Rrafshimi i Kalasë për aktivitete sportive
E rrënuar një shekull më parë, sot kalaja e Vlorës nuk ekziston më. Në vend të saj sot në skelë ndodhen: stadiumi "Flamurtari" dhe "Pallati i Sportit". Prej saj nga koha e shkuar ka mbetur vetëm një kujtim, që tashmë mbetet i largët i harruar, si një tis mjegulle që përhapet mbi det.
Vlora
Në periudhën antike Vlora njihej me emrin Aulon që në greqisht do të thotë luginë dhe ishte nën zotërimin e bashkësisë fisnore Ilire të Amantëve. Duke patur një pozicion të favorshëm Aulona u përfshi herë në territoret e shtetit Ilir dhe herë të atij Epirot. Për disa kohë ajo u përfshi edhe në planet pushtuese të Mbretit të Maqedonisë Kasandrit, si ato të vitit 314 p.k, ndërsa pas luftërave Iliro-Romake Aulona u përfshi në territoret e shetit Romak. Më vonë treva e Vlorës përmendet gjatë luftërave civile midis Çezarit dhe Pompeut ku: Throni (Treporti), Kanina, Amantia e Oriku, ashtu si Apolonia mbështetën Çezarin gjatë operacioneve të tij ushtarake. Në shkrimet e autorëve antikë ky qytet përmendet në shekullin e II-të nga gjeografi grek nga Aleksandria Klaud Ptolemeu, i cili përcakton edhe koordinatat e saj gjeografike: 40o45'. Gjatë periudhës në fjalë ashtu si qytetet e tjera të bregdetit edhe Aulona u shndërrua në një qendër të kristianizmi, ku përmendet edhe një nga martirët e parë, Shën Eleuteri i Vlorës.
Rëndësia si qendër qytetare dhe ekonomike e Aulonës u rrit sidomos në fund të shek.të V-të, kur me shkatërrimin e Apolonisë nga tërmetet dhe largimi i Vjosës doli si fillim i rrugës Egnatia.
Ndërkohë që gjatë mesjetës së hershme qyteti shndërrohet nga dyndjet dhe pushtimet në një vendbanim të parëndësishëm. Në shekullin e IX edhe Aulona del në shënimet e Kostandin Porfirogjenetit, si një ndër nëntë qytetet e Themës Bizantine të Durrësit (Burime të zgjedhura të Historisë së Shqipërisë, vëll II-të fq27). Do të jenë fushatat e normanëve të Italisë së jugut që do ta përmendin këtë trevë si protagoniste të ngjarjeve historike të mëvonshme. Trupat e Boemundit të Tarentit do të zbarkojnë në Kaninë, Jeriko, (Orik) në vitin 1081, por duke qenë se qyteti nuk kishte fortifikim për të qenë i mbrojtur ato u futën në brendësi të vendit në Gllavinicë (Bylis) ku qëndruan pak kohë.
Edhe gjatë fushatave të tjera Normane qyteti për vetë afërsinë e tij nga brigjet e Pulias dhe rëndësinë strategjike u kthye në bazë të tyre. Më pas pushtimet normane do të pasohen nga Despotati i Epirit, ku njëri prej përfaqësuesve të tij Mihali II-të ja fali Vlorën si prikë të së bijës që u martua me mbretin e Napolit Manfredin, në vitin 1258. Si kapiten te viseve Shqiptare Manfredi emëroi admiralin e tij Filip Kinardin, i cili u martua me një grua fisnike nga Kanina. Pushtimi Napolitan vazhdoi edhe me dinastinë anzhuine deri në vitin 1272 kur Perandori Bizantin Androniku i II-të Paleolog ja riktheu përsëri Perandorisë Bizantine. Ndërkaq historia e pushtimeve do të vazhdojë akoma, kur në vitin 1345 do të pushtohet nga serbët. Këtu historia e qytetit do të bëhet vërtet interesane me një numër ngjarjesh të cilat janë të rëndësishme edhe për Historinë e Shqipërisë.
Gjatë mesjetës kohe qyteti dhe rrethina e tij dalloheshin për verën, ullinjtë dhe kripën si artikujt kryesorë të eksportimit vendas. Me rënien e Perandorisë Serbe qyteti ishte qendër e Despotatit të Vlorës që drejtohej nga Jovan Komnen Aseni, kunati i Perandorit Serb Stefan Dushani. Në vitin 1371 në krye të despotatit del Aleksandri i Vlorës, i vrarë në betejën e Moricës (Bullgari), ku ndeshen për herë të parë Ballkanasit me turqit osmanë. Pas vdekjes së Aleksandrit Vlora bie në duart e Muzakajve, të cilët pas martesës së Komita Muzakës ja japin si prikë Balshës së II-të. Balshajt do ta mbajnë Vlorën deri në vitin 1385 kur pas vrasjes së Balshës së I-rë në ndeshjen e zhvilluar në Savër, Komita u detyrua tja shiste qytetin Venedikut. (pasi ka shumë ditë që këtu ndodhet një Peshkop i Shqipërisë, Ambasador i Zonjës së Vlorës i cili thotë se kjo zonjë është e kënaqur te paqë vendet e veta si Avalonën, Janinën, Himarën). Osmanët e pushtuan Vlorën në 1417 por e humbën në 1504 dhe 1690 për ta rimarë përsëri. Gjatë shekujve të XV-XVI qyteti u bë për shumë herë bazë pregatitjesh për pushtimin e Otrantos. Turqit qëndruan në Vlorë deri në vitin 1912. Në vitet 1519-1520 në Vlorë u vendosën 609 familje Çifute (J.Petifer. Shqipëria dhe Kosova. Tirane 2003.fq.478) të ardhur nga Spanja, pas politikës dëbuese të Perandorit Karli V Habzburg. Hebrenjtë e morën me tregti.
Në 28 Nëntor 1912 nën drejtimin e Ismail Qemalit Kuvendi Kombëtar shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe Vlora shërbeu në vitet 1912-1914 si Kryeqyteti i parë i Shtetit Shqiptar. Fillimi i Luftës së Parë Botërore (1914-1918) e ktheu Vlorën në bazë të ushtrisë Italiane ku qyteti, rrethinat dhe ishulli I Sazanit i njihej Italisë si zotërim nga traktati i fshehtë i Londrës (26 Prill 1915). Lufta e Vlorës (qershor-korrik 1920) ishte një luftë popullore që i detyroi Italianët të tërhiqeshin nga Vlora, e cila ju bashkua shtetit Shqiptar me përjashtim të Sazanit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore krahina e Vlorës shërbeu si burim kryesor njerëzor i UNÇSH-së, duke dhënë një kontribut të shquar në luftën partizane. Pas luftës së dytë botërore regjimi komunist e ktheu Vlorën në bazën më të madhe ushtarake detare të traktatit të Varshavës në Mesdhe. Gjatë krizës politike midis Tiranës dhe Moskës, Vlora luajti rol parësor në përplasjen ushtarake të bazës së nëndetësëve në Pashaliman.
E shpallura qytet Hero për kontributin e dhënë në lëvizjet Kombëtare, Vlora sot është qendër e rëndësishme ekonomike, shoqërore kulturore universitare dhe turistike në jug-perëndim të Shqipërisë.
Kalaja e Vlorës
Kalaja e Vlorës shtrihej në skelë, rreth 150 m nga bregu i detit, në vendin ku ndodhet sot stadiumi dhe pallati i sportit. Ajo u ndërtua në vitin 1531 me urdhër të Sulltan Sulejman Madhështorit (A.Bace. Kalaja e Vlorës. Monumentet 5-6 1973. fq.43-59). Ideja e tij ishte që kjo fortesë ti shërbente Vlorës, e cila konsiderohej si bazë e Marinës turke në pjesën perëndimore të Perandorisë Osmane.
Kalaja kishte trajtë tetëkëndëshi të rregullt, me gjatësi brinjësh 90 m dhe zinte një sipërfaqe prej 3.5 ha. Ajo kishte gjithsej 10 kulla mbrojtëse të vendosura në secilin kënd. Ndërsa muret ishin të lartë 15 m dhe ishin të paisur në pjesën e sipërme me bedena. Kalaja kishe dy hyrje kryesore, portat e të cilave ishin të tipit urë. Muret rrethoheshin nga një kanal që e bënte të vështirë sulmin mbi të.
Në pjesën e brendshme të kësaj fortese në drejtim të jug-perëndimit gjendej edhe një kryekullë (po aty fq. 47) e shkëputur nga muret e kalasë. Ajo ishe shtatëkatëshe dhe mbulohej nganjë kupolë e mbrojtur me plumb. Kulla kishte edhe frëngji për topa dhe brenda saj ishin vendosur magazinat dhe komanda e kalasë (Gj.Karaiskaj 5000 vjet fortifikime në shqipëri, Tirane 1981 fq 218). Interesant është fakti që kjo kullë është e ngjashme me kullën e bardhë të Selanikut dhe kullën e kështjellës Rumeli-Hisar buzë Bosforit, që tregojnë teknikën e afërt të ndërtimit.
Mendohet se njeriu që e projektoi këtë fortesë ishte arkitekt Sinani. Këtë fakt e dëshmon udhëtari turk i shekullit të XVII Evlija Çelebi, (cituar nga Monumentet 5-6, 1973). Ndërkohë që njihet fakti se Sinani me origjinë shqiptare, ishte gjatë mbretërimit të Sulltan Sulejmanit arkitekt i tij. Ai jetoi 108 vjet dhe ndërtoi 81 xhami, 26 biblioteka, 33 pallate, e qindra kulla sahati. (P.Thëngjilli, Historia e Perandorisë Osmane, Tirane 1997, fq.83).
Për ndërtimin e kalasë u përdorën gurët e mureve të qytetit antik në Treport (Zvërnec) (A.Bace. Monumentet 5-7 1973 fq.48).
Kalaja "jetoi" deri në vitin 1905 kur me urdhër të bashkisë së Vlorës u rrënua, sepse gurët e saj u përdorën për ndërtimin e rrugës Skelë – Vlorë.
Sulltan Sulejman Madhështori
Sulejmani ishte i dhjeti Sulltan i dinastisë Osmane. Ai hipi në fron në vitin 1520 kur Perandoria po jetonte zenitin e saj. Me veprimtarinë e tij të gjithanshme ai ndikoi në forcimin e mëtejshëm të shtetit Osman. Gjatë sundimit të Sulejmanit u vendosën marrëdhënie të rregullta midis Sulltanit dhe Klerit Islam. Gjithashtu ai punoi për rregullimin e financave, administrimin e sistemit të timarit, stabilizimin e tregtisë etj. Por vepra më e madhe e tij ishte në drejtim të Legjislacionit, të cilin Sulejmani e plotësoi më tej. Për këtë ai fitoi edhe epitetin Ligjvënësi (Kanoniu), duke hartuar konuname për çdo Sanxhak. Një tjetër vepër e këtij sulltani ambicioz ishte edhe reforma administrative e Perandorisë. Sulejmani e ndau atë në 32 Elajete, të cilat si ndarjet më të mëdha administrative ndaheshin më tej në njësi më të vogla si: Sanxhakë, kaza e nahije.
E veçanta ishte se Sulltani ishte poet dhe mbështetës i Letërsisë dhe i artit. Ai ndërtoi xhaminë e famshme Sulejmanie në Stamboll, krijoi qindra Vakëfe (P.Thëngjilli, Historia e Perandorisë Osmane. Tirane 1997, fq.64) dhe morri titullin "Mbrojtës i botës islame".
Ndërkohë që mbi të gjitha Sulejmani ishte një ushtarak i talentuar. Duke drejtuar 13 fushata të mëdha pushtimesh ku pjesë të Perandorisë u bënë: Algjeria (1520), Rodosi (1522), Hungaria (1526), Moldavia (1538), Mesopotamia (1538), Jemeni (1546), Libia (1556). Midis sukseseve ushtarake Sulejmani pati edhe dështime siç ishin Rrethimi i Vjenës në vitin 1529, i cili përfundoi me disfatë , kryengritja Egjiptiane dhe revoltat e jeniçerëve në Stamboll. Kështu në Europën Qëndrore politika e pushtimeve e ndjekur nga Sulejmani thithi gjithë energjitë dhe mjetet financiare te Hazburgëve. Sulmi i beftë mbi Vjenën e detyroi Karlin e V-të Habzburg të tërhiqej dhe kjo solli kapjen e tij nga Luteranët, fakt që ndikoi në ndryshimin e hartës fetare të Europës Perëndimore.
Edhe në politikën e jashtme Sulejmani u tregua diplomat i aftë. Në vijim të kësaj politike ai nënshkroi në vitin 1535 një marrëveshje me Francën për të luftuar kundër Habzburgëve. Sulejmani u afrua edhe me Luteranët (po aty fq.37) të cilët i nxiti kundër Karlit të V-të Habzburg. Ishte presioni Osman ai që ndikoi në fitoren e Protestantëve.
Te tjera
Gjatë vitit 1537 gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri për shtypjen e kryengritjes së Himarës dhe pushtimin e Korfuzit, Sulltan Sulejmani (E.Bej.Vlora. Kujtime. Tirane 2003 fq.203) ngriti kampn ushtarak në jug të qytetit të Vlorës pranë Tragjasit, në një pllajë të vogël buzë detit. Edhe sot e kësaj dite ky vend quhet nga vendasit "fusha e mbretit" në kujtim të ngjarjeve të kohës së shkuar.
Gjatë këtij udhëtimi Sulejman Madhështori organizoi edhe administratën civile në territorin e Shqipërisë. Kështu Sanxhaku i Vlorës ju hoq nga administrimi i Komandantit të Flotës turke (Kapidan Dergait), (po aty.fq.37) dhe u vu nën varësinë e Vezirit të madh. Sanxhaku i Vlorës ishte përfaqësues lokal i pushtetit të Sulltanit. Nga vitit 1481 e deri në vitin 1828 me ndonjë shkëputje të vogël këtë post e mbajtën përfaqësuesit e familjes Vlora.
Xhamia Muradie
Ndodhet në qendër të qytetit, poshtë teqesë së famshme bektashiane të Kuzum Babait. Mendohet se është ndërtuar në vitet 1531-1550 nga arkitekt Sinani. E ndërtuar në stilin turko-bizantin ajo shfaqet edhe sot hijerëndë, duke dëshmuar përpara nesh shkëlqimin e një epoke të kaluar.
Xhamia është ndërtuar me gurë në formë paralelopipedi, të cilët janë vendosur në formë brezash, të kombinuar me tulla të kuqe. Hijeshi të veçantë asaj i japin edhe kupola e mbuluar me tjegulla të kuqe dhe minarja e ndërtuar krejtësisht me gurë të bardhë.
Kuz Babai
Me këtë emër quhet sot në Vlorë pika më e lartë e qytetit e cila është një kodër që bie thikë në pjesën lindore të qytetit. Aty ndodhet edhe një bar-restorant i cili për, panoramën e bukur e të jashtëzakonshme që duket prej tij, është shumë i preferuar nga frekuentuesit vendas dhe të huaj. Ndërkohë që në këto vite të fundit edhe Mekami (mauzoleu) është rindërtuar me një arkitekturë monumentale, ku mbizotëron ngjyra jeshile, është një nga simbolet e Bektashizmit.
Sipas legjendës një Dervish shëtitës Bektashi i quajtur "Kuzum Baba" erdhi në Vlorë. Gjatë rrugës për në qafën e Koçiut e cila ndohet, mbi Vlorë disa grabitës e kapën dhe e vranë. Atëherë ndodhi mrekullia sepse, babai me kokën e prerë në dorë erdhi në kodrën në fjalë dhe la porosi që ta varrosnin aty. Më vonë aty u ndërtua Mekami dhe një tyrbe, të cilat u braktisën pas vitit 1803, kur me urdhër të Sanxhakbeut të Vlorës, Ibrahim Pashës veprimtaria e këtij sekti u transferua në Kaninë (E.Bej.Vlora. Kalaja e Kaninës dhe shkrime të tjera. fq.19).
Oxhaku i Vlorajve
Historia e vjetër e qytetit të Vlorës është e lidhur ngushtë edhe me familjen Vlora. Sipas gojëdhanës popullore (E.Bej.Vlora. Kujtime. Tirane 2003 fq.571-575) origjina e kësaj familjeje është nga Kanina. Njëri prej anëtarëve të saj u kthye në myslyman, duke u quajtur Mehmed bin Abdullah. I përfshirë në sistemin e devshirmesë më vonë ai u emërua komandant (dizdar) i kalasë së Kaninës. Nga ky dizdar rridhte edhe Gjegju Sinan Pasha, dhëndër i Sulltan Bajazitit II, i martuar me vajzën e tij të madhe Hadixhën.
Ky personazh u bë në dy periudha kohore admiral i madh dhe Sanxhakbej i Vlorës si në 1485-1487 dhe 1491-1503. Në periudhën e dytë të qeverisjes ai erdhi nga Konia e Anadollit, ku në vitet 1487-1491 kishte shërbyer si bejlerbej. Në Kaninë Gjegju Sinan Pasha ndërtoi edhe një teqe bektashiane, në të cilën u varros pas humbjes së jetës në një betejë detare në gjirin e Vlorës në 24 Prill të vitit 1503. (po aty fq.573). Nga Gjegju Sinan Pasha e deri në vitin 1828 si Sanxhakbej të Vlorës kanë qeverisur 21 anëtarë të familjes Vlora.
Ndërkohë që përveçse shumë anëtarë të kësaj familjeje që kanë dhënë jetën për lavdinë dhe forcimin e Perandorisë Osmane do të përmendim edhe dy personazhe të famshëm tashmë si: Ferit Pashë Vlora, Vezir i madh (Kryeministër) i Perandorisë Osmane në vitet 1903-1908 Ismail Qemal Vlora si Kryetar i Shtetit të Pavarur Shqiptar në vitet 1912 (po aty fq.37).
Në vend të mbylljes
Edhe sot në krahinën e Himarës këndohet një këngë me titull Damiani i Himarës.
Ja se ç’thonë disa nga vargjet e saj:
"Hapu vetëtimë se shkova
Pritmëni malet e flakës
si zogu nga deti dola
unë jam Damiani i Himarës"
Kënga i kushtohet Damianit, i cili ishte përfshirë në komplotin për të vrarë Sulltan Sulejmanin në kohën kur ushtria turke ishte vendosur në fushën e Tragjasit. Këtë fakt e gjejmë edhe tek libri Historia e Korfuzit e autorit venecian Marmora, botuar në vitin 1672 ku thuhet se:
Damiani një nga kapedanët e Himarës u dërgua në kampin turk për të hetuar se ku ishte çadra e Sulltan Sulejmanit, që më pas së bashku me shokët të sulmonin me qëllim që të vrisnin Sulltanin. Natën e 25 Korrikut 1537 pasi u nda prej të vetëve Damiani u ul nën një pemë pranë çadrës së Sulejmanit, duke pritur që agimi të jepte dritë për ndërmarrjen e tij. Sapo zbardhi aty erdhi papandehur Ajaz Pasha, një nga ushtarakët e Sulejmanit, himariot nga origjina. Plot dyshim ai e pyeti Damianin, i cili ju përgjigj me dinakëri se: ishte vasal i Sulltanit dhe pasi kishte ardhur vonë në kamp e kishte zënë gjumi nën këtë pemë. Por Ajaz Pasha e arrestoi Damianin dhe bëri që me anë të torturave të tregonte të vërtetën. Më pas në mënyrë mizore Damianin e vranë. Kështu e përfundon autori Italian tregimin, duke theksuar se: "U shua ajo jetë që mund të bënte të pavdekshëm emrin e HImariotëve në shekujt e ardhshëm". E kështu dështoi komploti ndaj Sulltan Sulejmanit, të cilit Vlora, Himara dhe Shqipëria do ti rezervonin një "surprizë" të tillë. |