoi në disa pika të qytetit si në Akropol, banesa, nekropol, murin rrethues, etj. Prashnikeri grumbulloi shumë objekte shumicën e të cilave e mori në Manastirin e Apolonisë dhe në kishat përreth. Këto rezultate të gërmimeve dhe studimeve Prashniker i publikoi në librin e tij "Muzakia dhe Mallakastra", i cili u botua në Vjenë në vitin 1920.

Me krijimin e shtetit shqiptar nisi në Apoloni "era" e gërmimeve të mirëfillta arkeologjike. Në vitet 1924-1939 këtu punoi misioni francez i cili financohej nga Akademia e arteve të bukura dhe shoqëria e arkeologjisë franceze. Misioni drejtohej nga arkeologu Leon Rei i cili gjatë këtyre viteve zhvilloi 15 fushata gërmimesh duke zbuluar nga pluhuri i harresës së shekujve qytetin e dikurshëm. Rezultatet e punës së misionit francez ishin të suksesshme. Kështu në vitin 1924 u zbuluan dy banesa romake. Ndërsa në vitet 1925-1929 doli në dritë portiku i ri. Më 1930 u përcaktua vendodhja e Nekropolit të vjetër në Kryegjatë. Po këtë vit u zbulua godina e Buleterionit, ndërsa në vitin 1932 u zbulua odeoni, biblioteka, një pjesë e mureve rrethuese dhe shumë objekte të rëndësishme. Rezultatet e punës së tij Rei i botoi në revistën Albania, e cila pati gjithsej gjashtë numra. Me një pjesë të këtyre studimeve Leon Rei formuloi disa cikle leksionesh, të cilat i mbarti jo vetëm në disa qytete të shqipërisë, por edhe në Konferenca shkencore të organizuara nga shoqëritë arkeologjike si në Berlin, Drezden, Luven (Belgjikë) etj.
    Me objektet e zbuluara në Apoloni u hap më 8 Tetor 1936 në Vlorë muzeu arkeologjik: "Zogu I". Si ndërtesë e tij shërbeu një pjesë e shtëpisë ku më 28 Nëntor 1912 u ngrit flamuri kombëtar. Ky muze u grabit nga ushtria italiane në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua prej tyre. Autoritetet italiane menjëherë dëbuan nga Apolonia misionin arkeologjik francez të cilin e zëvendësuan me një ekspeditë arkeologjike italiane. Në vitin 1945 Leon Rei tentoi përsëri për tju rikthyer punës që kishte lënë përgjysëm në Apoloni por autoritetet komuniste e ndaluan atë. Kështu në vitin 1941 gërmimet rinisën nën drejtimin e arkeologut Klaudio Sestieri. Rezultati I tyre ishte zbulimi i një gjimnazi, dhe i një pjese të murit rrethues dhe i një dërtese jo larg mureve të manastirit. Zhvillimet e mëtejshme të luftës bënë që Sestieri të largohej nga Shqipëria dhe gërmimet arkeologjike të ndërpriteshin për një periudhë të shkurtër. Ato rinisën pas luftës por në kushte të tjera. Arkeologu i parë shqiptar, i cili u angazhua në gërmimet në Apoloni ishte Hasan Ceka. Ai e nisi punën në vitin 1930 si përfaqësues i Ministrisë Shqiptare të Arsimit dhe Kulturës pranë misionit arkeologjik francez.

Detyra e parë e Cekës ishte që të merrte në dorëzim objektet e zbuluara nga ky mision. Pas luftës së II-të Botërore në vitin 1948 Hasan Ceka rifilloi në Apoloni punën që dikur e kishte lënë përgjysëm me francezët. Tanimë ai nisi të punojë me kolegun tjetër Shqiptar Skënder Anamalin. Të dy së bashku ata punuan në muret rrethuese, në lagjet e qytetit dhe tarracat perëndimore, për të spostuar dherat, rindërtuar monumentet si dhe për të përfunduar gërmimet e zhvilluara më parë. Në vijim të kësaj pune në vitin 1958 Hasan Ceka botoi të parin libër mbi qytetin antik të titulluar: "Apolonia", i cili përmbante një historik të qytetit, të gërmimeve arkeologjike dhe një përshkrim mbi monumentet e zbuluara deri në atë kohë. Në Apoloni Hasan Ceka punoi për rreth 40 vjet, duke përfunduar gërmimet e Reit dhe duke bërë disa zbulime të rëndësishme monumentesh si ishin: Portiku në vitin 1952, muri rrethues, fontana në vitet 1963-1968, muri i Akropolit, etj. Në vitin 1957 ekspeditës së Apolonisë e cila ishte e përhershme ju shtuan edhe arkeologët Selim Islami, Frano Prendi dhe Aleksandra Mano. Dy vjet me radhë (1958-1960) në Apoloni, krahas arkeologëve shqiptarë punuan edhe tetë arkeologë sovietikë, të drejtuar nga Vladimir Bllavatski dhe Irida Borisova.
    Ndihmesa më e madhe e tyre ishte në ngritjen e muzeut arkeologjik i cili u hap në vitin 1958. Po gjatë kësaj kohe u zbuluan edhe një pjesë e murit lindor, tempulli i Dianës, Prytaneoni, banesat D dhe G etj. Ashtu siç e përmendëm më sipër midis arkeologëve punoi edhe arkeologia Aleksandra Mano, e cila ishte e para femër shqiptare në këtë profesion. Do të ishin dy drejtimet e punës së saj në Apoloni: Nekropoli, i cili u gërmua në vitin 1962 dhe Teatri i cilin e zbuloi në verën e vitit 1971 së bashku me të shoqin arkeologun Burhan Dautaj. Aleksandra Mano ishte ndër specialistet që zotëronte mjeshtërinë e leximit dhe dëshifrimit të stampave të qeramikës. Të gjitha studimet e saj për Apoloninë të botuara në revistat shkencore "Iliria" dhe "Monumentet" u botuan në vitin 2006 me titullin "Apolonia e Ilirisë". Së bashku me A.Manon për disa vite punoi edhe Burhan Dautaj i cili përveç teatrit zbuloi edhe rrugën perëndimore që dilte nga qëndra e qytetit. Një tjetër arkeolog që punoi në Apoloni ishte edhe Dhimosten Budina. Ai së bashku me kolegun Frano Prendi e shtriu punën e tij në banesat e periudhës së shekujve të II-III-të. Në njërën prej tyre, në banesën D, Dhimosten Budina zbuloi "Dhomën e Akilit", e cila u quajt kështu për mozaikun që mbarte në dysheme i konsideruar si një nga më të bukurit e zbuluar në Apoloni. Ndërkohë që një ndihmesë të madhe për historinë e qytetit ishte botimi që në vitin 1965 nga Hasan Ceka, Frano Prendi, Selim Islami dhe Skënder Anamali te vëllimit me përkthime :"Ilirët dhe Iliria" tek autorët antikë. Në këtë botim kemi 19 dëshmi të autorëve të vjetër, të cilat bartin të dhëna interesante dhe me vlerë të çmuar për Apoloninë antike.
    Për të dhënë një informacion më të gjerë mbi qendrën arkeologjike të Apolonisë në vitin 1958 në mjediset e manastirit u hap muzeu arkeologjik në të cilin ruhet sot një fond prej 200 objektesh. Si ciceron i tij punoi Pilo Samarxhiu i cili prej 1939 kishte shërbyer si kryepunëtor në misionin arkeologjik francez.
    Në Apoloni punoi për një periudhë të gjatë edhe një nga përfaqësuesit më në zë të arkeologjisë së sotme Shqiptare Neritan Ceka, i cili qysh në moshë të re ishte angazhuar në ekspeditat që organizonte i ati arkeologu Hasasn Ceka. Krahas studimeve të shkëputura të botuara në shtypin e specializuar si në revistat Iliria dhe Monumentet, ai botoi në vitin 1982 librin "Apolonia e Ilirisë". Në të Neritan Ceka përmbledh të gjitha të dhënat e studimeve të kryera nga historia dhe arkeologjia deri në atë kohë mbi Apoloninë. Në vitin 2004 N. Ceka botoi edhe guidën e Apolonisë një botim i cilësuar i përshtatur ndaj kërkesave të kohës.
    Krahas arkeologëve, arkitektëve, etnografëve dhe historianëve në Apoloni punuan për një kohë të gjatë edhe restauratorët: Koço Zheku, Guri Pani, Spiro Koçi, Lazër Papajani, etj. Me punën e tyre u konservuan dhe u restauruan disa monumente, të cilat u bënë të vizitueshme si: fontana, muri dhe Porta e temenosit, portiku, odeoni etj. Në vitin 1976 u ringrit me një punë të jashtëzakonshme fasada e Buleterionit, simbolit të qytetit të Apolonisë, që në të vërtetë është një vepër e arrirë arkitektonike. Ndërkohë që pas ndërrimit të sistemit edhe për arkeologjinë u krijuan kushte të reja. Kështu pas përpjekjeve të shumta. Në vitin 1992 u themelua nga arkeologët Pier Kaban (studjues i antikitetit) dhe Neritan Ceka, misioni arkeologjik shqiptaro-francez, i financuar nga Ministria e Jashtme Franceze dhe Instituti arkeologjik i Tiranës. Ai kishte si qëllim ndërmarrjen e gërmimeve të reja në Apoloni dhe studimin e monumenteve antike të qytetit, që nga periudha arkaike e deri tek ajo mesjetare dhe botimin e tyre. Në këtë mision u përfshi edhe bërthama arkeologjike e Fierit së bashku me arkeologët e saj si: Bashkim Vreka, Lami Koço, Vangjel Dimo, Skënder Muçaj etj. Ndërsa nga pala franceze merrnin pjesë: J. Lamboleu (Drejtori francez), F. Quantin, M. Fenet, C. Baladier, Ph. Lenhardt, etj. Nga veprimtaria e programeve të misionit Shqiptaro-Francez mund të përmendim: llogaritjen e sipërfaqes së qytetit prej 100 ha, zbulimin e rrugës që të çonte midis dy kodrave në akropol, përgjatë së cilës u gjetën: gjurmë ndërtimesh të ndryshme si një banesë, disa magazina, trakte muresh, një tempull, etj. Ndërkohë që një nga programet e studimeve të misionit shqiptaro-francez do të ishte edhe publikimi i Atlasit arkeologjik të Apolonisë, një përmbledhje e të gjitha rezultateve të gërmimeve që nga shekulli i XIX e deri në ditët tona.
    Krahas misionit shqiptaro-francez në vitin 1998 në rrethinat e Apolonisë nisi punën edhe ekspedita arkeologjike shqiptaro Amerikane e drejtuar nga Myzafer Korkuti, drejtor i institutit të historisë dhe Xhek Davis, Profesor i Universitetit të Cincinatit (Sh.B.A). Një ndër arritjet e saj ishte zbulimi në Kryegjatë, një qëndre të banuar të paleolitit të mesëm, fakt që e renditi këtë stacion arkeologjik në 3 vendbanimet më të vjetra të Shqipërisë, së bashku me Xarën dhe Gajtanin.

Aktualisht në Apoloni punon misioni francez dhe instituti arkeologjik i cili është përfshirë në gërmimet e një tempulli që ndodhet në pjesën perëndimore të qytetit jashtë mureve të tij.
    Në vitin 1976 u krijua në Fier si pjesë e institutit të arkeologjisë edhe bërthama e arkelogjisë. Për ti dhënë rëndësinë e duhur këtij sektori u transferuan në Fier dy arkeologë me emër si: Myzafer Korkuti dhe Neritan Ceka. Detyra e këtij sektori ishin gërmimet arkeologjike në stacionet kryesore në rrethin e Fierit dhe botimi i studimeve të tyre. Pjesë e këtij sektori u bënë më vonë edhe arkeologët fierakë si Skënder Muçaj, Vangjel Dimo, Lami Koço, Bashkim Vrekaj, si dhe një sërë bashkëpunëtorësh të jashtëm.
    Prof.Dr. Skënder Muçaj ishte një ndër arkeologët më të vjetër të bërthamës arkeologjike. Në Apoloni ai ka marrë pjesë në shumë gërmime por aktiviteti kryesor i tij është zhvilluar në Mallakastër, ku rezultatet e punës së tij kanë qenë vërtet spektakolare. S. Muçaj është zbuluesi i Bazilikave në qytetin antik të Bylisit si dhe autor i shumë studimeve të tjera. Në proçes gërmimi dhe studimi në Apoloni S. Muçaj ka edhe mozaikët e një bazilike paleokristiane që ka dalë së fundi në dritë në krah të Portës së Manastirit të Shën Mërisë.
    As.Prof.Dr. Vangjel Dimo është një tjetër arkeolog e veçanta e të cilit është se Apoloninë e ka si shtëpinë e tij të dytë. V. Dimo është pjesëmarrës në shumë aktivitete si: gërmime, studime, botime. Veprimtaria e tij nisi me zëvendësimin e Pilo Samarxhiut ciceronit të parë të muzeut të Apolonisë, punë të cilën V. Dimo e kryen edhe sot. Aktiviteti i tij studimor është përqëndruar kryesisht tek gërmimet në tuma, murin rrethues dhe banesën Apoloniate. Në vitin 2004 V.Dimo botoi guidën e ilustruar arkeologjike historike "Apolonia Ilirisë". Libri përmbante shpjegime të përgjithshme dhe orientuese për Apoloninë, në gjuhët shqipe, angleze dhe italiane.
    As.Prof.Dr. Bashkim Vrekaj është një pjesëmarrës aktiv në gërmimet arkeologjike që nga viti 1982 në Apoloni. Autor i 24 artikujve shkencore ku 11 prej të cilëve të botuar jashtë vendit, kryesisht në Francë. I specializuar për qeramikën, B.Vrekaj është edhe autor i librit "Apolonia e Ilirisë në Burimet antike", bashkautor i Atlasit arkeologjik të Apolonisë së bashku me Pier Kabar dhe Zhan Luk Lambole, botuar nga shkolla franceze e Romës. Nga viti 1998-2006 B. Vrekaj ishte Drejtor i palës Shqiptare për misionin Shqiptaro-Francez.
    Dr. Lami Koço ishte një tjetër arkeolog që u angazhua në këtë veprimtari në vitin 1985. Ndër zbulimet e veprimtarisë së tij është edhe zbulimi i murit arkaik të qytetit të Apolonisë në vitin 1987, i cili pas botimit në Revistën Iliria, II, 1987, bëri që të ndryshonte mendimi mbi themelimin e qytetit i cili deri atëherë bazohej tek të dhënat që jepte autori antik Stefan Bizantini. Për vitin 588 p.k. Veprimtari të tjera të L. Koços në Apoloni do të ishin gërmimet e kryera në Portën jugore të qytetit, hyrjen në Akropol, hyrjen në sektorin C, etj.
    Së bashku me kolegun V. Dimo, L. Koço botoi në vitin 2005 një mini atlas arkeologjik, i cili prezantonte në formën e një libri xhepi monumentet arkeologjike të Apolonisë.
    Për një periudhë të shkurtër me arkeologji u mor edhe arkeologu Lutfi Derveni, i cili në fillim të viteve 1970 botoi disa studime gërmimesh veçanërisht për kalanë e Margëlliçit.

E ndodhur vetëm 10 km në perëndim të qytetit të Fierit, në Apoloni mund të shkosh shumë lehtë. Vetëm 10-15 minuta udhëtim me makinë nga Fieri. Përmes Myzeqesë së vogël të shfaqen përpara një varg kodrash, në kurriz të të cilave gjendet qyteti antik. Pikërisht këtu ndodhet "miniera" më e pasur dhe më e madhe arkeologjike e Shqipërisë, e cila ruan në vetvete një të njëqindën e asaj që është zbuluar deri më sot, që të duhen veçse 3-4 orë për ta vizituar me sytë e tu. Kjo është Apolonia, ku milionat e copërave të qeramikave të shoqërojnë ngado "hedh" këmbët.