Ilirjan Gjika

Në ditët e sotme disa prej monumenteve më të vjetra të qytetit të fierit si ura e gurtë mbi Gjanicë dhe Kisha e vjetër e Shën Gjergjit nuk ekzistojnë, duke e lënë qytetin pa kujtesë historike. Edhe tregu i vjetër i ndërtuar nga Vrionasit ashtu si dhe tregu i ri janë shkatërruar prej kohësh. Ndërkohë kanë mbetur vetëm disa fotografi dhe disa pasazhe të përshkrimeve të udhëtarëve të huaj. Mania e shkatërrimeve të periudhës së komunizmit në qytetin e Fierit u shoqërua me fushata më masive si në asnjë qytet tjetër. E çmund të ndiesh sot kur lexon Edit Durhamin, e cila qëndrën e vjetër të qytetit tënd e përshkruan kështu: "Fieri është një vendbanim i vogël, pronë e një beu me shumë iniciativë, i cili ka ndërmend ta kthejë në një qëndër tregtare. Ai ka ndërtuar pazarin, ka ngritur godina solide prej guri, me një arkitekturë çuditërisht moderne". (E.Durham, Brenga e Ballkanit, fq.72).

Shën Gjergji

Një nga martirët kryesorë të kristianizmit është edhe Shën Gjergji që festohet në 23 Prill. Kjo figurë u fut në Panteonin Kristian gjatë periudhës së Romës Perandorake kur sundonte Diokliciani, Perandori me origjinën Ilire. Gjatë mesjetës dhe pikërisht në shekullin e XI figura e tij u mistifikua. Sipas legjendës Shën Gjergji vrau dragoin duke shënuar fitoren e së mirës mbi të keqen. Mendohet se kjo legjendë është marrë nga mitologjia Greke, sipas shembullit të mitit të Belorofontit që vret kuçedrën. Shën Gjergji ishte një person real i cili ishte me origjinë nga Provinca romake e Kapadokisë në Azinë e vogël (Gëzim Hoxha, fq.29-39, "Në 2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri"). Për një kohë të gjatë ai shërbeu në ushtrinë romake si ushtarak në Libi dhe Palestinë. Në forcat e armatosura ai u ngrit deri në rangun e strategut. U vra me urdhër të Dioklicianit gjatë persekutimit të të krishterëve në fillim të shekullit të IV.
    Sipas legjendës që i përket shekullit të V (Kliti Kallamata "Ikona" Athinë 1998 fq.116), në Libi jetonte një dragua i tmerrshëm, te i cili banorët i jepnin për ta zbutur fëmijët e tyre njeri pas tjetrit. Kur i erdhi radha një nënë të re të quajtur Elisabeta u shfaq Shën Gjergji i hipur mbi kalë të bardhë. Ai e sulmoi Dragoin duke e goditur me shtizë, ndërsa kali i tij e shkeli me patkonj. Figura e Shën Gjergjit është paraqitur në frontonin e kishës së re e kompozuar në gjininë e mozaikut. Ai paraqitet në aktin final duke i ngulur shtizën dragoit. Figura e Shën Gjergjit nderohet sot nga të dyja kishat, si ajo katolike ashtu edhe nga ajo ortodokse.

Na ishte dikur...

Kisha e vjetër e Shën Gjergjit ishte dikur një nga monumentet më të bukura dhe më të mëdha të rajonit të Myzeqesë. Ajo përbëhej prej 3 nefesh, pagëzimores dhe dy portikëve. Në vitin 1923 në vend të këmbanores së vjetër u ngrit këmbanorja e re.
    Kisha me përmasa 26x20 m u ndërtua në vitin 1782 nga një grup ndërtuesish të drejtuar nga mjeshtri i quajtur Gega. Kjo faltore u ndërtua mbi rrënojat e një kishe më të vjetër të quajtur Shën Mëria, e cila ka ekzistuar ndoshta qysh prej shekullit të XV.
    Tek ky mendim të çon fakti i gjetjes në vitin 1922 (Jakov Milaj Historiku i Fierit, dorëshkrim), gjatë prishjes së varrezave të vjetra të kishës i një guri varri ku ishte gdhendur një shqiponjë e periudhës së Skënderbeut. Kështu ajo pjesë e kishës së Shën Gjergjit që u ngrit mbi faltoren më të vogël të mëparshme vazhdoi të quhej me emrin Shën Mëri. Mbi këtë fakt studjuesi dhe intelektuali i shquar i viteve 1930 Jakov Milaj, hodhi hipotezën se për të mbajtur të gjallë ëndrën e Lirisë dhe figurën e Skënderbeut shumë kishave të Shqipërisë ju konvertua emri, ku nga emërtimet e mëparshme u pagëzuan me emrin e Heroit (Gjergj Kastriotit, Skënderbeut). Kisha nuk i shpëtoi dot furisë së shkatërrimeve të objekteve fetare gjatë vitit 1967. Në vitin 1999 ajo u rindërtua përsëri, duke ruajtur me përafërsi formën e parë të saj.

Mbishkrimet

Si të gjitha kishat pas bizantine edhe mbishkrimet e Shën Gjergjit të Fierit kanë qenë të pakta. Gjithsej ajo mbarte dy mbishkrime. I pari gjendej në pjesën e jashtme të absidës dhe tregonte se në vitin 1782 kishën e kishte ndërtuar qysh nga fillimi kryemjeshtri Gega (Theofan Popa, Mbishkrime të kishave të Shqipërisë, Tirane 1998, fq.108). Mbishkrimi I dytë ishte vendosur në një pllakë të vendosur mbi Portën jugore. Aty gjendej i skalitur emir i mjeshtrit të dytë, që kishte punuar për ndërtimin e kishës, i cili quhej ELAMEN.

Muratura

Kisha ishte ndërtuar me gurë shtufi dhe mermerë të sjellë nga Apolonia. Një pjesë e gurëve të saj ishin skalitur prej mjeshtërve ndërtues. Gurët ishin lidhur me llaç gëlqereje, ku për të shtuar fortësinë e tyre ishin përdorur edhe të verdhat e vezëve, përzier me lesh dhie. Për kupolën janë përdorur tulla të kuqe të lidhura me llaç. Kisha ka qenë e suvatuar nga brenga dhe e paisur me afreske.

Pikturat

Kisha e Shën Gjergjit ishte zbukuruar brenda me afreske të pikturuara nga piktori Grabovar Joan Çetiri në vitin 1782. Familja Çetiri nga Grabova ishte një familje piktorësh që e ushtroi veprimtarinë e saj për një periudhë 142 vjeçare duke filluar nga qysh me piktorine parë Gjergj Prend Çetirin ne vitin 1775 dhe mbaron me nipin e tij Gjergj Nikoll Çetirin në vitin 1866. Piktori më i shquar i kësaj familje piktorësh është Joan Çetiri, i cili sipas klasifikimit të studjuesit Theofan Popa, ka qenë piktori më i mirë gjatë shekullit të XIX në këtë gjini në krejt Ballkanin. Verpimtaria artistike e mjeshtrit Joan Çetiri zgjati gjithsej 21 vjet, që nga 25 Mars i vitit 1792 deri në vitin 1813. Ky piktor e kreu mjeshtërinë e tij në pikturimin e 65 kishave e para perj të cilave ishte kisha e Shën Gjergjit të Fierit. Në krahinën e Myzeqesë Çetirët prej Grabove kanë punuar në kishat e Toshkëzit, Bishqethmit, Krutjes, Kadipashait, Strumit, Vanajt, Karavastasë, Kozarës, Halilajt, Zhamës, dhe Nartës.
    Për kishën e vjetër të Shën Gjergjit ekzistojnë dy studime të pjesshme. I pari është bërë nga Dr. Jakov Milaj në vitet 1930. Dorëshkrimi autentik ndodhet pranë familjes së tij dhe prêt ditën e botimit. Ndërsa studimi i dytë ndodhet i veçuar në dy librat e studjuesit të mirënjohur Theofan Popa. I pari titullohet: "Piktorët mesjetarë shqiptarë", dhe në të jepen disa fotografi të afreskeve të kishës dhe flitet për piktorin e tyre. Ndërkohë që në librin e dytë të titulluar : "Mbishkrime të kishave të Shqipërisë", Theofan Popa boton dy mbishkrimet e mësipërme, që ndodheshin në muret e Shën Gjergjit të vjetër. Gjithashtu në Muzeun e Fierit çdo kureshtar mund të shuajë kureshtjen me ndonjë foto të kishës, që ruhet në arkivin e tij.