Ilirjan Gjika

                                            Disa argumenta mbi ekzistencën e Gllavinicës në Bylis

Në historinë e Shqipërisë përmendet si një qytet i rëndësishëm gjatë mesjetës edhe qyteti i Gllavinicës. Interesante janë faktet e së kaluarës që dëshmojnë zhvillimet e disa ngjarjeve me rëndësi edhe për historinë e disa prej popujve fqinj, që e kanë vënë për shumë kohë Gllavinicën në qendër të studimeve të ndryshme, në Shqipëri edhe jashtë saj.
    Gjatë pushtimit Bullgar në tokat shqiptare në Gllavinicë ka patur qendrën e vet një nga peshkopatat më të rëndësishme, të kryepeshkopatës Bullgare të Ohrit. Po në këtë qytet kanë ushtruar veprimtarinë e tyre fetare-arsimore disa nga figurat kryesore të kishës tek sllavët e jugut si: Shenjtët Klement, Naum, Ëngjëllor dhe Horazd. Me origjinë nga Gllavinica është edhe guri me mbishkrimin Greqisht që dëshmon kristianizmin e popullit Bullgar në vitin 866. Ndërkohë Gllavinica përmendet edhe nga historiania Bizantine Ana Komnena, tek vepra e saj "Aleksiada", ku përshkruhen luftimet Normano-Bizantine të zhvilluara në territoret shqiptare gjatë shekujve XI-XII. Në luftimet midis dy ushtrive në vitin 1107 do të vritet në Gllavinicë nënduka Anglez Robert Monfort, Epitafi i gurit të varrit të të cilit, do të gjendet në vitin 1918 nga arkeologu Austriak Kamilo Prashniker. Po në këtë qytet, në kishën katedrale të tij, në vitin 1373 me porosi të kontit Gjergj Arianiti (i pari) do të qëndiset i famshmi Epitaf i Gllavinicës. Kjo pëlhurë kërpi më e vjetra në Shqipëri e qëndisur me fije të arta i kushtohet vëllezërve Balsha, Epitafi ruhet sot në Muzeun Kombëtar në Tirane për vlerat e mëdha muzeale që ai bart.
    Problemi i këtij shkrimi është renditja e vlerave dhe ngjarjeve historike të ndodhura në këtë qytet mesjetar, por vërtetimi i hipotezës që ka të bëjë me identifikimin e tij. Për vendodhjen e Gllavinicës ekzistojnë mendime të ndryshme të cilat e vendosin qytetin në territore të caktuara. Historiani Serb Novakoviç mendon se Gllavinica ndodhej në territorin midis dy qyteteve të Durrësit dhe Janinës, diku në jug të Vlorës (Pervi osnivi slovenske Krizhevnosti, Beograd 1893, fq.71-73). Ndërsa historiani Bullgar Zllatarski duke u nisur nga ngjashmëria e emrave Gllavinica-Gjanica hodhi idenë se ky qytet ndodhej praën lumit Gjanica në krahun e Kutmicevicës diku midis Vjosës dhe Semanit (Istoria na Bellgarskata Drzhava, Sofia 1937, fq.231-235). Një tjetër autor Jugosllav Stipçeviç në (Arkeologjia V, 1963, fq 1-5) hedh një ide tjetër mbi vendodhjen e këtij qyteti. Sipas tij Gllavinica ka mundësi të ketë qënë pranë liqenit të Ohrit. Së bashku me Stipçeviçin bashkohet edhe Bullgari Miatev (Arkeologjia IV, 1963), ndërsa Bullgari tjetër, Snegarov mendon se: Gllavinica ndodhej në afërsi të gjirit të Vlorës, gjë që afron atë me hipotezën e Novakoviçit. Pranë territorit të gjirit të Vlorës e vendos Gllavinicën edhe peshkopi i dikurshëm i Beratit, greku Anthim Aleksudhi, i cili thekson se qyteti nuk ndodhej shumë larg nga Kanina ndoshta midis saj dhe Igumenicës. Një tjetër jugosllav Striçeviçi e vendos Gllavinicën në afërsi të Ohrit ku ai gjen një toponim të ngjashëm Zglavenicë.
    Ndërsa Fransua Pukevili (Voyage de Greece, Paris 1826, fq 221-222) e vendos Gllavinicën në territorin e Konicës. Edhe historografia Shqiptare ka bërë në të kaluarën e afërt shumë punë për identifikimin e këtij qyteti mesjetar. Me këtë problem u mor fillimisht Theofan Popa, i cili e identifikoi Gllavinicën me Ballshin e sotëm të Mallakastrës (Studime Historike 1964, fq 235-241). Kjo tezë u plotësua më vonë diku në fillim të viteve 1980 me tezat e konkluzioneve të gërmimeve arkeologjike të botuara nga Skënder Anamali në shtypin shkencor të kohës.
    U duk se problemi i evidentimit të Gllavinicës u mbyll përfundimisht duke e stacionuar vendodhjen e këtij qyteti në Ballshin e sotëm. Në vitin 1987 studjuesi Koço Zheku ngriti një tjetër tezë, e cila e lokalizon Gllavinicën mesjetare 6 km më në jug të Ballshit, pikërisht si vazhdim i jetës qytetare të Bylisit antik (Monumentet 2, 1987, fq 95-100). Çuditërisht për shumë vite nuk pati oponencë ndaj argumentave të Koço Zhekut, i cili në analizën e problemit mbështetej tek përshkrimi i ndërtimeve dhe tek shfrytëzimi i burimeve historike të mesjetës. Vetëm në Mars 2005 Dr. Moikom Zeqo një prej studjuesve më autoritarë të historisë hodhi përsëri dyshime mbi lokalizimin e Gllavinicës (Shekulli 5 mars 2005), duke e rivendosur përsëri debatin. Por duke studjuar në mënyrë tepër skeptike dy tezat e historografisë sonë mbi lokalizimin e Gllavinicës, mendoj se ideja që Koço Zheku pohon se Gllavinica nuk është veçse Bylisi antik është e drejtë, e qëndrueshme dhe shumë e argumentuar. Për të krijuar një tablo sa më të plotë dhe të qartë mbi problemin e mësipërm gjatë viteve 2000-2004 me një grup kolegësh zhvilluam vëzhgime sipërfaqësore në qytetin e Ballshit dhe periferinë e tij.
    Nga studimi i terrenit duke cituar edhe Th. Popën (Studime Historike 2, 1064) konstatuam se në këtë territor nuk gjenden gjurmë masive ndërtimesh antike ose mesjetare, të cilat vërtetojnë se në këtë vend ka ekzistuar një vendbanim qytetar. Të vetmet gjurmë ndërtimesh të vjetra janë rrënojat e kishës së manastirit të Shën Mërisë, që gjenden në këtë qytet pranë rrugës nacionale. Të ndodhur në këto kushte shtruam përpara vetvetes pyetjen se: Ku i ndërtoi Shën Klementi "Monumentet e karakterit fetar" dhe ku gjendeshin "vendet për pushim", që Car Borisi i dhuroi shënjtit (K. Mijatev, Arkeologjia 1962, fq 5). Ndërkohë morëm informacionin se gjatë ndërtimeve të karakterit urban dhe punimeve masive të bëra në vitet 1970 për ndërtimin e Rafinerisë në qytetin e Ballshit, ku u gërmua një sipërfaqe shumë e madhe nuk u gjend asnjë rrënojë ose gjurmë kishe, muri rrethues, kulle dhe banese mesjetare ose antike. Kështu që na u duk më e përshtatshme që pikat më të forta të tezës së Theofan Popës duheshin përshtatur, për të argumentuar se vendodhja e Gllavinicës duhet kërkuar në Bylis. Në rast se këtyre argumentave do ti shtonim ato të Koço Zhekut dhe do ti rendisnim një e nga një atëherë pa dyshim që lexuesi i thjeshtë do ta kuptonte menjëherë se ku ndodhej Gllavinica kaq e përfolur.
    Kështu Bylisi antik u dëmtua nga dyndjet barbare të shekujve 3-5 dhe u rindërtua nga perandori Bizantin me origjinë Ilire Justiniani. Në librin e tij "Mbi ndërtimet" biografi e perandorit, Prokopi i Çezaresë na njofton se nga 48 fortesat që u rindërtuan në provincën e Epirit të Ri ishte dhe Bylisi. Tre nga mbishkrimet e mureve të tij ruhen edhe sot në Muzeun Kombëtar.
    Të zbuluar nga arkeologu Skënder Anamali (Monumentet 1, 1987, fq 62-63), gurët e mbishkrimeve me përmbajtje ndërtimore, na tregojnë se qyteti i Bylisit u rindërtua në vitet 549-550 nga Viktorinusi i dërguari i Perandorit. "Nuk ankohem më për barbarët....sepse gjeta tek Viktorini një që më ndërtoi me duart e tij", lexojmë në njërin prej tyre.
    Këto ndërtime u bënë në një kohë kur rreziku i inkursioneve barbaro-sllave ishte akoma kërcënues mbi territoret e provincave ilire. Gjatë periudhës së Justinianit në Bylis u ngritën përveç mureve rrethues edhe pese kisha të tipit Bazilikal (S. Muçaj, Iliria I, 1986), ku njëra prej të cilave Bazilika ishte katedrale dhe shërbente si seli Peshkopale.
    Me rindërtimin e tij në fillim të mesjetës qyteti u rrudh ne 1/3 e sipërfaqes që kishte patur gjatë periudhës antike, megjithatë ai vazhdoi të ishte një qendër e rëndësishme ekonomike, administrative dhe peshkopale.
    Me këtë "Urbanizim" të ri Bylisi duhet ti ketë qëndruar valëve të disa dyndjeve slave, të cilat në dallim nga sulmet e mëparshme nuk kishin karakter shkatërrues por ngulitës-kolonizues. Në Epirin e ri ashtu si dhe në provincat e tjera të Ilirisë së jugut, vala e këtyre dyndjeve vinte duke rënë sepse gjatë zbritjes së tyre në jug ato ndeshnin një kompaktësi të madhe të popullsisë autoktone. Ky territor kishte qëndra të fortifikuara, ekonomi të zhvilluar, struktura fetare të konsoliduara, rrjet të dendur të rrugëve të mëdha tregtare, nivel të lartë kulturor, të cilat i bënë ballë presionit sllav. Duke u mbështetur në resurse të tilla edhe qyteti i Bylisit e vazhdoi jetën e tij. Këtë e vërtetojnë edhe rindërtimet e tjera që i janë bërë mureve të tij në kohë të mëvonshme (K.Zheku. Monumentet 2, 1987, fq.98), "me gurë të thyer me çekan, me përmasa të çrregullta që lidhen midis tyre me llaç".
    Pushtimi Sllav duhet të ketë qënë i përkohshëm dhe administrata Bizantine e ruajti administrimin mbi qytetin siç ndodhi me trevat e bregdetit. Ndërkohë emri Kefalini (kryevend) duhet të jetë marrë pas dyndjeve sllave, gjatë sundimit në Bizant të Perandorit Herakel (610-641), kur në këtë shtet kozmopolit po përfundonte helenizimi dhe kur latinishtja si gjuhë e administratës po zëvendësohej me greqishten.
    Emrin krye vend (Kefalini) Bylisi e mori për pozicionin e vendodhjes që ai kishte mbi shkëmbin buzë Vjosës në lartësinë 524 m mbi nivelin e detit. Nga lartësia e kodrës së tij që sot quhet nga vendasit "Gradishta" e Hekalit, vështrimi të kap të gjitha anët e horizontit si: pjesën më të madhe të Mallakastrës, luginën e lumit Vjosa, malet e Labërisë, Llogaranë dhe bregdetin. Me këtë të fundit qyteti që ka luajtur gjatë antikitetit të vonë një rol të madh strategjik dhe ekonomik kryente komunikim me anë të lumit Vjosa ku ai kishte edhe skelën e vet.
    Në të tilla kushte e gjeti qytetin e Bylisit pushtimi i shtetit Bullgar. Të ardhur nga lindja nëpërmjet luginës së Devollit, Bullgarët u vendosën në Pulkeriopolis (Berat) të cilin e kthyen në qendër të nisjes së pushtimeve të mëvonshme. Të nisur prej këtu në vitet 842-860 ata u vendosën në zonën midis Vjosës dhe Semanit, të cilën do ta quanin në gjuhën e tyre Kutmiçevica.
    Veçoria e pushtimit Bullgar në tokat shqiptare ishte konvertimi i emrave të vendbanimeve nga emrat e tyre të vjetër origjinale në emra sllavo-bullgare. Sot në Shqipëri ruhen një pjesë e madhe toponimesh që i përkasin këtij grupi gjuhësor, sidomos në trevën e Mallakastrës.
    Bullgarët e shdërruan emrin Kefalini që përdorej zyrtarisht nga administrate Bizantine në Gllavinicë, i cili ishte vetëm përkthimi i të njëjtit term në gjuhën e tyre. (Gllava, Bullg-kokë,krye). I kësaj periudhe është edhe emri që ruan sot kodra mbi të cilin ngrihej qyteti, që në gjuhën bullgare do të thotë qytezë. "Gradishta".
    Në vitin 886 mbreti bullgar Borisi dërgoi si misionar fetar në krahinat Jug-Perëndim të shtetit të tij (Kutmiçeva), Shën Klementin. Në këtë zonë ku bënte pjesë edhe Gllavinica, Klementi kaloi një pjesë të madhe të kohës, duke predikuar Ungjillin duke u propoganduar besimtarëve shkrimin Cirilik. Në jetë shkrimin e Shën Klementit, Peshkopi i Ohrit Theofilakti (1094-1107) shkruan se: Mbreti Boris i dhuroi "shënjtit" vende për pushim në Ohër dhe Gllavinicë. (Miatev, Arkeologjia 1962, fq 5). Ndërsa në veprën e tij kushtuar të njëjtës figurë dhe të quajtur "Biografi e shkurtër", Peshkopi tjetër i Ohrit Dhimitër Homatiani (1912-1234) ndër të tjera thotë: "Kohën më të madhe Klementi e kalonte në Ohër dhe në Kefalini", të quajtur në gjuhën Bullgare Gllavinica (J.Ivanov, Bellgarski. Starini 12. Makedonija, Sofija 1931, fq. 318-319).
    Në qytetin për të cilin po flasim Klementi ndërtoi ose rindërtoi me iniciativën e vet disa monumente të tipit fetar, në muret e të cilave u shkruan ngjarjet më të rëndësishme të historisë fetare të Bullgarëve. "Në Kefalini mund të shihni edhe në këtë kohë shtylla guri ku janë gdhendur fjalë që shënojnë afrimin dhe bashkimin e popullit bullgar me Krishtin", shkruan Homatiani në biografinë e shkurtër, gjatë shekullit të XIII-të (1216-1234). Një nga këto shtylla u gjet në gërmimet arkeologjike të bëra në vitin 1918 në rrënojat e katedrales së Ballshit (origjina e ngatërrimit të problemit). Në njërën anë të saj ndodhej mbishkrimi në greqishten bizantine ku thuhej: "Princi i Bullgarisë Borisi kishte marrë emrin Mihal dhe ishte Pagëzuar bashkë me popullin e tij nga zoti në vitin 1374 (866). Kjo shtyllë guri në të cilën më vonë në anën tjetër të saj u gdhend edhe një mbishkrim tjetër humbi gjatë tërheqjes së ushtrive Austro-Hungareze gjatë vitit 1918. Publikimi i saj ngatërroi problemin e identifikimit të Gllavinicës, meqënëse ajo u gjet në Ballsh dhe jo në Bylis. Por Ballshi që sot përbën gjeografikisht një pellg, gjendet në luginën e Gjanicës. I rrethuar nga të gjitha anët nga kodra të larta ai nuk mund të quhet krye ose ball i vendit (Gllavinicë). Ndërkohë duke ju referuar Homatianit shtrojmë pyetjen se: Ku janë ato ndërtime kulti që Klementi ndërtoi në Gllavinicë, që sipas Th. Popës është Ballshi. N.q.se nuk ekzistojnë po rrënojat e tyre ku janë? Po vendet për pushim që Shënjtit ja dhuroi Mbreti Boris a mund të gjenden në Ballsh? Patjetër që jo. Ndërkohë gjithëkush që e kanë vizituar Bylisin mund të thotë duke u nisur nga shumë pikpamje se Klementi, e braktiste një pjesë të kohës në Ohër, për ta kaluar atë në Gllavinicë (Bylis), ku i kushtohej misionit të tij siç ishte mësimi i ungjillit dhe përhapja e ideologjisë së pushtuesit Bullgar. Por le të kthehemi përsëri tek Ballshi themi se: Kisha rrënojë ishte një Bazilikë monumentale me tre anijata.
    Sipas studimit që i ka bërë asaj Koço Zheku (Monumentet 2, 1987) duke u bazuar tek planimetria dhe teknika e ndërtimit, mendohet se ajo është ndërtuar gjatë mesjetës së mesme, kur u braktis Gllavinica (Bylisi). Mund të themi se për ndërtimin e saj u përdorën materiale të nxjerra nga kishat e qytetit. Disa prej tyre që erdhën nga Gllavinica në Ballsh dhe u përdorën për ndërtimin e kësaj Kishe ishin edhe shtylla me mbishkrimin e Borisit (shek.IX) dhe Robert Monforti (shek.XII), Pllaka e Patianos si dhe katër mbishkrimet e Viktorinit, rindërtuesit e qytetit të Bylisit. Nga dëshmitë e tjera historike thuhet se në Gllavinicë shërbyen si drejtues të Peshkopatës edhe Naumi, Ëngjëllori dhe Horazdi. Këta dy të fundit u varrosën këtu në (Gllavinicë) dhe lipsanat (eshtrat) e tyre u zhvendosën më vonë në Berat. (Th. Popa. (Studime historike 2, 1964).
    Arsyeja te çon të mendosh se figura të rëndësishme të klerit sllavo-bullgar u emëruan në një qytet të rëndësishëm, si vend i zhvillimit të arsimit dhe kulturës dhe jo drejtues të një manastiri, qoftë dhe i rëndësishëm siç kishte qënë ai i Ballshit (Th. Popa. Monumentet 2, 1964). Me largimin e pushtuesve bullgarë në vitin 1018 qyteti i Gllavinicës ju kthye përsëri për administrim administratës Bizantine. Në vitin 1019 Perandori Bizantin Vasili II, i Dinastisë Maqedonase në Krisobulën (diplomën) e tij të parë përmend edhe Gllavinicën. (Për Peshkopin e Gllavinicës në vetë Gllavinicë, Kaninë e Neaniskë urdhërojmë të ketë 40 klerikë dhe parikë). Nga pushtimi Bizantin Gllavinicën e shkëputi sulmi i normanëve në vitin 1081. Duke përshkruar fillimin e zbarkimit të trupave normane në tokat shqiptare A. Komnena thotë tek (Vëllimi I,Libri III, 12 fq 125-129) i Aleksadës se: "Në një kep të quajtur Gjuhë ra papritmas një furtunë e madhe. Anija ku ndodhej Roberti (Guiskardi) me vështirësi shpëtoi. Së bashku me ata që shpëtuan (ai) qëndroi për shtatë ditë në Gllavinicë me qëllim që të shlodhej duke pritur të vinte pjesa tjetër e ushtrisë nga Brindizi". Duke analizuar pasazhin e mësipërm mund të themi se vetëm Gllavinica (Bylisi) mund të strehonte ushtrinë normane që i shpëtoi përmbytjes. E ndodhur në thellësi të vendit dhe e fortifikuar ajo mund të kryente fare mirë detyrën mbrojtëse. Për në Gllavinicë normanët mund të kenë ndjekur rrjedhën e Vjosës ose trasenë e rrugës mesjetare Vlorë-Berat në mesin e së cilës gjendej qyteti. (J.Adami, Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri, fq 63). Këto dëshmi mendoj se janë argumente të forta që deshmojnë në favor të të qënit të Gllavinicës në Bylis dhe jo në Ballsh të vendosur në luginën e një përroi të vogël si Gjanica. Ndërsa gjatë fushatës së dytë normane të viteve 1107-1108, Gllavinica ruhej nga Bizantinët për pozicinon e saj dominues mbi Vjosë, e përfshirë në operacione ushtarake për rolin e saj strategjik. Në një fragment tjetër të Aleksiadës lidhur me këto ngjarje thuhet: "Ndërsa Aliati që ruante Gllavinicën së bashku me të zgjedhur të tjerë zbriti në fushë" (Aleksiada vëll II lib XII, fq 196-206). Këtu ai do të ndeshet me normanët në një vend moçalor. Ky argument është më i fortë që dëshmon se Gllavinica ndodhet mbi Vjosë ka përpara saj fushë, aq më tepër moçalore, e cila nuk gjendet pranë Ballshit në luginën e Gjanicës. Gjithashtu ushtaraku bizantin Kantakuzeni erdhi në Gllavinicë dhe dërgoi kundër normanëve Beroitin. Ky strateg shkatërroi anijet e normanëve të ankoruara në Vjosë, që sipas A. Komnenës lundrohet deri në Bylis (Aleksiada vell II lib XII, fq 5). Në këto luftime vritet edhe fisniku Norman Robert Monfort, i cili mbante titullin nëndukë.
    Ky kalorës varroset këtu me shpejtësi sepse nevojat e luftës nuk e lejonin zhvillimin e një ceremoniali të denjë për pozitën që zinte ai në hierarkinë Feudale-ushtarake. Mbi varrin e tij u vendos shtylla e gurit mbi të cilën ishte gdhendur dëshmia mbi kristianizimin e bullgarëve, që e kemi përmendur më sipër. Duke mos njohur greqishten dhe pa ditur dëshminë e këtij mbishkrimi, gurgdhëndësi Norman shkruajti në anën tjetër të shtyllës 14 vargje në latinisht që shërbyen si epitaf i varrit. Koço Zheku (Monumentet 2, 1987) mendon se në betejat e fundit të luftës normane bizantine, Gllavinica është djegur tërësisht për të mos e marrë më veten.
    Ky mendim mund të jetë i drejtë sepse siç na informon përsëri A. Komnena (Aleksiada vell II lib XII, fq 129-206) kur Kantakuzeni u nis drejt Gllavinicës iu afrua kështjellës së Mylit (N.Ceka mendon se është Cakrani) të cilën e rrethoi dhe e dogji, (Bizantinët me guxim iu afruan mureve dhe disa prej tyre duke hedhur brenda zjarr digjnin portat). Kështu mund të kenë vepruar edhe me Gllavinicën e cila pas disfatës se strategut bizantin Aliat, mund të ketë rënë në duart e ushtrive normane. Kështu qyteti pasi është djegur është bërë i pabanueshëm dhe një pjesë e popullsisë e braktisi atë duke u detyruar të vendoset në rajonin përreth. Kështu ndoshta lindi edhe vendbanimi i ri të cilin ajo nuk e quajti si të huajt pushtues: Kefalini ose Gllavinicë, por e pagëzoi me emrin shqip të ish qytetit të saj Bylis, Balis, Ball (koke), Ballsh. Me gurët e marrë nga qyteti i rrënuar ndërtohet Bazilika e Shën Mërisë së Ballshit, i cili më vonë pasi rrethohet nga konakët kthehet në një manastir të fortifikuar, ndoshta në seli të Peshkopit. Këtë fat patën edhe gurët me mbishkrimet e Viktorinit, Borisit, Robert Monfortit dhe Lipsanat e Shën Horazdit dhe Ëngjëllorit, të cilat u sollën nga Gllavinica në Ballsh. Por vendosja e mundshme e Peshkopit të Gllavinicës në këtë seli (të re) mund të ketë qënë një tjetër mundësi për ngatërrimin e Gllavinicës me Ballshin për shkak të titullit që vazhdoi të mbante ai.
    Të dhëna interesante që mund ti shfrytëzojmë në dobi të kësaj tezë janë dhe ato arkeologjike të cilat kanë gjetur në Bazilikat e qytetit gjurmë djegiesh. (S. Muçaj Iliria 1, 1987). Në këtë mënyrë mund të themi se pas shpërbërjes së Gllavinicës në vitet 1107-1108 Peshkopata e saj u zhvendos ne Ballsh. Si seli për Peshkopin shërbeiu Kisha e Shën Mërisë e cila ose u ndërtua në këtë vit. Por nuk përjashtojmë edhe variantin tjetër sipas të cilit kjo Kishë ishte ndërtuar dy shekuj më parë ndoshta në shek X (K.Zheku Monumentet 2, 1987) dhe kishte shërbyer si seli dimërore e Peshkopit të Gllavinicës (N.Ceka, Ilirët). Në braktisjen e Gllavinicës ajo ju nënshtrua restaurimit dhe zgjerimit duke ju përshtatur nevojave të reja të saj. Mbi këtë bazë fillon jetën e tij dhe vendbanimi i ri, Ballshi, i cili bëhet vazhdim i jetës së qytetit mëmë Gllavinicës. E kështu me Ballshin lidhet Epitafi i porositur nga Gjergj Arianiti në vitin 1373, i cili mori emrin për shkak të titullit që mbante Peshkopi i Gllavinicës, emri i të cilit është qëndisur ne mbishkrimin e tij.

  Next Next