Ilirjan Gjika

Në periudhën midis dy luftërave botërore i gjitha vendet e Rajonit të Ballkanit u karakterizuan nga paqëndrushmëri politike dhe lufta për pushtet midis grupeve të ndryshme. Kështu në Greqi ndodhi konflikti i ashpër midis Republikanëve dhe Monarkistëve, që vazhdoi për më shumë se një dekadë. Nga ana tjetër Jugosllavia njohu përplasjet ndëretnike midis grupit Serb dhe atij kroatoslloven. Bullgaria dhe Rumania patën përplasje midis të majtës dhe të djathtës. Ndërsa në Shqipëri situata ndryshonte paksa. Kështu pas paqëndrushmërisë politike të viteve 1920-1924, gjatë së cilës u ndërruan 12 qeveri, si dhe luftës civile të vitit 1924, që ne e quajmë akoma Revolucioni i Qershorit, u vendos stabiliteti politik i viteve 1925-1939, i cili në historinë tonë njihet si periudha e drejtimit politik të Ahmet Zogut. Në këtë etapë për herë të parë në historinë e tij u bë konsolidimi i shtetit shqiptar. Zogu u përpoq ti jepte vendit: rend, paqe, qetësi, stabilitet, orientim perëndimor etj. Arritje të rëndësishme u bënë në disa fusha, ku vendi u pajis me monedhën kombëtare, me një legjislacion bashkëkohor, me administratë efektive, pushtet gjyqësor, arsim fillor falas, lëvizje të lirë brenda dhe jashtë vendit, etj. Në Shqipëri garantohej e drejta e pronës, barazia përpara ligjit, e drejta e besimit fetar, etj.
    Ndërkohë që padyshim ekzistonin edhe probleme si: mungesa e pluralizmit politik dhe demokracisë, etj. Gjithashtu funksiononte një çensurë e rreptë mbi botimet, ku regjimi përndiqte pa mëshirë të gjithë njerëzit që e shfaqnin mendime të kundërta me të. Ndërkohë mungonin strategjitë e qeverive për zhvillimin ekonomik, ku disa probleme kryesore ishin si ai: i tokës, prodhimit të drithërave, fajdeja dhe prapambetja e përgjithshme. Këtyre problemeve i shtohej edhe ekzistenca e një opozite politike jashtë dhe brenda vendit, e cila zhvillonte jo vetëm, një propogandë të fuqishme kundër regjimit, por ndërmerte herë pas here dhe veprime të armatosura si: atentati ndaj Zogut në Vjenë (1931), komploti i organizatës së fshehtë të Vlorës (1931-32), kryengritja e Fierit (1935), dhe kryengritja e Delvinës 1937. Por të gjitha këto nuk e kërcënuan seriozisht stabilitetin politik, megjithëse e kërcënuan rrezikshëm regjimin e kohës.

Deri në vitin 1935 Fieri ishte një qytezë e vogël e Myzeqesë, i cili nuk kishte rolin dhe rëndësinë e sotme ekonomike dhe shoqërore . Do të ishte revolta më serioze ndaj regjimit monarkist, që njihet me emrin Kryengritja e Fierit, ajo që do ta bënte këtë qytet të njohur edhe në gjithë europën e vitit 1935. Vetëm brenda një muaji në këtë qytet të vogël do të zhvilloheshin aq shumë ngjarje të cilat do të trondisnin rendin politik dhe të gjithë opinionin publik shqiptar. Aty do të vritej një gjeneral, do të niste një kryengritje do të shpallej rrëzimi i monarkisë, do të ndërmerrej një sulm i armatosur drejt Tiranës, do të zhvillohej një gjyq politik, do të improvizohej një burg masiv, do të ekzekutoheshin një grup ushtarakësh, dhe ku emërtimi Fier do të ishte termi dhe tema kryesore e rubrikave të shtypit.

Në vitin 1935 Fieri ishte një qytet me 4700 banorë. Ai ishte bashki e kategorisë së dytë dhe nga pikëpamja administrative përbëhej nga 7 lagje si: Belik, Kishë, Bishanak, Pasha, Shkozë, Liri dhe Kastriot.
    Fieri ishte njëkohësisht nënprefekturë në varësi të Prefekturës së Beratit. Në përbërjen e tij futeshin dy krahina si: Rrethi i qëndrës (Fieri) me 71 fshatra me 12 760 banorë dhe krahina e Semanit me 22 fshatra dhe 1940 banorë. Në këto vite në Fier funksiononin njësi shitjeje dhe magazina të mëdha mallrash, të cila i shërbenin një rrjeti të gjerë tregtar. Dhoma e tregtisë së qytetit ishte shumë active. Ajo numëronte 309 zejtarë, tregtare dhe industrialistë, që zhvillonin një aktivitet të fuqishëm ekonomik. Tregtia e jashtme zhvillohej nëpërmjet Skelës së Semanit me vende të tilla si: Italinë, Turqinë dhe Greqinë. Për operacionet tregtare përdoreshin çeqet dhe kambialet Në qytet ushtronin aktivitetin e tyre industrial disa fabrika mielli, vaji, një fabrike sapuni, një fabrike duhan cigaresh dhe disa punishte, njëra prej të cilave prodhonte qese amballazhi për gjithë tregun shqiptar. Rrjeti tregtar përfaqësohej nga 23 kafene dhe pijetore, 5 restorante, 3 hotele, 3 farmaci, 22 dyqane manifakture, 10 mullinj bloje, 20 rrobaqepsi, 2 argjendari, 10 dyqane mishi, dy agjensi transporti etj.
    Dega kryesore e ekonomisë vazhdonte të mbetej bujqësia. Në Fier ekzistonin 37 çifligje shtetërore dhe 40 çifligje private. Mbizotëronte prona e madhe latifondiste mbi tokën dhe niveli i bujqësisë vazhdonte të ishte i prapambetur.

Në këto vite qytetarëve i shërbente një qëndër spitalore prej 3 mjekësh dhe 5 infermierësh, ndërsa në të gjithë nënprefekturën kishte 27 shkolla fillore ku mësonin 2669 nxënës dhe jepnin mësim 55 mësues. Në Fieri ushtronin aktivitetin edhe disa shoqëri sportive, ku ajo më kryesorja Apolonia, organizonte: ndeshje futbolli, basketbolli, gara çiklizmi, hipizmi, etj. Rendi ruhej nga 9 posta të policisë. Në aspektin fetar në të gjithë nënprefekturën ushtronin aktivitetin e tyre fetar: 9 xhami, 7 kisha dhe 4 manastire. Duhet thënë se në vitin 1935 Fieri ashtu si gjithë vendi sapo kishte dalë nga kriza ekonomike botërore, efektet e së cilës në Shqipëri u ndjenë edhë për dy vjet të tjerë. Pasojat e saj i ndienin të gjitha shtresat si: tregtare, zejtare, bujq, punëtore, nëpunës, etj, pakënaqësia e të cilëve shprehej në radhë të parë mbi regjimin.

Në pranverë të vitit 1934 ne Shqiperi ishte formuar "Organizata e Fshehtë" me qendër në Tiranë dhe degë në shumë qytete të Shqipërisë. Ajo ishte një organizatë e formuar nga përfaqësues me formim të ndryshem politik dhe nga shtresa të ndryshme shoqërore. Në të morrën pjesë elementë të tillë si: borgjeze, tregtare, nëpunës, pronarë të mëdhenj tokash, oficerë dhe ish oficere, si dhe njerëz me bindje republikane, nacionaliste dhe komuniste.
    Një pjesë e tyre ishte prekur nga reformat shtetërore të ndërmarra nga regjimi i Zogut. Ata kerkonin përmbysje te tij dhe shpalljen e Shqipërisë republikë. Ndërsa pjesa tjetër e organizates kërkonte qe pasi të merrte pushtetin ti imponohej mbretit, me qellim qe ai të shpallte pluralizmin politik dhe të pengonte ndërhyrjen italiane në Shqipëri.
    "Organizata e Fshehtë" drejtohej nga Ali Shefqet Shkupi, ish oficer i lartë i nxjerrë në lirim. Ky grupim kishte vendosur të realizonte një grusht shteti të kombinuar me një kryengritje të armatosur për të marrë pushtetin. Për këtë qëllim ai ngriti degët e tij në qytete dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë. Policia e shtetit ra në gjurmë të saj në mesin e vitit 1935 dhe kryengritja shpërtheu përpara kohe, duke bërë veprime të nxituara në disa zona. Per shkaqe qe dihen ajo shpërtheu vetëm në Fier dhe Skrapar. Në qytetin e Fierit, nën drejtimin e Kostë Çekrezit dhe Musa Kranjës, nisën veprimet, pikërisht në orën 1500 të datës 14 Gusht. Qysh një ditë më parë, Musa Kranja njoftoi të gjithë fshatrat përrreth se të nesërmen në mëngjes (14 Gusht), të gjithë burrat e aftë për të kryer shërbim ushtarak të grumbulloheshin përpara tregut të qytetit të Fierit. Jo pa qëllim u zgjodh e mërkura e 14 Gushtit, pasi në Fier zhvillohej pazari dhe grumbullimi i njerëzve nuk do të binte në sy. Kryengritja filloi me arrestimin e nënprefektit Hasan Lame, i cili ishte informuar për fillimin e kryengritjes dhe po pregatitej për tu nisur që të informonte Tiranën. Arrestimi i tij u bë nga Musa Kranja, në ambientet e godinës së nënprefekturës.
    Pas këtij akti filloi në sheshin përpara Bashkisë së qytetit mitingu me qytetarët e Fierit dhe fshatarët e ardhur nga Myzeqeja dhe Mallakastra. Fjalimet u mbajtën nga Kostë Çekrezi, Musa Kranja dhe Zenel Hekali. Ky i fundit shpalli përpara popullit fillimin e kryengritjes, kurse Kostë Çekrezi njoftoi pjesëmarrësit se në Tiranë pushteti i Zogut kishte rënë dhe se qeveria e re revolucionare e kishte dërguar atë në Fier si përfaqësues të saj. Musa Kranja në fjalimin e tij ftoi të gjithë të pranishmit të përkrahnin regjimin e ri. Rreth 150 vetë vendosën të përkrahnin "Qeverinë e re" të krijuar në Tiranë. Me ta u bashkuan edhe 11 xhandarët e postës së qytetit që ishin të gatshëm të ndiqnin eprorin e tyre. Ndërkaq kur mitingu ishte në pikën kulmore, rreth 30 metra larg mbërriti me makinën e tij gjenerali Leon De Gilardi, figura e tretë e hierarkisë ushtarake shqiptare, që vinte menjëherë pas mbretit Zog dhe ministrit të luftës, gjeneral Xhemal Aranitasit.
    Gjenerali Gilardi kryesonte një njesi të madhe ushtarake në Berat. Ai rastisi të kalonte përmes Fierit për një vizitë private në Pojan (Manastirin e Apolonisë), dhe pa nga afër se ç’po ndodhte. Një grup kryengritësish e ndaluan pranë ndërtesës së bankës së vjetër dhe pasi këmbyen me të disa replika të shpejta e ekzekutuan menjëherë, pranë mercedesit të tij.
    Pas kësaj ngjarjeje kryengritësit morën masat e para. U shpall shtetrrethimi. U ndalua dalja e makinave jashtë qytetit, u ndërprenë lidhjet telefonike dhe telegrafike me qytetet e tjera etj. Veprime te metejshme per te marre autoritetin ishin dhe krijimi i komisionit administrativ i drejtuar nga Spiro Papa. Ai kishte në përbërjen e tij si anëtarë: Dr. Kostandin Kallogjerin, Dr. Musa Delvinën, Ramiz Omarin, Idriz Bulon, Taqo Bozon, Sotir Bitrin dhe Duran Qadhimin. Për të drejtuar bashkinë u zgjodh drejtues R. Omari. Kurse Komandat i vendit u caktua Hekuran Maneku, i cili krijoi patrullat që do të ruanin qetësinë dhe rendin, në te gjithë qytetin e Fierit dhe rrethinat e tij.
    Në mbrëmje kryengritësit e Fierit dhe Mallakastrës rreth 200 veta, të hipur në kamione, me në krye Kranjën dhe Çekrezin marshuan drejt Lushnjës. Sipas planit ata mendonin që në hyrje të saj të takoheshin me kryengritësit e Beratit dhe Skraparit. Këtu ata u takuan vetëm me kryengritësit e Karbunarës të drejtuar nga Taulla Sinani. Së bashku tentuan të futeshin në Lushnjë, por ndeshën në qëndresën e xhandarmërisë lokale, e cila menjehere i goditi me armë. Të dy palët patën një shkëmbim zjarri që nuk shkaktoi të vrarë. Të dëshpëruar nga qëndresa e forcave qeveritare kryengritësit u tërhoqën me panik duke u shpërndarë në drejtim të Fierit. Tërheqja u bë me pështjellim të plotë dhe pa qëllim rigrupimi.
    Ndërkohë lajmi kishte mbërritur në Tiranë. Qeveria morri masa të menjëhershme ushtarake. Një batalion u nis nga Tirana për në Lushnjë, kurse një tjetër nga Elbasani. Me të mbërritur në Lushnjë komanda e operacionit pa se gjithçka ishte e qetë, ndaj dha urdhër për të marshuar drejt Fierit, ku mendohej se ishte qendra e rrebelimit.
    Në Fier këto forca mbërritën në mëngjesin e datës 15 Gusht pa hasur asnjë lloj rezistence. Sapo dy batalionet e ushtrisë mbërritën në qytet, komanda e tyre shpalli gjendjen e shtetrrethimit, duke marre nën kontroll të gjitha pikat e rëndësishme. U shpërnda komiteti i përkohshëm adminisrativ dhe filluan arrestimet. Gjithashtu nisi veprimtarinë e saj gjykata e posaçme politike.
    Sapo, trupat qeveritare iu afruan Fierit, Kranja, Çekrezi, Zenel Hekali dhe 2–3 persona të tjerë u nisën drejt bregdetit dhe u arratisën në Itali me peshkarexhën italiane: "Due Fratelli" të drejtuar nga Ranjo Nikolo, e cila ishte ankoruar në skelën e Semanit. Kryengritësit e tjerë që u arratisën në periferin e Fierit iu dorëzuan pa përjashtim xhandarmërisë.
    Kryengritja e zuri të papërgatitur shtetin shqiptar, ndaj edhe goditja që ai dha ishte e përcaktuar nga paniku. Ministri i brendshëm Musa Juka, i tërbuar nga shpërthimi i kryengritjes, që u konsiderua si disfatë e tij, mori masa shumë të ashpra policore. Prania ushtarake në Fier arriti në 500 vetë, ndërsa në të gjithë vendin u arrestuan 1500 vetë, kryesisht pjesëtarë të organizatës së fshehtë.

Filluan operacionet ndëshkimore në të gjithë zonën e Fierit dhe Mallakastrës. Komanda e operacionit i telegrafonte çdo 3 orë ministrisë së brendëshme. Paralelisht gjykata e posaçme filloi proceset gjyqësore.
    Kryetari i trupit gjykues ishte Ali Riza Topalli, komandant i operacionit. Anëtarë të tij ishin, majori Hamza Kuçi, kapiten Zef Prenushi dhe gjyqtarët Petro Martini dhe Sadri Faslliu. Prokuror ishte Kiço Bisha, prokuror i përgjithshëm i gjykatës së posaçme kundër krimeve politike. Gjykimi u bë nën një regjim terrrori. Mbi të burgosurit që u vendosën në shkollën e Bishanakës dhe burgun e Durrësit u ushtruan edhe torturat e ndryshme, praktikë e zakonshme e policisë shqiptare.
    Gjyqi u zhvillua në pesë procese në oborrin e shtëpisë së Qemal Vrionit, i cili ishte një nga të arestuarit. U gjykuan 530 persona. Në grupin e parë bënin pjesë 11 xhandarët e postës së Fierit. Pas një seance që zgjati 3 orë, ata u konsideruan fajtorë dhe u pushkatuan menjëherë pranë sheshit te nënprefekturës. Gjykimet e tjera kishin të bënin me elementet civilë që kishin marrë pjesë në kryengritje. Për këta gjyqi dha 42 dënime me vdekje dhe 160 dënime me burgim të përjetshëm. Midis personave të dënuar figuronin edhe anëtarët e disa familjeve të dëgjuara dhe me influencës siç ishin familjet: Vrioni, Dibra dhe Vlora. Ndaj këtyre personave gjykata nxori prova të dorës së dytë. Këto prova dëshmonin për një pakënaqësi të përgjithshme ndaj mbretit, qeverisë dhe disa personave të veshur me pushtet si, ministrit te brendshëm Musa Juka, ministrit te luftës Xhemal Aranistasi dhe adjutantit te Zogut Abdyrrahman Krosi.
    Gjyqi përfundoi në 17 Shtator pasi punoi me intensitet për një muaj rresht, duke lënë në Fier një klimë terrrori, e cila arriti kulmin në datën 26 Shtator, kur në sheshin përpara nënprefekturës u var në litar Hekuran Maneku. Kryengritja e Fierit pësoi disfatë sepse ajo nuk ishte e organizuar mirë dhe se regjimi gëzonte një mbështetje të mjaftueshme shoqërore në vend. Ajo ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend ndaj regjimit dhe ndërhyrjes italiane. Shpërthimi i saj në Fier tregonte se në qytet egzistonte një ndërgjegje e lartë politike dhe një bërthamë e fuqishme borgjezo-intelektuale.

Kryengritja e Fierit 1935 ndodhi si ngjarje politike gjatë kuadrit të krizës së marrëdhënieve politike midis Shqipërisë dhe Italisë. Italianët kishin dijeni për organizimin e kryengritjes, por ata nuk ndërhynë në zhvillimet e saj, megjithëse atyre u interesonte vënia e regjimit të Zogut në një situatë të vështirë. Ndërkohë që në vitin 1935 Italia ishte e zënë me probleme më të rëndësishme të politikës së saj të jashtme, siç ishte fushata për pushtimin e Abisinisë, në Afrikë. Megjithatë në zhvillimet e fundit të kësaj ngjarje bien në sy dy fakte që kompromentojnë Italinë në këtë ngjarje. Së pari drejtuesit kryesorë të Kryengritjes si: Kostë Çekrezi, Musa Kranja, Zenel Hekali, Arshi Shehu dhe Xhevair Arapi u larguan pas dështimit të Kryengritjes me një motobarkë Italiane, e cila rastësisht ose jo rastësisht i çoi ata në Itali. Grupi i të arratisurve mbërriti në Monopoli në 16 Gusht, ku u morën në dorëzim nga Karabinierët, të cilët i transferuan në një burg të Barit. (Carcere gindicione). Aty pasi qëndruan për 3 muaj ata u liruan duke marrë statusin e emigrantit politik. Që nga Bari Kostë Çekrezi i dërgoi një letër Musolinit, ku me superlativa për të i kërkonte mëshirë për ti liruar. Kjo letër u zbulua në arkivin e Ministrisë së Jashtme Italiane në vitin 1975 nga Historiania Ruse Nina Smirnova. Por e vërteta është se Italianët, agjentura e të cilëve ushtronte një aktivitet të gjerë në Shqipëri, konstatuan se në organizatën e fshehtë nisi të dominonte fryma nacionaliste dhe antiitaliane. Prandaj i këshilluan njerëzit e tyre që ta sabotonin revoltën, e cila nuk u interesonte tashmë.

Leon De Gilardi ishte ushtarak karriere me origjinë Belge. Ai erdhi në Shqipëri në vitin 1913 me komisionin ndërkombëtar të kontrollit. Fillimisht mbante gradën e Kapitenit. Gjatë vitit 1914 morri pjese në trupat e qeverisë së Vidit në luftimet zhvilluar kundër kryengritësve të Shqipërisë së Mesme në frontin që shtrihej në zonën Fier-Lushnje. Pas vitit 1920 me riorganizimin e Shtetit Shqiptar Leon de Gilardi do të shërbejë përsëri në strukturat ushtarake. Gjatë zhvillimit të Revolucionit të Qershorit ai i qëndroi besnik Ahmet Zogut duke mbrojtur Tiranën në frontin e Lezhës, ku shërbente me gradën Major. Pas triumfit të Legalitetit nisi edhe ngjitja e shpejtë e tij në shkallët më të larta të karrierës ushtarake. Ai gradohet Gjeneral dhe do të shërbejë edhe si adjutant i Mbretit Zog. Në vitin 1935 Gjenerali ishte figura e tretë ushtarake e Mbretërisë Shqiptare. Ai renditej në shkallën hierarkike pas Mbretit Zogu të I-rë dhe Ministrit të Mbrojtjes Xhemal Aranitasit. Mesditën e 14 Gushtit Gjenerali u ndodh rastësisht në vendin dhe momentin e gabuar. Ai po udhëtonte nga Berati për në Fier me destinacion Apoloninë, ku të nesërmen pikërisht në 15 Gusht zhvillohej në Manastirin e saj panairi i përvitshëm kushtuar ditës së "Fjetjes së Shën Mërisë", nënës së Jezusit. I shoqëruar nga shoferi dhe dy ushtarë makina e Gjeneralit ndaloi përpara turmës, e cila e ekzaltuar ishte mbledhur në manifestimin ku po shpallej shpërthimit I kryengritjes dhe rrëzimi i Monarkisë. Në momentin kur makina ndaloi përpara saj u shfaqën dy xhandarë: Xhevair Abazi dhe Myrteza Dajlani. Gjenerali replikoi shpejt me ta dhe në momentin kur nisi të dalë nga makina u vra prej tyre. Vrasja e Gilardit pati pasoja edhe më fatale për kryengritjen, sepse ajo alarmoi Tiranën, e cila mori masa të jashtëzakonshme për ta shtypur atë. Trupi i Gjeneralit të nesërmen u përcoll drejt Tiranës. Gjenerali u varros me nderime ne 18 Gusht ne Kalanë e Petrelës, sipas vetë dëshirës së tij që me gjallje.

Një degë e organizatës së fshehtë u krijua edhe në Fier, ku dhe përbërja e saj ishte shumë pluraliste. Në të bënin pjesë komunistë si: Mustafa Koçaçi, Jahja Boçi, dhe Zenel Hekali, deputetë dhe ish deputet si: Spiro Papa, Bektash Cakrani, Qemal Vrioni, (i cili ishte edhe pronar i madh tokash), ushtarakë dhe ish ushtarakë si: Hekuran Maneku dhe Musa Kranja, tregtare si: Idriz Xoxa, Taqi Bozo, Liçi Xega, intelektualë si: Dr. Kostandin Kallogjeri, Dr. Musa Delvina, Dr.Jakov Milaj, Llazar Kilica(ish Ambasador në Rumani), Sotir Bitri etj.
    Ndryshe nga degët e tjera të organizatës së fshehtë grupi i Fierit ju vu punës, duke ngritur strukturat përkatëse dhe rekrutuar njerëzit për kryengritjen e armatosur, e cila do të kombinohej edhe me elementë të grushtit të shtetit. Në bazë të punës së zhvilluar dhe organizimit të mirë grupi i Fierit ishte i pari që ngriti flamurin e revoltës, duke dhënë sinjalin e kryengritjes, e cila shpërtheu vetëm në Fier dhe Skrapar.

Meqënëse numri i pjesëmarrësve në Kryengritje ishte shumë i madh Gjyqi politik ndaj tyre për mungesë ambienti të përshtatshëm u zhvillua në oborrin e shtëpisë së Qemal Bej Vrionit, i cili ishtë një nga anëtarët e bankës së të akuzuarëve. Zhvillimi iI seancave u bë nën hijen ë një pergulle. Mekanikisht të pandehurit ngrinin shpesh herë kokën dhe shihnin bistakët e rrushit të pjekur dhe kthenin vështrimin nga Qemal Beu. Në momente pushimi ata e ngacmonin atë me batuta të tilla: -Qemal Bej mos u mërzit sepse ti në shtëpinë tënde je! -I mbarë prodhimi i rrushit Qemal Bej! -Sa verë dhe sa raki do të bësh këtë vjeshtë?!. Vërtet ironi e çuditshme dhe absurde e ngjarjeve të kohës, kur një i pandehur për pjesëmarrje në Kryengritje të armatosur gjykohej si i tillë në shtëpinë e tij.

Midis protagonistëve të shumtë të kësaj lëvizje të armatosur. Pa dyshim që shembullin më tipik të heroizmit e përfaqëson Riza Cerova.
    Vdekja heroike e tij ishte akti i fundit i kësaj lëvizjeje shkruan në kujtimet e veta Dr. Jakov Milaj një tjetër pjesëmarrës i kësaj Kryengritjeje. Riza Cerova nuk kishte veçse katër muaj që ishte kthyer nga emigracioni politik. Ai u anëtarësua menjëherë në organizatën e fshehtë duke u shndërruar në protagonistin më aktiv të saj. Ai jo vetëm që organizoi grupin e atentatorëve që do të ekzekutonin personalitetet e larta të shtetit, por me autoritetin e madh që kishte në Skrapar dhe në jug të Shqipërisë u përpoq që të rekrutonte një forcë të madhe të armatosur. Duke mos u njoftuar në kohë ai nuk arriti që të realizonte planin e caktuar. Megjithatë me një çetë 40 luftëtarësh R.Cerova ju drejtua Beratit. I goditur nga forcat qeveritare ai u tërhoq në male, duke ju drejtuar tentativës së arratisjes për në Jugosllavi. I plagosur rëndë gjatë përpjekjeve vdiq në pyllin e Marjanit, pranë Pogradecit në 24 Gusht 1935. Ndërkohë që në qytetin e Fierit drejtuesi politik i Kryengritjes ishte Kostë Çekrezi. I diplomuar në Harvard ai u kthye nga SHBA-ja në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij në politikë.
    Në vitet 1930-1932 Kostë Çekrezi ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Shtetit. Si pjesëmarrës në organizatën e fshehtë të Vlorës ai u dënua nga Gjykata politike. I sapodalë nga burgu ra menjëherë në kontakt me organizatën e fshehtë dhe mori pjesë aktive në revoltë. Kostë Çekrezi njihet në qarqet intelektuale edhe si gazetar dhe historian. Ndërsa drejtuesi ushtarak i Kryengritjes ishte nëntoger Musa Kranja. Ai u kujdes për rekrutimin e kryengritësve, duke thirrur të gjithë rezervistët nën armë. Ai arriti të fuste në lëvizje 11 xhandarët që kishte nën Urdhëra, por edhe komandonte e rekrutimit. Musa Kranja ishte ai që e udhëhoqi që në fillim revoltën, duke bërë arrestimet e autoriteteve lokale dhe drejtoi edhe sulmin ndaj Lushnjes. Bashkëpunëtor i tij në këtë ngjarje ishte dhe Zenel Hekali Në vitin 1932 ai u shkarkua nga detyra e kryemësuesit të shkollës së Ballshit si antizogist dhe u transferua në shkollën e Hekalit, nga ku mbahej nën mbikqyrje. Rekrutoi një pjesë të kryengritësve. Ndërsa Hekuran Maneku ish veprimtar i lëvizjes kombëtare. Ishte përfaqësues i Fierit në Kuvendin e Sinjës në 23 Korrik 1912. Pjesëmarrës i vjetër në të gjitha ngjarjet politike të kohës kur jetoi si, në Shpalljen e Pavarësisë, luftën kundër rebelëve të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, luftën e Vlorës, Revolucionin e Qershorit etj. U dënua me vdekje nga gjyqi special dhe u ekzekutua me varje në litar në qendër të qytetit të Fierit. U dallua për qëndrimin burrëror që mbajti përpara ekzekutimit.

Gjyqit të Fierit nuk i munguan edhe personazhet VIP, nga të cilët mund të përmendim: Nuredin Bej Vlorën dhe Qemal Bej Vrionin.
    Nuredin Bej Vlora ishte i biri i Ferit Pashë Vlorës. I ati i tij kish qenë Kryeministër i Perandorisë Osmane gjatë mbretërimit të Sulltan Abdyl Hamitit. Nuredini kishte marrë pjesë në lëvizjen kombëtare si: në luftën e vitit 1914 kundër Viorioepiriotëve dhe Kryengritësve të Shqipërisë së Mesme. Dallohej si njeri me karakter të fortë, sjellje të përzemërt dhe veprime politike të matura. Për këto karakteristika dhe meqënëse rridhte nga familja e Ismail Qemalit ai mendohej nga Organizata e fshehtë si një ndër kandidaturat kryesore për President të vendit.
    I martuar me një milionere Kiliane Nuredin Vlora e kalonte pjesëm më të madhe të kohës jashtë vendit. Për ta falur atë nga dënimi për pjesëmarrje në Kryengritje të armatosur Mbreti Zog pati një ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, që nga Kalifi (udhëheqësi shpirtëror i fesë islame) e deri tek Duka i Uindsorit. Ndërsa Qemal Bej Vrioni ishte përfaqësues i degës së fierit të familjes Vrioni. Ai kishte qenë delegat në Kongresin e Durrësit (25 Dhjetor 1920) dhe kishte drejtuar trupat e vullnetarëve fierakë në luftën e Vlorës (1920). Megjithatë ai njihej në qytetin e Fierit edhe për konfliktet e shumta personale të cilat kishin nisur qysh me qeverinë e Ismail Qemalit, e deri ato me vegjëlinë dhe tregtarët.
    Qemal Vrioni ishte deputet i Parlamentit Shqiptar qysh nga viti 1921. Interesant është fakti se në gjyq Qemal Vrioni dhe Nuredin Vlora u mbrojtën nga avokat Seit Qemali, i biri i arkitektit të Pavarësisë Shqiptare, Ismail Qemalit. Duhet thënë se karriera e Qemal Vrionit e arriti kulmin gjatë viteve të pushtimit Italian, ku ai do të drejtonte për pak kohë gazetën kryesore të regjimit "TOMORI", si dhe do të ushtronte edhe funksionin e Ministrit të Financave në njërën prej qeverive të asaj kohe.

Në Fier mungonin ndjenjat Zogiste. Kyengritja e Fierit ishte shprehja më e fuqishme e pakënaqësisë që ekzistonte në vend kundër Mbretit dhe ndërhyrjes Italiane në vend. Shpërthimi i saj në qytetin e Fierit tregonte se në këtë qytezë të vogël ekzistonte një bërthamë e fuqishme borgjezo-intelektuale, një ndërgjegje e lartë politike dhe ndjenja të forta antizogiste. Duhet thënë se kjo lëvizje e tronditi seriozisht regjimin gjë që u pa në zhvillimet e seancave të gjyqit politik, shkrimet e gazetës qeveritare Besa, rrëzimi i qeverisë aktuale të Kryeministrit Pandeli Evangjeli dhe zëvendësimi me qeverinë e re "Liberale" e të "moderuar" të Mehdi Frashërit.
    Gjithashtu kryengritja rrëzoi edhe imazhin ndërkombëtar të Monarkisë Shqiptare. Pikërisht dënimet e ashpra mbi pjesëmarrësit e saj sollën një reagim të ashpër ndërkombëtar, duke nisur nga organizatat humanitare e deri tek organizata e Lidhjes së Kombeve. Kjo gjë e detyroi Mbretin që vetëm dy muaj më pas pikërisht në 28 Nëntor 1935, me rastin e festës së Flamurit, të shpallte amnistinë e jashtëzakonshme, e cila i falte të gjithë të dënuarit nga gjyqi i Fierit. Lëvizja e Fierit dështoi se krerët e organizatës së saj ishin njerëz që e mbivlerësonin më tepër veprimtarinë e tyre politike dhe ushtarake, sesa operativitetin, konspiracionin dhe aksionin konkret. Pikërisht atje ku këta komponentë u vlerësuan drejt (Fier, Skrapar), kryengritja pati sukses. Gjithashtu organizata e fshehtë gaboi në vlerësimin e situatës politike në vend, duke krijuar idenë se me shkrepjen e "Pushkëve të para" regjimi do të rrëzohej artificialisht. Kështu koha vërtetoi të kundërtën. Interesant është fakti i protagonistëve të kësaj lëvizjeje. Do të ishte lufta e II-të Botërore ajo që përcaktoi të ardhmen e tyre. Kështu një pjesë ju bashkua rezistencës antifashiste, një pjesë ranë dëshmorë në luftë ( Jashar Cakrani, Mustafa Kaçaçi), një pjesë bashkëpunuan me autoritetet e pushtimit, pjesa tjetër u detyrua që pas luftës të emigronte, të zhvishej nga pasuria ose të burgosej. Fakti më i çuditshëm është se asnjë nga këta njerëz nuk u bë ndonjë personalitet në Shqipërinë e pas luftës.