Ilirjan Gjika

Familja perandorake në të vetmen pikturë të artit Bizantin

Gjatë shekujve të mesjetës kisha si forcë shpirtërore gëzonte një autoritet të madh. Nëpërmjet një rrjeti të gjerë klerikësh, objektesh kulti, murgjish e manastiresh, kisha kishte vendosur sundimin shpirtëror duke depërtuar në çdo qelizë të jetës. E cilësuar si "i vetmi autoritet", që rridhte drejtëpërdrejtë nga zoti, ajo kishte fituar një pozitë të veçantë edhe në kuadrin e Perandorisë Bizantine. Konvergimi i interesave të përbashkëta midis saj dhe shtetit kishte krijuar një organizim të veçantë Politiko-fetar. Ndërkohë kisha kishte gjetur tek ai forcën morale, duke u bërë kështu një element i pranishëm i jetës Bizantine.
    E gjithë ideologjia e saj ishte kthyer në shërbim të pushtetit feudal. Për të gjitha këto sherbime të çmuara kisha ishte shpërblyer me ndere, privilegje, diploma dhe dhurime nga fondi i tokave të Perandorisë. Ndërkaq në zona të veçanta të kësaj hapësire ky organizëm ishte shndërruar në mbajtësin e vërtetë të pushtetit feudal. Megjithë bashkëpunimin reciprok kisha ra dalngadalë nën tutelën e pushtetit Perandorak, ku Perandori konsiderohej mbrojtës i saj dhe i besimit kristian. Si i tillë ai ishte shndërruar në shëmbëlltyrë të këtij besimi. Figura e Perandorit nderohej në ceremonialet fetare si shenjt, ndërsa portretet e Perandorëve pasqyroheshin në ikonografinë Bizantine. Një shembull i tillë tipik shihet edhe në kishat e Shqipërisë, ku objekt i këtij shkrimi do të jetë Dinastia e Paleologëve.

Dinastia Paleologe

Familja e Paleologëve ishte në Bizant përfaqësuese e aristokracisë tokësore të Azisë së vogël. Në vitin 1258 njëri prej pinjollëve të saj Mihal Paleologu (1261-1282), erdhi në krye të Perandorisë se Nikesë, njërit prej tre territoreve Bizantine, që nuk u pushtuan nga kryqëzata e katërt në vitin 1204. Ai ishte një ushtarak i talentuar që gëzonte edhe përkrahjen e kishës, gjë që bëri që një vit më vonë të merrte titullin "bashkëregjent". Duke qëndruar në krye të shtetit të Nikesë Mihali u pregatit ushtarakisht që të debonte kryqtarët latinë nga Kostandinopoja. Pas përpjekjesh të mëdha ai e arriti këtë gjë në vitin 1261 duke hyrë triumfalisht në kryeqytet. Kështu Mihal Paleologu ripërtëriu përsëri Perandorinë Bizantine dhe u kurorëzua në Shën Sofi me titullin Mihali VIII. Gjatë ushtrimit të pushtetit të tij ai u dallua si njeri energjik dhe me talent në politikë, megjithëse Perandoria tashmë kishte një territor të kufizuar, ku mungonin burimet, forcat e gjalla dhe energjitë për ripërtëritje.
    Perandori spikati si Diplomat, kur i kërkoi Papatit bashkimin e dy kishave. Si ushtarak Mihali i VIII-të u përpoq që të rimerte deri diku territoret e dikurshme të Perandorisë dhe të vendoste në to një gjendje të qëndrueshme politike. Në vijim të kësaj politike ai pushtoi disa qytete porte në Detin e Zi, theu princin latin Vilhelm Vilehaurden në Greqi, luftoi kundër Anzhuinëve në Shqipëri, si dhe kundër Bullgarëve, tartareve etj. Por vepra më e madhe e tij për të evituar rreziqet ndaj Bizantit ishte veprimtaria Diplomatike dhe agjenturore, e cila luajti rolin kryesor në shpërbërjen e Mbretërisë së Napolit në vitin 1282. Kështu Mihali i VIII-të jo vetëm që rilindi Perandorinë Bizantine, por e bëri atë përsëri një qëndër rreth së cilës vërtitej politika e shteteve mesjetare. Ai përballoi me sukses agresionin e perëndimit, zhduku rrezikun latin në Greqi, eleminoi shtetin e Epirit, rivendosi sundimin Bizantin në territoret që i përkisnin Perandorisë. Gjithashtu ai vendosi një pushtet të qëndrueshëm, duke themeluar dinastinë më jetëgjatë të shtetit Bizantin, e cila e qeverisi atë deri ditën e fundit të tij. Për të siguruar vazhdimësinë e dinastisë së tij Mihali i VIII-të emëroi bashkëperandor në vitin 1272 të birin, Andronikun e II-të, me të cilin bashkë qeverisi deri në vitin 1282. Ky i fundit ishte njeri i kulturuar dhe me interesa intelektuale, shkencore e letrare. Androniku i II-të i mbiquajtur i vjetri mbretëroi nga viti 1282 deri në vitin 1328, ndërkohë që në vitet 1292 deri 1320 ai bashkëqeverisi me të birin Mihalin e IX –të.
    Si person me një formim të tillë ai u tregua edhe një burrë i shquar shteti. i detyruar nga financat e dobëta të shtetit Androniku u përpoq që ta kufizonte ushtrinë, e cila bëri që Bizanti ta humbiste statusin e një fuqie ushtarake. Këtë gjë ai u përpoq që ta kompensonte në një veprimtari të vrullshme diplomatike. Në traktatet dhe aleancat e shumta që nënshkroi Androniku i II-të synonte të ruante dhe siguronte kufijtë e Perandorisë. Kështu që ai u martua për mëse dy herë. Gruaja e tij e parë ishte Ana e Hungarisë, ndërsa e dyta Irena e Monferratos. Por qeverisja e tij u shoqërua me disfata ushtarake siç ishin disfata me Venedikun dhe Pushtimi i gjithë Azisë së vogël nga Turqit.
    Gjithashtu trazira të mëdha shoqëruan Bizantin pas sulmeve turke, ku Androniku II-të ftoi për ndihmë Princin gjerman Roxherin e FLORIT me repartet e tij Katalanase. Ndërsa ngjarjet më të çuditshme dhe me të komplikuara Androniku II-të i përjetoi me të nipin Andronikun III, birin e Mihalit të IX-të. Midis të dy bashkë Perandorëve u zhvilluan 3 luftëra civile, të cilat përfunduan me abdikimin e Andronikut të II-të në vitin 1328. Dy vjet më vonë ai u bë murg me emrin Andon dhe vdiq në 13 Shkurt 1332.
    Gjatë kohës së sundimit të Andronikut të II-të nuk u vazhdua politika e mëparshme e afrimit me Papatin që ishte nisur nga i ati Mihali VIII-të. Rëndësia e kishës dhe roli i saj në jetën shpirtërore arriti kulmin. Ndërkohë që kjo periudhë u konsiderua e artë për manastiret në aspektin kulturor, shpirtëror dhe material. Ato u përkrahën nga Perandori me diploma, prona tokësore dhe privilegje. Kështu koha e sundimit të Paleologëve ishte edhe periudhë e lulëzimit kulturor të artit Bizantin.

Stili Paleolog

Si rezultat i një proçesi të gjatë kohor duke ndërthurur në vetvete elemente të kundërta të kulturave mesdhetare lindi në territoret e Perandorisë Bizantine një lloj arti i quajtur Arti Bizantin. I sanksionuar nga shteti (Th. Popa. Piktorët mesjetarë shqiptarë fq.26) dhe i ndikuar fuqimisht nga kisha ai përbëhej nga elementë të tillë si: arti antik klasik, ideologjia kristiane, arritjet e kulturave të popujve të Perandorisë ose duke e perifrazuar ndryshe ai përmbante paganizëm grek dhe misticizëm oriental në të gjithë tërësinë e tij ndahet në disa etapa kohore të cilave nuk i munguan rrymat dhe shkollat e ndryshme. Ndërkohë që në shekujt XIII-XIV Bizanti përjetoi një zhvillim të madh ekonomiko-shoqëror. Kjo gjë bëri që arti Bizantin të zhvillohej në një etapë më të lartë e cila u quajt Paleologe dhe që përmbante tipare që vinin drejtpërdrejt nga Kostandinopoja. Ky stil u krijua edhe si rezultat i nxitjes që i dha artit Bizantin familja Perandorake e Paleologëve. Duke ju referuar studjuesit Moikom Zeqo, ky stil bëri që figurat ti afrohen më tepër natyralitetit dhe ngjyrave jetësore, duke thyer rregullat e gurta të grafizmit të thatë dhe mistikes së thellë të artit Bizantin. Kështu tanimë kemi fytyra të gjalla e ekspresive, ritëm në propocione, kompozim më të mirë dhe ndryshim të toneve. Stili Paleolog u aplikua edhe në Shqipëri si pjesë e Perandorisë Bizantine gjatë shekujve XIII-XIV. Ai e arriti kulmin e tij me afresket e pikturuara me muret trapezerisë(mencës) së Manastirit të Shën Mërisë së Apolonisë në Fier.

Piktura Bizantine

Piktura ishte gjinia më e shquar e artit kishtar bizantin, i cili përblidhte në vetvete traditat më të mira të artit antik me traditat e artit të popujve të lindjes të mishëruara nga ideologjia kishtare. Në vitin 787 u mblodh në qytetin Bizantin të Nikesë, Sinodi i VII-të ekumenik nën drejtimin e Patrikut të Kostandinopojës Tarasit.
    Në të u përcaktuan me kanone të veçanta edhe rregullat e pikturimit të artit ikonografik Kishtar. Koncili vendosi edhe imazhet standarte të figurave që paraqiteshin në ikona dhe afreske, të cilat ishin cënuar rëndë nga lëvizja ikonoshkatërruese e Perandorit Leoni i III-të Isauri. Këto imazhe do të ishin të pacënueshme dhe duheshin respektuar me përpikmëri nga piktorët. Këta të fundit ishin të detyruar të ndiqnin të njëjtën tematikë, të zbatonin të njëjtat ngjyra dhe tu jepnin figurave të njëjtat tipare. Çdo piktor duhej ti shkëputej imazheve natyrore të jetës dhe ti jepte pikturës një karakter hyjnor, mistik, të ngrirë dhe të zymtë. Ndërkohë që piktura kishtare ndoqi dy drejtime siç ishin afresku (piktura murale) dhe ikona (piktura në dru) me të cilat janë krijuar vepra të mirëfillta artistike, të cilat vlerësohen edhe sot, duke i kaluar kufijtë e interesit kombëtar. I konservuar në kisha dhe manastire ky art piktural përbën një nga realizimet më të larta artistike të kulturës së mesjetës në vendin tonë. Ndërkohë që piktorët derdhin artin e tyre, kisha si institucion i kontrollonte nëpërmjet kanoneve, ndërsa populli nuk bëntë gjë tjetër veçse i adhuronte si një kult themelor. Kështu njerëzit përuleshin përpara tyre, ndiznin qirinj, bënin betime, këndonin himne, duke besuar se pas imazhit të pikturës fshihej vetë shenjti mbrojtës e shpirtmirë. I krijuar në këtë realitet ky art na vjen deri më sot, duke na detyruar edhe ne që të shkruajmë diçka mbi të, në formën e këtij shkrimi historiko-kulturor.

Piktura e Pojanit

Në murin perëndimor të parasallës së kishës së Manastirit të Shën Mërisë së Apolonisë sot ndodhen mbetjet e një afresku tëpër të rrallë. Me përmasa 1.32 x 3.30 m ai paraqet familjen e Perandorit Mihal VIII-të, së bashku me të shoqen Teodorën, të birin Andronikun e II-të, Shën Merinë dhe disa persona të tjerë. Në qendër të pikturës ndodhet figura e Perandorit Mihal VIII-të, i cili paraqitet në moshë të thyer me kurorë në kokë, mbi të cilën ndodhet mbishkrimi: "Kostandini i ri Komnen, Dukë, Angelos, Paleologu si krishtdashës dhe murgdashës i vërtetë". Për këtë mbishkrim Th. Popa, një nga studjuesit e artit ikonografik mendon se emërtimin Kostandin i ri Mihali VIII-të, e ka marrë si çlirues i Kostandinopojës nga Latinët, (duke e krahasuar me themeluesin e këtij qyteti, Kostandinin e madh).
    Ndërkohë që në anën tjetër të afreskut pranë figurës së Perandorit ndodhet Perandoresha Teodora. Kurse midis tyre është vendosur pak më poshtë figura e Andronikut të II-të, edhe ajo me kurorë në kokë. Mbi të ndodhet mbishkrimi "Androniku, besnik në krishtin, perëndinë, mbret i Romejve, Komnen, Dukë, Angelos, Paleologu". Ndërkohë që në anën e majtë të Perandorit ndodhet Shën Mëria që mban në dorë Maketin e kishës.
    Një figurë tjetër e afreskut është edhe një shenjt i pikturuar me veshje hierarkike, i cili mund të jetë Shën Kolli. Ndërsa tre figurat e tjera të afreskut janë të dëmtuara. Paraqitjen e kësaj familje në murin e kësaj kishe Th. Popa e lidh me idenë se kjo kishë është ndërtuar ose rindërtuar nga këta Perandorë në vitet 1280-1290. Por fakti më i rëndësishëm historiko-kulturor është se sot kjo pikturë është e vetmja në artin Bizantin që paraqet këta dy Perandorë së bashku. Interesant është se në të njëjtën kohë me tezën e mësipërme të Th. Popës që i përket vitit 1967, u formulua edhe një tjetër hipotezë oponente me të. Ajo lindi nga kërkimet e dy studjueseve të respektuara të artit kishtar Bizantin. Sipas autoreve të saj Viktori Puzanovës dhe Dhorka Dhamos, në këtë afresk si figurë qëndrore paraqitet Androniku i II-të me të shoqen e tij Perandoreshën Irena dhe të birin Kostandinin IX. Sipas studjueseve të mësipërme ky afresk mendohet të fiksojë momentin e dorëzimit të krisovulës( diplomës) Perandorake, për rimëkëmbjen e katedrës Peshkopale ortodokse të Kaninës.
    Ndërkohë qe autori i parë që e përshkruan këtë pikturë është Mitropoliti i Beratit në vitet 1800, greku Anthim Aleksudhi. Ky klerik pavarësisht se ishte nje hierark i lartë kishtar, ishte mbi të gjitha një njeri i apasionuar pas: historisë, etnografisë dhe artit Bizantin. Si njohës i mirë i këtyre fushave ai na jep në librin e tij të dhëna interesante për kulturën kishtare. Por në këtë libër Aleksudhi na njofton se në murin ndarës të sallës dhe parasallës së kishës së Shën Kollit të Perëndisë në Berat, ekzistonte edhe një pikturë murale qe paraqiste portretin e familjes së Paleologëve. Në vitin 1931 gjatë restaurimit të kësaj kishe ky mur u prish së bashku me këtë afresk të rrallë, nga i cili ka mbetur vetëm kjo dëshmi.

Paleologët dhe Shqipëria

Shqipëria si rajoni më perëndimor i Perandorisë Bizantine ishte territori më i rrezikuar nga sulmet e vazhdueshme të Mbretërisë së Napolit dhe asaj serbe. Në mënyrë të natyrshme ajo përbënte një nga shqetësimet dhe njëkohësisht projektet e vazhdueshme të Paleologëve. Kështu Mihali i VIII-të u përpoq që të ndalte Karlin e I-rë Anzhu , i cili duke përdorur Papën Martin IV kishte krijuar një koalicion të madh kundër Bizantit, ku merrnin pjesë Venediku, Sërbia dhe Strategu Joan i Thesalisë. Pikërisht në shqipëri Mihali i VIII-të mori pjesë në fushatat ushtarake të vitit 1275, nga ku u mori Anzhuinëve Beratin, Butrintin, Himarën, si dhe rethoi Durrësin. Në këto kushte erdhi edhe reagimi i Karlit të I-rë Anzhu, i cili si masë të parë nisi burgosjen dhe marrjen peng të parisë feudale shqiptare. Këtë fat patën bujarët vendas siç ishin Muzakajt, Topiajt, Skurajt, Blinishtët e të tjerë, të cilët u burgosën në Kështjellat e Tranit, Brindizit e Molfetës.
    Më pas si urdhëroi Mëkëmbësin e tij Hugo de Sulin që të fillonte veprimet për pushtimin e Beratit. Ndërkohë që Anzhuinët e kishin të siguruar në dukje fitoren ata u thyen "befas" në Berat nga Bizanti.
    Në luftimet për pushtimin e Beratit në vitin 1281 do të kapet rob gjatë sulmit Komandanti i trupave ushtarake anzhuine Hugo De Suli i cili mbante gradën Kapiten i Spinaricës dhe Vlorës. Kjo ngjarje solli "dekompozimin" e ushtrisë Anzhuine, e cila nisi një tërheqje të përshtjelluar në drejtim të Vlorës, në këmbë dhe e Pa armatosur.
    Sipas historianit Bizantin Pahimerit, Perandori Mihal i VIII-të dërgoi kundër anzhuinëve Domestikun e madh (Kryekomandantin) Mihal Tarkaniotin, të paisur me fuqitë e nevojshme ushtarake. Për të përcjellë ushtrinë në portat e Kostandinopojës me urdhër të Perandorit kishte dalë për ta bekuar atë i gjithë Kleri i Lartë, me sa duket një praktikë tipike e kohës.
    Edhe Androniku i II-të (1282-1328) luftoi përsëri kundër të njëjtit armik vite më vonë. Ushtria bizantine përshoi Thesalinë, hyri në Epir, rrethoi Janinën dhe mori Durrësin në vitin 1290, së bashku me Vlorën dhe Krujën. Por veprimtaria e tij nuk kufizohet këtu. Një dokument me vlerë është edhe ai i qershorit 1307, ku me anë të një krisobule Androniku i II-të i konfirmon Peshkopatës së Kaninës të drejtat mbi pronat e saj. Ndërsa qytetit të Krujës ai i akordoi në vitin 1288 të gjitha privilegjet e vjetra, të drejta që i ishin njohur asaj nga Perandorët e mëparshëm.
    Edhe pasardhësi i Andronikut të II-të nipi i tij Perandori Andronik i III-të, ushtroi veprimtari ushtarake dhe diplomatike në lidhje me Shqipërinë. Kështu në nëntor të vitit 1332 nënshkruan marrëveshjen, sipas së cilës Guvernatori Bizantin i Vlorës, Kaninës dhe krahinave përreth detyrohet të kompesojë me të holla sendet që, ja kishte marrë me forcë dy qytetarëve Venedikas.     Disa vite më vonë pikërisht në vitin 1336 Perandori Andronik i III-të erdhi në Shqipëri së bashku me ndihmësin e tij, Domestikun Joan Kantakuzenin, në krye të një ushtrie të përbërë nga mercenarë turq.
    Qëllimi i ekspeditës ishte shtypja e kryengritjes së shqiptarëve në krahinat e Beratit dhe të Vlorës. Ushtria Bizantine pushtoi krahinën duke vrarë krerët vendas dhe sekuestruan pasuritë e tyre. Kantakuzeni i cili shoqëroi Perandorin, në shënimet e tij shkruan se, për shtypjen e kryengritjes në rrethinat e Beratit, Kaninës, Skraparit, Këlcyrës dhe Tomorrit, Bizantinët grabitën në mënyrë të konsiderueshme, dhen, kuaj e bagëti të tjera, shifrat e të cilave në shkrimet e tij janë shumë të ekzagjeruara. Interesant është edhe fakti se për qëllimet e politikës së tij Perandori Joani i V-të, i akordoi pinjollit të Muzakajve, Andreas së II-të (1336-1370), titullin e Despotit (Princit) dhe shenjat e stemës Perandorake. Mund të themi pa frikë se, këtu e ka zanafillën edhe përdorimi i simbolit Bizantin të shqiponjës me dy koka, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një element i flamurit Bizantin.

Në vend të mbylljes

Historia e Bizantit, është e tillë sepse të fut në një botë fantastike tragjedish, të mbështjellë me një mjegull Perandorësh, qytetërimesh, dramash fetare, prapaskenash politike, konfiktesh, kultesh, imazhesh e legjendash. E kështu të shfaqet përpara syve edhe vetë historia e një pjese të kësaj Perandorie, Shqipërisë, e shoqëruar me ngjarje tronditëse pushtimesh, luftërash, e zhvillimesh dramatike, ndikimesh nga Kostandinopoja, ardhje Perandorësh, përshkrime kronikash, etj
.     Kjo panoramë e jetës së popullit tonë mbart përveç historisë edhe një kulturë të vjetër e të pasur. Ashtu si kronikat e analet edhe burimet materiale arkeologjike e kulturore, na kumtojnë nivelin e vërtetë të një kulture të shkëlqyer e të shumëllojshme, që bashkëjetojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe me ngjarje e njerëz të përmendur të mesjetës.