Ilirjan Gjika

                                                                Mbishkrimi i Mark Lolianosit

Fisi Ilir i Bylinëve jetonte në krahinën e sotme të Mallakastrës, përgjatë luginës së Vjosës. Gjatë periudhës urbane (qytetare) nga shek V-të deri në të I-in p.k. u krijua koinoni (lidhja) i bylinëve rreth qytetit të Bylisit (Hekal).
    Kjo bashkësi kishte kuptimin e njësise politike (shtetit). Koinoni shtrihej në trevën e Mallakastrës midis malit të Sinjës në lindje, lumit Vjosa ne jug dhe qyteteve të Orgesos dhe Cakranit në perëndim. Nga pikëpamja ekonomike ai zotërohej nga qyteti kryesor, i Bylisit. Ky fakt vërtetohet nga lista e "theradokëve" të Delfit, (220-189) p.k. Sipas një autori tjetër Stefan Bizantinit thuhet se ky qytet u themelua nga Neoptolemi, Prijesi i Mirmidonëve. I pari autor antik që e përmend këtë qytet, është Psedo-Skylaksi në shekullin IV p.k. i cili thekson se, Bylisi është fqinj i amantëve
    Krahina e Bylinëve (Ager Byllinus), sipas Tit Livit shtrihej përgjatë Vjosës deri në Adriatik. Nga Amantet bylinet i ndante Vjosa, në juglindje kufizoheshin me Parauejte, ndërsa në veri të tyre ndodheshin Taulantët. Si qytet Bysili kontrollonte krahinën e Mallakastrës, luginën e Vjosës, rrugen Apoloni-Antigonë dhe rajonin përreth të Ilirisë jugore.
    Në këtë koinon bënin pjesë edhe qytetet Nikaja (Klos), Orgesos (Margelliç), Gurezezë (Cakran), Mashkjezë etj. Bylisi kishte një sipërfaqe prej 30 ha dhe ishte i fortifikuar nga një mur i tipit katërkëndësh, i cili kishte 7 hyrje të mbrojtura me kulla. Gjatësia e murit ishte 2200 m. Ai rrethonte sipërfaqen e kodrës së qytetit me lartësi prej 524 m. Në shekullin e III-II p.k. Bylisi arriti një zhvillim të madh ekonomiko-politik dhe shoqeror. Si qëndër koinoni, Bylisi kishte organe që zgjidheshin çdo vit nga mbledhja e përgjithshme e qytetarëve (Eklesia). Prej saj dilte këshilli legjislativ (Bulea), si dhe organi perfaqesues i njesive, qe perbehej nga Demiurget. Zbatimi i vendimeve bëhej nga një kolegj nënpunësish të quajtur Prytane, të cilët qeverisnin me rradhë gjatë një viti të shoqëruar nga një sekretar.
    Detyrën e kreut të koinonit e kryente strategu, komandanti ushtarak. Ndihmes i tij ishte Hiparku, komandanti i kalorësisë ndërsa nëpunës të tjere ishin: Gymnastarket, të cilët merreshin me edukimin e rinisë, Agonotetët nëpunësit e organizimit të festave e të garave sportive, Tamiasi – drejtuesi i financave etj.     Koinoni i Bylinëve ishte një njësi autonome i cili herë ishte nën varësinë e shtetit Ilir, herë të atij Epirjot. Koinoni kishte formën republikane të qeverisjes.
    Bylisi u kthye edhe në një qëndër të rëndësishme tregetare. Qysh në vitet 270 p.k, ai preu monedhat e tij prej bronzi. Këto monedha mbanin simbolet e qytetit në vitet 230-146 p.k. Punishtet shtetërore dhe ato private të Bylisit konkuronin prodhimet e Apolonisë në këtë trevë, e më gjërë.
    Bylisi që sipas legjendes, ishte krijuar nga Neoptolemi, u shndërrua në qytetin më të madh të Ilirisë së jugut. Në të, qysh gjatë shekullit të III-të p.k, u ndërtua Agoraja (qëndra) e qytetit me sipërfaqe 4 ha, ku ngrihej teatri i cili kishte një kapacitet prej 9000 mijë vëndesh. Godina të tjera ishin edhe stadiumi dhe gjimnazi.
    Gjatë luftës së tretë Iliro-Romake Bylisi mbajti anën e Romës. Pas pushtimit romak ai u përfshi në provincën e Maqedonisë dhe ruajti autonominë, deri në shek. e I-rë, kur u kthye në koloni romake nga O. Augusti. Me ndarjen e Perandorisë romake në dy pjesë në vitin 395 Bylisi i kaloi Perandorisë Bizantine.
    Ndërkohë që në vitin 545 sllavet u shtynë në thellësi të Trakisë kurse në vitet 547-548, ata shkatërruan Dalmacinë dhe Ilirinë duke arritur deri në Dyrrah, në vitin 579. Pasi e shkatërruan qytetin e plaçkiten dhe e shpopulluan. Me pas sllavet i’u vërsulën bregdetit të Epirit të ri duke shkuar deri në Vjosë, nëpërmjet trevës sonë.
    Sllavet pushtuan me lehtësi të gjitha qytetet e keshtjellat që përforcoi dhe ndërtoi Justiniani, sepse siç e përmendëm më sipër ato nuk kish kush t’i mbronte. Justiniani ndërtoi në Epirin e ri gjithsej 58 fortifikime. Njëzet e gjashtë ishin rindërtime ndërsa tridhjetë e dy ndërtime të reja. Prokopi i Çezaresë shkruan së me një punë të sforcuar dhe të mundishme u rindërtuan dy qytete të Dyrrahut, Amantias, Aulones, Antipatrias, Argyas (Margëlliçit), Bylisit etj.
    Në këtë territor punimet i drejtoi arkitekti i Justinianit Viktorinusi, i cili përmëndet për veprën e tij nga një seri mbishkrimesh. Në veprën e Prokopit nuk përmendet Apolonia. Me banoret që braktisen qytetin mund të jenë mbushur qytetet e vogla, që gjendeshin rreth e përqark saj, të cilat në këtë kohë u rrudhën në formën e Kështjellave.
    Sipas Shuflait të tilla ishin, Spinarica mbi grykën e lumit Vjosë, Klisura, (Clisania-Clausura), Klosi mbi vendin ku kalon mbi Vjosë rruga Vlorë-Berat (Klosi) dhe Aulona. Ndërsa Aristidh Kola thotë se banorët e Apolonisë u vendosën në Aulonë (Vlorë).
    Pas rënies së Apolonisë si qëndra me e rendësishme ekonomike, kulturore dhe fetare në trevën midis Vjosës dhe Shkumbinit, doli qyteti i Bylisit.
    Gjatë periudhës së Justinianit u ngritën brënda agorasë antike në pjesën jugore të qytetit 5 kisha të tipit Bazilikal. Njëra prej tyre ka qënë katedrale, e cila shërbente si seli peshkopale. Nga gërmimet arkeologjike në dyshemenë e saj u gjëndën gozhde, copa tjegullash, monedha të kohës së Justinianit, si dhe gjurmë djegiesh. Shkatërrimi i kësaj kishe lidhet me shkatërrimin e Bylisit në vitin 548, nga inkursionet sllave të këtij viti.
    Për këtë ngjarje Prokopi i Çezarisë na njofton se kur repartet e përbëra me trupa Ilire në përbërje të Legjioneve bizantine ishin të zënë në luftë kundër Gotëve në Itali, një inkursion sllavenësh (sllavësh) kaloi Danubin dhe pasi përshkroi gjithë Ilirikun arriti në Dyrrah, duke vrarë gjithë njërëzit e moshës madhore dhe duke pushtuar me lehtësi gjithë kështjellat e Epirit të ri, të cilat nuk kishin kontigjentet e duhura për mbrojtjen e tyre.
    Por qyteti do të rindërtohet nga arkitekti i perandorit Justinian Viktorinus në vitet 549-550. Këto ndërtime u bënë në një kohë kur rreziku i inkursioneve barbaro-sllave ishte shumë kërcënues, mbi territoret Ilire. Në muzeun historik kombëtarë në Tiranë ruhen 3 mbishkrime nga Bylisi të cilat i përkasin rindërtimeve të mësipërme. Të përkthyera nga latinishtja ato japin të dhëna shumë interesante:
    "O i huaj mos ju shmang vështrimit nga bukuria e Bylisi, muret rrethuese të të cilit dikur të rënuara i rindërtoi Viktorini guximtar". Ndërsa në mbishkrimin e dytë që është më i gjati thuhet:
    "Me providencën e perëndisë dhe hyjneshës virgjëreshë duke i shërbyer drejt qëllimit dhe mënyrave të veprimit të Justinianit, sundimtarit shumë të fuqishëm që ngriti kështjellat e Myzisë e të Skythise dhe të territorit të Ilirikut me gjithë Trakinë, Viktorini njeri me aftesi strategjike, ndërtoi me përvujteri muret rrethuese të Bylisit".
    Të shkruara qartë këto mbishkrime janë dokumente autentike, të cilat dëshmojnë qartë këtë pjesë të historisë. Për vlerat që bartin ato citojnë edhe përmbajtjen e dy të tjerëve. Ja se ç’thuhet në të tretin: "Nuk ankohem më për barbarët dhe nuk kam më frikë sepse gjeta tek Viktoriani i madh një njeri i cili më ndërtoi me duart e tij". Këto mbishkrime të ruajtura në pllaka guri janë gjetur gjatë gërmimeve të bëra në Bazilikën mesjetare të Ballshit. Ka ekzistuar edhe një mbishkrim tjetër i gjetur nga Prashnikeri në të njëjtin vend në vitin 1918. Ai humbi gjatë tërheqjes së ushtrisë Austro-Hungareze në fund të luftës së parë botërore.
    Përmbajtja e ij ishte e tillë: "Asnjëherë nuk do ti dorëzohem hendeqeve të harresës as emri i Justinianit të fuqishëm, por as koha e gjatë e pallogaritëshme nuk do të mbulojë mundimet e Viktorinit, virtytet e të cilit janë ngritur lart me mburrje".
    Rindërtimet e mësiperme e rrudhën Bylisin në 1/3 e sipërfaqes së tij të mëparshme. Megjithatë qyteti e ruajti rëndësinë sepse vazhdoi të ishte përsëri qëndër Peshkopale.     Gjatë periudhës Bizantine do të ndryshohet edhe emri i tij. Diku nga mesjeta e hershme ai filloi të quhet nga vendasit Ballës (Bylis-Balis-Ballës-Ball). Këtë emër qyteti e mori për shkak të pozicionit të tij mbizotërues që do të thoshte Ball ose kryevend.
    Ky emër do të përdoret edhe nga të huajt në dokumentat e ndryshme historike. Kështu Bizantinët do ta emërtojnë "KEFALINI" (Kefalos (greq) Krye-Kokë) ndërsa Bullgarët do ta thërrasin "Gllavinice" (Gallava (bullg) Krye-Kokë). Këto dy terma nuk janë veçse përkthim i fjalës shqipe "kryevend", që përkojnë me toponimin Ball-Ballësh.
    Ndërkohë që për kënaqësinë e lexuesit tonë ne do të publikojmë bashkangjitur me këtë shkrim edhe foton e një monumenti të rrallë i cili qysh me fillimin e studimeve historike dhe arkeologjike tërhoqi vëmendjen e shumë studjuesve të huaj qysh në fillim të shekullit të XIX. Të tillë ishin Francezi Pukevil në vitin 1806, anglezi Holland në vitin 1815, arkeologu francez Klod de Klob në vitin 1850, etj. Ky objekt është i vetmi dokument me shkrim që gjendet sot në Shqipëri dhe që flet për ndërtimin e rrugëve antike.
    Mbishkrimi ka formën e një flete drejtkëndëshe me përmasa 2.03 m I gjerë dhe 3.05 m i gjatë. Ai është gdhendur në shkëmb në faqen jugore nën muret e qytetit të Bylisit. Ai përbëhet nga 15 rreshtatë shkruar në gjuhën latine dhe që kanë thellësinë 0.20m. Mbishkrimi është gdhendur në emër të Markus Valerius Lolianus, oficer i ushtrisë romake, i lindur në Bylis, koloni romake në atë kohë, i cili ndërtoi me shpenzimet e tij rrugën publike që niste nga Bylisi, për në ASTACIA.
    Mbishkrimi tregon se Loliani ndërtoi ura mbi lumin Argia (Gjanica) dhe përrenj të tjerë si dhe e bëri të kalueshme për qerre dhe karroca, mjete të transportit të atëhershëm. Ndërtimi i rrugës së Astacias dukej se ishte një domosdoshmëri për Bylisin sepse traseja e mëparshme e saj ishte e ngushtë dhe kalonte në vende të rrezikshme. Kjo gjë vërtetohet edhe nga një dekret i dekrecioneve të Bylisit. Deri tani nuk është vërtetuar se në cilin itinerar të çonte rruga e Astacias. Karl Paç Profesori i Universitetit të Vjenës që e pa këtë mbishkrim në vitin 1902 mendonte se kjo rrugë të çonte në Berat, ndërsa arkeologu tjetër austriak Kamilo Prashniker që bëri gërmimet e para arkeologjike në Bylis hodhi idenë se rruga e Lolianosit të çonte drejt Nikajës (Klosit), 1.5 km më tutje.
    Ndërkohë që duke u bazuar tek ky mbishkrim shkëmbor ishte Anglezi H.Holland i cili në librin e tij udhëtime në ishujt Joniane, Shqipëri, Thesali, Maqedoni, botuar në … në vitin 1815 e identifikoi qytezën antike me Bylisin.