Mati është një ndër 36 ndarjet territoriale të Republikës së Shqipërisë dhe një krahinë etnografike me tipare të veçanta, që e dallojnë nga trevat përreth. Në historinë e Shqipërisë Mati përmendet qysh nga antikiteti e deri në ditët tona, por ai nis dhe zë një pjesë të rëndësishme të saj duke nisur nga lufta Shqiptaro-Turke e shekullit të XV. Ndërkohë që nga kjo si njësi e rëndësishme krahinore e popullit shqiptar kanë dalë gjatë kohërave të ndryshme një sërë personalitetesh të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Sot ne deklarojmë hapur se Kastriotët ishin matjanë, dhe se në Mat ata kishin disa nga bazat më të fuqishme të tyre siç ishin Petralba dhe Stelushi. Këtu lindi Skënderbeu i vetmi hero i yni kombëtar, tashmë jo vetëm "personazh" i historisë dhe letërsisë por edhe i kinematografisë botërore.
Gjithashtu menjëherë pas vendosjes së pushtuesit turk Mati do të mbetet përsëri qendra e organizimit të qëndresës antiturke. Do të ishin disa nga kuvendet mbarëshqiptare që do të tuboheshin këtu. Mund të përmendim ato të viteve 1594 në manastirin e Shën Mërisë dhe atë të zhvilluar në kishën e Shën Aleksandrit në fshatin Dukagjin (Mat), ku morën pjesë 2656 delegatë, që përfaqësonin 14 krahina shqiptare.
Nga Mati ishte edhe një prej përfaqësuesve më në zë të letërsisë së vjetër shqipe dhe kulturës kombëtare si humanisti Pjetër Budi.
Pikërisht nga kjo trevë ishte edhe familja Zogolli, ku njëri prej përfaqësuesve të saj Ahmet Beu do të shpallej Presidenti i parë i Republikës Shqiptare (1925-1928) dhe mandej i pari mbret i Shqiptarëve (1928-1939). Ndërkohë që në Panteonin e madh të personaliteteve që ka nxjerrë Mati veçojmë edhe Gjeneralin Rexhep Pashë Mati, një nga ushtarakët e talentuar të armatës turke si dhe një patriot i madh, për të cilin kemi ndërtuar këtë shkrim të sotmin.
Shpesh herë nën shembullin e figurave dhe personaliteteve të shquara të së kaluarës ngrihen dhe krijojnë profilin e tyre edhe "personazhe" të tjerë, të cilët lenë gjurmë në kujtesën historike. I tillë ishte edhe Rexhep Pasha nga Batra. Ai lindi në vitin 1841 në familjen e Hasan Ruçit, një kleriku patriot. Qysh i vogël emigroi së bashku me familjen e tij në Edrenë (Turqi), ku ju krijua mundësitë që të ndiqte të gjitha stadet e arsimimit, derisa përfundoi studimet ushtarake. Pas diplomimit shërbeu në ushtrinë turke në shumë rajone të perandorisë sin ë Kaukaz, Arabi, Irak, Ballkan dhe së fundi në Afrikë. Shkallët e karrierës i nisi qysh në vitet e para të shërbimit si kapiten, kolonel, general dhe së fundi marëshall. Në vitin 1901 Sulltan Abdyl Hamiti e emëroi guvernator të Libisë. Caktimi i tij në këtë post nuk ishte i rastësishëm por ishte shumë i studjuar pasi në këtë periudhë Libia ishte bërë "objekt" i veprimtarisë së agjenturës Italiane, e cila kish nisur të përgatiste terrenin e një pushtimi të ardhshëm, të cilin e realizoi në vitin 1911. Në Libi ai veproi si një zyrtar I matur duke u përpjekur që të mbronte me mundësitë që I ofronte pozita Valiut në interesat e Perandorisë Osmane. Edhe këtu ashtu siç kishte bërë edhe më parë kur shërbente në Kosovë dhe Janinë ai vazhdoi të financonte dhe mbështeste lëvizjen kombëtare. Në vijim të kësaj veprimtarie ai ndihmoi Ismail Qemalin gjatë largimit të tij nga Turqia për ti shpëtuar hakmarrjes politike të sulltanit. Në Libi pranë Rexhep Pashës shërbente edhe Fejzi Bej Alizoti, një personazh që do të bëhej i njohur në politikën shqiptare të periudhës midis dy luftërave botërore. Pikërisht këtu në këtë provincë turke të Afrikës Veriore Rexhep Pasha vendosi lidhje të ngushta me xhonturqit të cilët në vitin 1908 e emëruan ministër lufte. Menjëherë pasi arriti shkallën më të lartë të karrierës së tij si pjestar i kabinetit qeveritar ai do të vdesë. Varianti zyrtar ishte se Rexhep Pasha ndërroi jetë pasi u godit nga një atak në zemër. Ndërkohë që ekziston edhe një hipotezë se ai u helmua nga sulltani. Këtë ide e hodhi për herë të parë shkrimtari Haki Stërmilli në vitin 1941. Ndërkohë që një tezë e dytë është edhe ajo e shprehur nga Eqrem bej Vlora se: Rexhep Pasha vdiq në kushte natyrore. Gjithsesi kjo gjë mbetet për tu vërtetuar në të ardhmen, prej historianëve.
Megjithatë vdekja e tij ishte një humbje e madhe për lëvizjen kombëtare shqiptare. Për këtë ngjarje Çajupi, poeti i rilindjes do të shkruante:
"Ngrehu Rexhep Pashë ngrehu
Ngrehu se të pret Atdheu..."
Në kujtimet e tij të shkruara në një ditar të rregullt që e mbante në çdo kohë, Eqrem bej Vlora, njëri prej njerëzve më të ditur të gjysmës së parë të shekullit XX në Shqipëri dhe përfaqësues i familjes Vlora, gjatë kohës, kur edhe ai shërbente si nëpunës i Perandorisë osmane e kishte njohur personalisht Rexhep Pashë Matin, të cilin gjatë udhëtimit që bëri në Janar të vitin 1907 nga Vlora në Tripoli (Libi) e përshkruan kështu.
Në Tripoli zunë vend në një lloj bujtine të quajtur Hotel Italia. Pas kësaj unë shkova në pallatin e mëkëmbësisë, ku i bëra një vizitë së pari Sekretarit të përgjithshëm Fejzi bej Alizotit, Shqiptar nga Gjirokastra dhe kushëri i largët i sime mëje dhe mandej i vetë valiut Marshall Rexhep Pashës nga Mati, një burrë vigan e i pashëm flokë verdhë, mik i tim eti dhe i të gjithë shqiptarëve. Ndërkohë që unë shkoja sa nga njëra zyrë në tjetrën të ndërtesës qeveritare, për të kryer vizitat e domosdoshme orientale e për të gëlltitur njëra pas tjetrës kafetë, të cilat nuk i shihja dot me sy, erdhi adashi im, kapiten Eqrem Rexhep Mati, djali i Marshallit dhe njëri nga miqtë e mi më të mirë. Ai jetonte zakonisht në Stamboll dhe kishte ardhur për të parë të atin… -Më thanë që marëshalli më priste për darkë. Pra përsëri mysafir. Morëm një makinë me qira dhe shkuam në një vend plot ajër, jashtë qytetit kur valiu kishte një vilë të thjeshtë, por të bollshme e të rrethuar nga një korije shumë e madhe palmash. Pasi na tregoi dhomat tona, miku im i biri i Pashait na çoi tek i ati. Sapo hymë në dhomë, e cila të çonte në një tarracë të gjerë, bashkë me Pashën. U ngrit në këmbë edhe një luan i vërtetë, që na i nguli sytë, ndonëse jo me inat, por me habi.
"-Afrohuni, afrohuni, na thirri Pashai, ju europianë këmbëlepuj! Shqiptari nuk ka frikë"!. Mirëpo të thuash të drejtën, sikur nuk ishte krejt ashtu. Ne nuk ishim në pozita të barabarta, ai e njihte dacin e tij, ai po ashtu atë, kurse net ë dy, unë dhe i biri ishim të huaj! Sidoqoftë unë mora zemër, u afrova dhe e përshëndeta marshallin disi i druajtur, ndërkohë që luani erdhi e zu të na merrte erë. Nuk ishte aspak për të qeshur, por sidoqoftë, unë e mbajta veten, madje dhe I lëmova grifën këtij daci të rrezikshëm. Rexhep Pasha më tregoi se ai ishte nga një lloj shumë i rrallë i luanëve të Persisë jugore, se ia kishin dhuruar fare të vocël, kur kishte qenë komandant ushtrie në Bagdad dhe se po bëheshin gjashtë vjet që po e mbante pranë. E pra tani ai nuk ishte më aspak i vogël, por një përbindësh që peshonte 200 kile.
Pastaj kur ne u ulëm, edhe luani zuri vend midis nesh. Pashai më pyeti për Shqipërinë, për njerëzit, për mënyrën sesi qeverisej vendi. Ai kishte ikur nga Mati para 40 vjetësh, por e fliste ende rrjedhshëm Shqipen dhe e quante veten Shqiptar të pastër. Nga pamja dukej si ndonjë Suedez apo Gjerman i veriut – shtatmadh, flokë verdhë me lëkurë të kuqe dhe sy të kaltër – shkurt një burrë i pashëm. Por i tillë ishte edhe nga shpirti dhe morali. Në kohën e Sulltan Abdyl Hamitit Tripoli ishte vend internimi për politikanët e rrezikshëm dhe për turqit e rinj ngatërrestarë, sidomos në provincën jugore Fesan, 800-900 km në jug, çoheshin ata më të rrezikshmit prej tyre. Ai që kishte fatkeqësinëtë dërgohej këtu, rrallë ndodhte që ta shihte përsëri vendin e vet. Rexhep Pasha me tu emëruar Vali i Tripolit, edhe pa qenë i autorizuar, u lidhi të gjithë këtyre fatkeqëve nga një rrogë mujore, në mënyrë që ata të mund të jetonin të qetë e pa kujdese… Për këtë sjellje fisnike të tij kundrejt të gjithë të përndjekurve politikë, në vitin 1908 marshalli u emërua Ministër i luftës dhe u soll me triumf në Stamboll. Por mjerisht ai vdiq disa ditë më vonë nga një krizë zemre.
Shumë historianë mendojnë se shqiptarët kanë patur një pozitë të privilegjuar në Perandorinë Osmane, duke rreshtuar një sërë zyrtarësh të lartë dhe personalitetesh të shumta. Të tjerë mendojnë ndryshe duke kundërshtuar të parët. Megjithatë debati nuk përbën ndonjë problem që ne të themi me përgjegjësi se në Panteonin e figurave të shumta të Shqiptarëve që drejtuan Perandorinë Osmane edhe Mati ka vendin e vet. I tillë ishte prej tij Rexhep Pashë Mati, gjenerali me zemër shqiptare. |