Ilirjan Gjika

Deri më sot edhe ne, ashtu si shumica e Shqiptarëve kemi mësuar në shkollë dhe nga librat e historisë se: Shqipëria u pushtua nga turqit pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468, ndërsa dy qytetet e fundit Kruja dhe Shkodra ranë në duart e osmanëve respektivisht 10-11 vjet më vonë.

Kështu na është servirur historia dhe kështu e kemi mësuar atë. Por faktet tregojnë diçka tjetër, të cilën masa e gjerë e auditorit dhe publikut nuk e ka ditur më parë, sikurse shumë dëshmi dhe fakte të historisë dhe kulturës shqiptare. I tillë është edhe rasti i jetëshkrimit të njërit prej shkrimtarëve të letërsisë së vjetër shqipe Pjetër Budit.Të gjithë burimet e shkruara në të cilat bazohet historia e letërsisë shqiptare dhe tekstet e ndryshme theksojnë se ai ishte nga Guri i Bardhë i Matit. Por hulumtimet e reja na sjellin të tjera dëshmi. Pikërisht këtë gjë dhe të tjera informacione po ofrojmë në këtë shkrim të sotëm, të cilin do ta shohim nga pikpamja regjionale duke marrë si pikë referimi rajonin e Matit.

Në vitin 1968 historiani i shquar Selami Pulaha botoi një korpus dokumentash të vjetra turke që i përkisnin periudhës së luftës shqiptaro-turke të shekujve XIII-XIV, të titulluara ''Lufta Shqiptaro-Turke'' e shekullit të XV-të. Botimi prej 426 faqesh ishte financuar nga Universiteti i Tiranës dhe Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë ku trajtohen ngjarje të shekujve XIII-XVI, të shkruara nga historianët dhe kronikanët ushtarakë më të njohur osmanë si: Ahmedi, Shukrullahu, Enveri, Oruçi, Arshik Pashë Zadea, Neshriu, Tursuni, Idriz Bitlisi, Ibn Kemali, Nishanxhiu, Sadedini, Aliu, Sollak Zadea, Mynexhim Bashi, etj.

Libri trajton informacione dhe fakte të zhvillimeve historike që nisin nga ngjarjet e betejës së Savrës, betejën e fushë Kosovës, Rënien e Princave Shqiptarë si Balshajt dhe Topiajt nën Vasalitetin turk, rregjistrimet e tokave shqiptare, fushatat pushtuese të Sulltan Bajazitit, pushtimin e Krujës, Kryengritjen e Gjon Kastriotit, Rininë e Skënderbeut, Rrethimet e Krujës, Themelimin e Elbasanit, etj.

Ndërkohë midis materialeve të mësipërme jepet edhe ''Defteri'' turk i Dibrës i regjistruar në vitin 1467, në të cilin paraqiten timaret në zotërim të përfaqësuesve të klasës feudale-ushtarake osmane, Spahinjve, dhe të dhëna të tjera.
    Në defter janë regjistruar kryefamiljarët e secilit, fshat dhe taksat, të cilat tregojnë se Mati, qëndra kryesore e Skënderbeut gjatë rezistencës anti-osmane ishte pushtuar nga turqit qysh në fillim të vitit 1467 apo qysh në vitin 1466, vit kur Mehmeti II-të organizoi fushatën e rrethimit të dytë të Krujës. Së bashku me Matin, turqit kishin pushtuar edhe Dibrën, Urakën, Bendën, Çermenikën dhe Kurbinin. Regjistrimet turke të këtyre trevave tregojnë se në çfarë pozite të vështirë gjendej Gjergj Kastrioti dhe Shteti i tij nuk ekzistonte më, qysh në Mars 1467. Pikërisht këto kushte të vështira do ta detyronin atë të thërriste një kuvend të ri në Lezhë, gjë të cilën nuk e realizoi dot për shkak të vdekjes më 17 Janar të vitit 1468.
    Në regjistër thuhet se ndër taksat kryesore që vileshin në Vilajetin e Matit ishtë edhe ispenxha. Ajo vilej nga fshatarët e krishterë dhe i paguhej spahiut. Ispenxhën e paguanin të gjithë meshkujt e moshës madhore në masën e 25 akçeve. Një taksë tjetër ishte ajo që merrej nga drithërat dhe quhej e dhjeta dhe llogaritej në masën e killës që varionte në vlerën 14-20 akçe. Gjithashtu paguhej edhe taksa e mushtit gjë që tregonte se në Mat kultivoheshin vreshtat në një nivel të lartë. Psh. Fshatrat Liz (Lis) dhe Xhibaj jepnin nga 2000 akçe secili taksë mushti, (defter nr.9). Mushti llogaritej në masën e Vedrës, e cila ishte e barabartë në vlerën e 8 akçeve.
    Lista e fshatarëve të regjistruar në muajin Saban-ul muazan (Mars) të hixhrit 871 (1467), renditej si më poshtë:
Haset e Mirmilait (feudal ushtarak) përbëheshin nga fshatrat. Bila-Kamin (Gur i bardhë), me 46 shtëpi, Kilos (Klos), në 8 shtëpi, Kurdarije me 16 shtëpi, Liz (Lis) me 9 shtëpi, në të cilin zhvillohej pazari, Xhibaj me 11 shtëpi, Miza me 5 shtëpi dhe fshati Martanashtë (Martanesh) me 28 shtëpi, i cili ishte i falur nga haraçi dhe paguante vetëm ispenxhën përgjysëm.
    Timare të tjera ishin edhe ato të Vojvodës Karagjoz që përbëhej nga fshatrat: Kita (Keta) dhe Selita, timari i Ballabanit që përbëhej nga fshati Çipur, timari i Berakut që përbëhej nga fshatrat: Gur, Kuragjir, Bisar, Balish dhe Firank (Frankth). Timari i Jusufit që përbëhej nga fshatrat: Dardas (Darësi), Flukt (Fullqet) dhe Iftoni (Ftoni), timari i Dragosllavit që përbëhej nga fshati Paskada, timari i Lumoshit që përbëhej nga fshati Meshtroni, timari i Alek Ripës që përbëhej nga fshati Kijan, timari i Priftit Pjetër që përbëhej nga fshati Briska, timari i Turkut Ali që përbëhej nga fshati Maloniza, timari i Hezer Qinamit që përbëhej nga fshati Bijon, timari i Aliut që përbëhej nga fshatrat: Maçukli (Macukull), Shëndthimi, Bujan, Dirjani (Derjan), Shtjaknez, Shiliu (Shlliu), Shëndellshdir, Vaqar, Kalovaç, Nebas (Bas), Pishkash (Bishkash) dhe Shtojit. Timari i Koli Gjergjit, Gjonimës, Gjergjit, Todarit që përbëheshin nga fshatrat: Burrel, Miza, Bazda. Timari i Sirodit dhe Pjetër Gjinamit që përbëhej ng fshatrat: Plesh, Shënkoll, Çiruja (Cerruja), Kukaten, Patin dhe Beshmi. Timari i Hezerit që përbëhej nga fshatrat Dizdar, Meshtra dhe Gur.
    Gjithashtu në defter jepen edhe emrat e disa feudalëve të vegjël si: Vojnukët Andrea Xhoka në Klos, Duka Marku dhe Pjetër Gjonima në Lis, Zef Buz Bulla në Derjan dhe Shiri Gjinani në Bejn.
    Ndërsa Jamakët të tjerë feudale të vegjël mund të përmendim ata që i ndeshim në: Kurdari si Mitër Aleksin, në Lis Kolë Riçin dhe Vladko Lizin e Lazar Mhillin. Në Shtjaknëz Mark Kastriotin, në Derjan Andrea Kipotën, në Bejn Gjergj Kesarin dhe Kol Shirin.

Pra Mati ,kryeqëndra e Kastriotëve ashtu si pjesa më e madhe e Shqipërisë ishte që nga kjo kohë nën pushtimin Turk dhe se Skënderbeut i kishte mbetur vetëm Kruja dhe malësia e saj. Ai kishte humbur edhe bazën dhe njëkohësisht rezidencën familjare të Kastriotëve siç ishte Kalaja e Petralbës e cila sot njihet me emrin Gur i Bardhë, në kufirin ndarës të Matit me Malësinë e Tiranës.
    Sipas të njëjtit regjistër që cituam më sipër në fshatin Guri i Bardhë ndeshim tek familjet e tij këto mbiemra si: Gazi, Limani, Aleksi, Buluzi, Rakizi, Muzaka, Dajxhi, Çokani, Puliti, Thoma, Spavoli, Baliti, Sënkuri, Shguni, Bulushi, Shirgji, Duka, Nikolla, Lalnikolla, Jani, Mizi, Kuprini, Biza, Skalabra, Koçani dhe Mirzi. Çuditërisht mungon mbiemri Budi fakt që tregon se kjo familje nuk ishte nga ky fshat.
    Por nga shfletimi i mëtejshëm vërejmë se në Shlli në një tjetër fshat të Matit regjistri na jep listën e kryefamiljarëve në të cilën ndeshim emrat e Pjetër Budit, Martin Budit, Shtjefën Lartës dhe Dom Lazarit. Duke vërejtur mbiemrat mund të gjykojmë se parardhësit e Pjetër Budit janë nga Shlliu dhe më pas janë zhvendosur për arsye të ndryshme drejt Gurit të Bardhë, ku lindi edhe përfaqësuesi i letërsisë së vjetër Shqipe: Pjetër Budi, nipi Pjetrit apo Martinit të Shlliut. Pikërisht në këto vite të pushtimit turk Budët janë zhvendosur nga Shlliu drejt Gurit të Bardhë ku do të ngrejnë edhe shtëpinë e tye e cila ka mbetur sot dëshmia e ekzistencës së tyre.
    Hulumtimi me vemendje i dokumentave historike duhet të jetë prioritet kryesor i historianëve dhe studjuesve pasi në arkivat dhe bibliotekat tona flenë mjaft të dhëna të cilat dikur janë anash kaluar ndoshta edhe në mënyrë të qëllimshme. Eshtë detyra jonë ti nxisim studjuesit dhe njerëzit kompetentë që të thellohen mbi to për të gjetur dhe evidentuar ngjarjet, zhvillimet dhe arritjet kulturore të së kaluarës Shqiptare.