Ilirjan Gjika

                                                Një vepër monumentale për historinë e Shqipërisë

Duheshin të kalonin disa vite që mesjetologu Pëllumb Xhufi të prezantonte përsëri përpara publikut intelektual pasionin e tij të vjetër. Sikur të mos mjaftonte përkthimi i historisë së Bizantit, kapitulli i mesjetës tek Historia e popullit shqiptar, apo studime dhe botime të tjera dhe një mori artikujsh në shtypin shqiptar dhe të huaj, ai vazhdon të pasurojë bibliotekën historike me punime të tjera. I tillë është edhe libri i tij më i ri i titulluar "Nga Paleologët tek Muzakajt" ky vëllim historik prej 463 faqesh i përket të njëjtit standart të botimeve të mirëfillta shkencore, megjithë ka edhe të veçantën e tij. Duke hequr një vijë imagjinarë po vertikalisht si ajo e Teodosit, por në drejtimin Berat, Vlorë, Pëllumb Xhufi merr përsipër që duke u nisur nga ky kënd i Shqipërisë jug-perëndimore të shpjegojë gjithë historinë shqiptare të fundit të mesjetës.
    Me të njëjtën stil i elegancës dhe finesë ai ndërthur "Kozmosin bizantin të cilin e njeh më mirë se kushdo me mikrokozmosin Shqiptar, duke mos e parë me syrin e historianit por edhe në këndvështrimin tashmë të diplomacisë dhe politikës.

Kushdo që e merr në dorë librin vëren njëherazi kopertinën ku paraqitet një pjesë afresku. Në të duket figura e Shën Gjergjit, jo në pozicionin e preferuar mbi kalë duke vrarë dragoin, por me këmbë, në një qëndrim pozant me dorën e majtë ngritur në mënyrë treguese. Shënjti mban të veshur një mantel në të cilin dallohen qartë zbukurimet ornamentale dhe disa medalione ku paraqitet Shqiponja dykrenare simboli i Bizantit. Deri këtu gjithçka duket normale ku lexuesi kupton se zgjedhja e kopertinës është bërë për efekte teknike, thjesht për të treguar se libri i kushtohet periudhës së fundit të mesjetës dhe për ta ilustruar këtë fakt është zgjedhur si ilustrim afresku në fjalë. Por këtu nis intrigimi i autorit, i cili tek ky afresk lidh njëra me tjetrën në mënyrë simbolike dy dinasti të ndryshme: Paleologët e Bizantit me Muzakajt e Shqipërisë. Pikërisht ky është paralelizimi që shoqëron të gjithë librin, të cilin autori e ndan në pesë kapituj duke i shtuar edhe kronikën e Gjon Muzakëës, të cilën ai e trajton siç e quan edhe vetë në një vështrim kritik.
    Ndërkohë që në hyrje Pëllumb Xhufi paraqet lëndën që do të trajtojë në vijim duke na treguar se libri është vazhdim i punës së bërë më parë nga historianët e huaj. Jireçek dhe Ducellier, duke plotësuar kështu mozaikun e historisë shqiptare të mesjetës.
    Në të gjejmë ashtu siç e quante dikur Çabej i madh, grindjen e madhe të botës të botës lindore bizantine me atë perëndimore latine. Këtë panoramë Pëllumb Xhufi na e paraqet nëpërmjet një historie të ndërtuar nga citimet e 360 autorëve të vjetër dhe të rinj. Duke qenë vetë një historian me përvojë 30 e ca vjeçare autori ndjek një metodë të veçantë. Ai nuk nxitohet të nxjerrë konkluzione të menjëherëshme dhe në mënyrë të natyrshme i rendit faktet që të dëshmojnë vetë: Ja se çthotë ai në një pasazh të librit të tij. "Në kushtet e mendimeve të tilla, që divergojnë mjaft nga njeri-tjetri, do të ishtë më mirë që më së pari të vendosnim piketat e sigurta, ante dhe post quem". (f.175).

Përveçse plotëson me detaje të tjera historitë e familjeve feudale mesjetare të Muzakajt, Matrengët, Balshajt si faktorë politikë vendos, autori ndriçon edhe marrëdhëniet që krijuan familjet e huaja që erdhën nëpërmjet pushtimeve në Shqipëri.
    Në libër gjejmë informacione të plota mbi Raguzën dhe aktivitetin e saj, mbi skelat lumore të Vregut Pirgut dhe Spinaricës, Vlorën dhe Beratin, kronikën e Gjon Muzakës, të dhëna mbi aktivitetin e hebrenjve. Gjithashtu në parathënie autori zbulon edhe dy fakte të tjera të cilat nuk kanë të bëjnë në dukje me brendinë e librit, por kanë qenë në funksion të tij. I pari është vetë dëshmia e Xhufit ku ai pohon se është vazhdues i traditës së shkollës së historografisë shqiptare dhe i dyti është zbulimi i trashëgimtarëve të Muzakajve, siç është edhe familja Pinguli, e cila jeton në Tiranë dhe në vazhdim të kontributeve financon edhe botimin e librit.

Për shumë vite me radhë një nga burimet e rëndësishme për historinë shqiptare të shekujve XIV-XV ka qenë edhe historia dhe gjenealogjia e shtëpisë Muzaka (Kronika e Muzakajve) e shkruar nga princi Gjon Muzaka dhe e botuar në Itali në vitin 1510. E kontestuar nga shumë studjues autoritarë për njëanshmërinë dhe jo vërtetësinë e saj kronika në fjalë ka shërbyer për keq interpretime të ndryshme nga një sërë autorësh. Shumë pseudo shkrues të sotëm krahinorë të cilët për të nxjerrë sa më të fisme dhe të lavdishme historinë e fshatit dhe të mëhallës së tyre u munduan të shfrytëzojnë kronikën e Muzakës për vetë specifikën e ndërtimit të saj. Biles edhe as i përfoluri Oliver Jens Schmitt është përfshirë në këtë vorbull duke ju referuar gabimisht kronikës. Pikërisht interpretimin e kësaj vepre merr përsipër Pëllumb Xhufi duke i bërë asaj një punim kritik. Për ti dhënë fund pikërisht këtyre keq interpretimeve.
    Së pari autori na tregon sesi u gjet kronika e Gjon Muzakës nga historiani i palodhur gjerman Karl Hopf, në shtëpinë e sekretarit mbretëror Skipion Volpiçela në Napoli. Një ekzemplar të saj Hopf ja dhuroi albanologut të shquar Hahn me qëllim që ai t’ja bënte të njohur atë botës shkencore. Në pamundësi që ti shkelte vetë vendet e përshkruara në kronikën e Muzakës, Hahn ja besoi një kopje Doktor Auerbahut, mjekut të karantinës së Vlorës.
    Në vitin 1885 kjo kopje përfundoi në koleksionin e Peshkopit të Beratit Anthim Aleksudhi, i cili me një shënim të tij e dorëzoi në Bibliotekën Kombëtare të Athinës, ku u gjet në sektorin e dorëshkrimeve të rralla.
    Së dyti Pëllumb Xhufi e "kodifikon" kronikën duke u nxitur edhe nga qëndrimi kritik që mban ndaj saj Babingeri, i cili e quan atë: "Një material të mbushur me të dhëna të rreme", ose Ducellier që e konsideron atë "një material me të dhëna konfuze".
    Kështu autoriu i veçon si tekst të Muzakës vetëm materialin që përfshin faqet 271-302 të kronikës. Pjesët e tjera sipas tij nuk janë veçse shtojca të bëra nga Kostandin Muzaka dhe Andrea Ëngjëlli. Së fundi Pëllumb Xhufi e quan kronikën e Gjon Muzakës si një burim të dorës së parë dhe të pazëvendësueshëm për historinë mesjetare të Shqipërisë.
    Së bashku me këtë dokument mesjetologu Pëllumb Xhufi kompleton përfundimisht edhe historinë e familjes Muzaka, një "betejë" të gjatë shkencore të tij. Midis të tjerave ai trajton edhe probleme të së drejtës mesjetare siç është rasti i zotërimit të Kosturit ku Muzakajt shfaqën pretendimet mbi bazën e argumentit Jus Patriae, pra të drejtën e territorit kombëtar.
    Si askush tjetër Xhufi trajton edhe betejën e Peristerit ku Andrea Muzaka theu me ndihmën e dy dhëndurrëve të tij: Balshës II-të dhe Andrea Gropës në vitin 1371 Mbretin Serb Vukoshinin. Menjëherë pas kësaj fitoreje Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog i dhuroi Andrea Muzakës stemën perandorake: Shqiponjën me dy krerë dhe një yll në mes. Pikërisht disa vjet më vonë djemtë e Despotit Andrea ngritën në Kostur, kishën e Shën Athanasit, të cilës i përket edhe afresku i kopertinës së këtij libri, për të cilin Xhufi arsyeton se figura e Shën Gjergjit nuk personifikon veçse Peshkopin Andrea me stemat Perandorake me mantelin e tij.

Paleologët e Bizantit zënën një vend qëndror në këtë studim voluminoz, veçanërisht Androniku i dytë, Perandor i Bizantit. Pëllumb Xhufi e trajton këtë personazh në marrëdhënie me fisnikërinë shqiptare.
    Aty shohim se perandori kishte shumë armiq midis shqiptarëve të cilët morën pjesë në rebelimin e vitit 1305 ndaj tij në Kostandinopojë. Të tillë ishin Teodor Duka Muzaka, i cili mbante titullin e Epistratit, prifti Joan Drimi i cili rridhte nga familja shqiptare Gjika. Pjesëmarrës në këtë komplot autori citon edhe Nikollë Matrengën i cili në atë periudhë ishte gjyqtar i lartë I Bizantit dhe mik i afërt i bashkëperandorit Androniku i III-të dhe i domestikut të madh (komandantit të ushtrisë) Joan Kantakuzenit.
    Këta dy personazhe të fundit do të jenë udhëheqësit e fushatave ushtarake kundër shqiptarëve derisa mori fund sundimi Bizantin në këto territore diku nga viti 1340. Këtu autori bën një saktësim të rëndësishëm në lidhje me strategun Bizantin Sirgian i cili kishte qenë në vitet 1316-1327 komandanti i provincave perëndimore. Deri më sot historografia jonë në disa botime e përmendte këtë person me emrin Sirian, duke e lidhur emrin me origjinën etnike. Kështu Pëllumb Xhufi e korrigjon përfundimisht këtë emërtim duke na dhënë formën përfundimtare Sirgian.

Një trajtesë të veçantë autori i bën edhe diplomacisë Bizantine në marrëdhëniet e saj me shtetet fqinjë. Pikërisht në këtë vorbull marrëdhëniesh përfshihen një sërë qytetarësh shqiptarë si ambasadorë ose ndërmjetës, të cilët kryejnë për Bizantin misione të ndryshme.
    Të tillë përmenden fisnikët nga Vlora si Kanxhaj dhe Sinofet të cilët duke u bërë edhe qytetarë nderi të Venedikut dhe Raguzës të bëheshin sipas Pëllumb Xhufit ndërmjetësit në marrëdhëniet e komplikuara që krijoheshin në këtë rajon.
    Në faqet e këtij libri autori nga jep të dhëna interesante edhe për qytetin e Vlorës ku përveç bashkësisë së saj një rol aktiv luanin edhe familjet Malagari, Likuda, Sinofi dhe Kanxha. Ndërsa familja Frëngu zotëronte disa ndërtesa në Kështjellën e Kaninës, ku përfaqësuesja e saj Maria do të ishte bashkëpunëtorja e vrasjes së dy personazheve të historisë së kohës: Kostandin Hoboronit dhe Filip Kinardit.
    Kështu ai plotëson "pasaportën" e Vlorës mesjetare duke na dhënë një radiografi të qartë të historisë shqiptare të Epokës.

Detaje të tjera interesante janë publikimi i 27 fotografive të Kështjellave, kishave bizantine, monedhave mesjetare, dorëshkrimeve të rralla, fragmenteve arkitektonike, etj.
    Autori nuk harron që të paraqesë edhe një fragment të portës së kalasë së Himarës, ku është skalitur shqiponja dykrenare. Diku më tej ai citon faktin që në betejën e Kosovës morrën pjesë edhe Himariotët, si pjesë e pandashme e truallit shqiptar.
    Më tej flitet edhe për hebrenjtë dhe praninë e tyre edhe gjatë mesjetës në Shqipëri si një element i pandashëm i qytetërimit mesjetar.
    Pëllumb Xhufi nuk lë pa përmendur edhe epokën Skënderbejane duke vënë atë në funksion të librit. Për këtë ai shfrytëzon mjaft mirë edhe e Gjon Muzakës dhe një sërë dokumentash të qëmtuara me kujdes që na zbulojnë situate të caktuara, të cilat në çdo moment e intrigojnë lexuesin dhe e mbajnë atë lidhur pas librit dhe tematikave të shumta që trajtohen në të. Në këtë rast historiani Xhufi nuk shkruan një histori norrative dhe skematike por ndërton një mozaik historish personale, të cilat nxjerrin më mirë në pah të vërtetat e periudhës para osmane të Ballkanit. Historia e shkruar prej tij nuk është histori e tagentes Berat-Vlorë, por është histori e të gjithë rajonit që përfshihet në të dyja anët e magjistrales Romë-Kostandinopojë, ku autori kombinon të dhënat e arkivave, botimeve dhe bibliotekave me përvojën e shtegtimeve të tij, për të gjetur gjurmët e Paleologëve, Muzakajve dhe të gjithë të tjerëve....