Një kujtesë për arkeologun që nxorri në dritë Apoloninë
Ashtu e braktisur dhe në gjendjen e një qëndre Manastiale, dikur qyteti antik i Apolonisë ngacmonte vetëm vëmendjen e njerëzve të apasionuar pas, gjetjes së thesareve, arkeologjisë dhe të banorëve dhe të banorëve vendas që u interesonin gurët e rrënojave si material ndërtimi. Misionarët e parë më shumë u kujdesën për përshkrime sipërfaqësore dhe mbledhje vlerash arkeologjike, sesa për të kryer studime kulturore. Të tillë mund të përmendim diplomatët Pukevil dhe Lik, arkeologët Leon Hezej, Klod de Klabri, Zhileron, arkitektin Henri Dome, Mitropolitin Anthim Aleksudhi, arkeologun dhe historianin Karl Paç, udhëtaren Edith Durham, etj.
Ndërkohë që kazmat e para të arkeologut profesionist u ngulën në vitin 1916 nga austriakët Prashniker dhe Shober. (H.Ceka. B.U.SH.T. 1958, 4. fq.214). Të nxitur nga zbulimet e suksesshme të austriakëve gjatë luftës së I-të botërore, do të ishin francezët që morrën në dorë konçesionin arkeologjik në Apoloni. Për 15 vjet me radhë misioni francez do të drejtohej nga Leon Rei, për të cilin ky qytet do të bëhej "Troja e ardhshme" dhe "Pengu" i jetës së tij.
Ndërkohë që lexuesi ynë mund të pyesë se: Cili ishte ky njeri?! dhe çfarë kontributi dha ai në Apoloni?. Pikërisht këto fakte do të trajtojmë në këtë shkrim ku si objekt kryesor do të jetë Leon Rei, njeriu që nxorri në dritë Apoloninë, këtë qëndër të rëndësishme arkeologjike që ndodhet përgjatë Myzeqesë së Vogël, vetëm 10 km në perëndim të qytetit të Fierit.
Leon Rei lindi në vitin 1877 në Formantier pranë Parisit. Gjatë fëmijërisë dhe rinisë pati fatin të studjonte në shkollat më të mira ku së fundi u diplomua për arkeologji në Universitetin Chartre, i njohur si një nga institucionet më të famshme të arkeologjisë franceze. Në vitin 1916 gjatë luftës së I-rë botërore u thirr nën armë, ku angazhohet në misionin arkeologjik ushtarak francez në Maqedoninë greke, pasi fuqitë e Antantës zbarkuan në Selanik. Këtu spikati talenti i tij, kur për herë të parë përdori metodën e fotografimit nga lart të rrënojave antike, duke përdorur avionët luftarakë francezë. Gjurmimet e bëra në vitet 1916-1918 Rei i botoi në vitin 1921 nën titullin, "L’observation sur l’abitant de la Macedoine, Selanique". Dy vjet më vonë, pikërisht në vitin 1923 së bashku me: "mikun e Shqipërisë", Senatorin francez Justin Gotard vizitoi vendin tonë. I apasionuar nga burimet e autorëve antike, ai nisi punën si arkeolog në Durrës në vitin 1923. Pas disa muajsh e "braktisi" këtë qytet, duke u zhvendosur 80 km më në jug, pikërisht në Apoloni. Këtu erdhën edhe sukseset e Reit, ku Apolonia do të bëhej "shtëpia e dytë" e tij. Nga ajo ai do të ndahej vetëm i detyruar me forcë sepse në vitin 1939 autoritetet Italiane të pushtimit ja ndaluan hyrjen në Shqipëri. Po kështu edhe përpjekjet e tij në vitin 1945 për tu rikthyer këtu dështuan, pavarësisht nga këmbënguljet energjike të tij.
Me një punë të lënë përgjysëm ai vdiq në Francë në vitin 1956. Tetë vjet më vonë autoritetet komuniste shqiptare i vendosën një rruge në Fier emrin e Leon Reit, një veprim ky që dukej sikur të ndjerit i kërkohej falje publike. Ndërkohë në vitet 90-të Bashkia e Fierit për kontributin e në fushën e arkeologjisë e shpalli atë "Qytetar Nderi".
Misioni arkeologjik francez u themelua në vitin 1924 me iniciativën e Senatorit francez Justin Gotard. Ky njeri ndërhyri pranë qeverisë së atëhershme shqiptare duke inicuar këtë veprimtari, ku francezët merrnin në konçension për kërkime arkeologjike qytetin antik të Apolonisë. Misioni kishte si President Senatorin Justin Gotard, ndërsa anëtarë të tij ishin: Leon Rei, Zhak Bokart, Pol Bojer, Canjat, Sharl Diel dhe Potier. Ekspeditat kërkimore që drejtoheshin nga Rei zhvilloheshin çdo fund pranvere – fillim vjeshte. Gjatë viteve 1924-1939 u bënë gjithsej 15 fushata të tilla, duke zbuluar nga pluhuri i harresës së shekujve Apoloninë, "Qytetin e madh dhe rëndësishmin " e dikurshëm. Rezultatet e punës ishin të suksesshme. Ndërkohë që gjatë vitit 1924, vitit të parë të punës, u zbuluan dy banesa romake. Ndërsa në vitet 1925-1929 doli në dritë Portiku i ri, së bashku me 17 nishet e tij. Më 1930 u përcaktua vendodhja e Nekropolit të vjetër në Kryegjatë. Po këtë vit u zbulua odeoni dhe biblioteka, të cilat së bashku me portikun përbënin qëndrën romake të qytetit . Më pas u zbuluan një pjesë të mureve rrethuese dhe objekte shumë të rëndësishme, të cilat Rei ja dorëzoi Ministrisë Shqiptare të Kulturës. Me objektet e zbuluara në Apoloni u hap më 8 Tetor 1936 në Vlorë, Muzeu Arkeologjik, i cili mbante emrin e Mbretit të Shqipërisë "Zogu I-rë". Si ndërtesë e tij shërbeu një pjesë e shtëpisë ku më 28 Nëntor 1912 u mblodh Kongresi që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Kështu në katin e parë u vendosën të gjitha statujat dhe kolonat e gjetura në Apoloni. Ndërsa në katin e dytë qëndronin në stenda prej xhami enët e qeramikës, monedhat terrakotat dhe figurinat e ndryshme. Ky muze pati fatin e keq sepse ditët e para të pushtimit të Shqipërisë u grabit nga Italianët në Prill të vitit 1939. Për këtë veprim Rei u ndje shumë keq dhe nuk pushoi së protestuari, të cilën e shprehu në numrin e gjashtë të revistës arkeologjike që ai botonte "ALBANIA".
Leon Rei mbërriti në Apoloni në mesin e vitit 1924. I bazuar në shënimet e autorëve antikë, botimet e arkeologëve francezë Henri Dome dhe Leon Hezej, si dhe shënimet e pararendësit të tij arkeologut austriak Prashniker, Rei nisi vëzhgimet përgjatë kurrizit të kodrave, kundruall manastirit të Shën Mërisë, rrethuar nga ullinjtë. Duke vërejtur terrenin mëngjesin e një dite, ai pa një dhelpër e cila zhduk në një të çarë. Gjithë kuriozitet Rei hetoi vrimën, e cila i përkiste sistemit të kanaleve të ujërave mbledhëse të Apolonisë. Ky episod nuk i shpëtoi shtypit francez. Në 2 Nëntor 1932 Gazeta Pariziane "Comedie", e titullonte artikullin e saj për gërmimet arkeologjike të Reit me titullin: "Një dhelpër shqiptare bëhet shkak i zbulimeve arkeologjike ". (Luan Rama, krushq të largët Tiranë 2002, fq.191-193). Çdo verë Leon Rei mbërrinte në Apoloni për të organizuar "fushatat" e tij gërmuese. Udhëtimi i tij niste nga Parisi, ku së bashku me të shoqen: Margaritën, ata udhëtonin me veturën e tyre të veçantë "PANHARD", e cila mbante mbishkrimin "ALBANIA". Itinerari përfshinte jugun e Francës, Alpet e Europës, Italinë e veriut dhe nëpërmjet Kroacisë bregdetare dhe Malit të Zi mbërrinin në Shqipëri, ku rruga plot pluhur i çonte drejt e në Apoloni. Këtu ata ngrinin çadrat e misionit arkeologjik që deri në vitin 1933 do të ishin "ngrehinat verore të tij". (L.Rama, Po aty fq 194). Ndërtesa ku do të vendosej misioni arkeologjik francez u ndërtua mbi kodrën jugore të Apolonisë, atje ku dikur ngrihej tempulli i Artemisës. Qysh kur u ngrit në vitin 1934 ajo u quajt nga vendasit: "shtëpia e frëngut" dhe këtë emër e mbajti edhe kur, fillimi i luftës së II-të botërore e shndërroi në rrënojë. E përdorur edhe nga ekspeditat e mëvonshme arkeologjike shqiptare, kjo shtëpi u restaurua në vitin 2000, kur mësuesi i Biokimisë Petrit Morina, një banor vendas e shdërroi në një minimize etnografik, duke e kombinuar me kuzhinën tradicionale të zonës. E quajtur sot Bar Restorant "REI", ajo ka mirëpritur: studjues, arkeologë, turistë, nga të gjashtë kontinentet. Një prej tyre ishte edhe i biri i Reit: Zhan Gabrieli, i cili së bashku me arkeologun shqiptar Prof. Neritan Cekën, "zbuluan" ditën e 15 Maj të vitit 2004 bustin dhe pllakën përkujtimore kushtuar Leon Reit, "Shlimanit" të Apolonisë.
Interesant është përshkrimi që një gazetë shqiptare e kohës i bën ndërtimit të këtij objekti, ku midis të tjerave thuhet se: në "17 Maj të vitit 1933 ditën e mërkurë u vu guri themelit të shtëpisë së misionit frëng për gërmimet e vjetërsirave në katundin Pojan të nën Prefekturës së Fierit. At Anastasi Prifti ortodoks i kishës së Shën Mërisë, bëri lutjen sipas zakonit kur u vendos guri i parë i themelit"(Gazeta Shekulli 15 Maj 2004). Në vitin e gjashtë të aktivitetit të tij në Apoloni Leon Reit dhe ekipit të tij ju bashkua edhe arkeologu Hasan Ceka, i sapo diplomuar në Austri. Në vitin 1930 ai u caktua si vëzhgues i ministrisë së arsimit dhe kulturës, pranë misionit francez, me qëllim që të merrte në dorëzim të gjitha objektet, që do të zbuloheshin nga rrënojat antike. Hasan Ceka (1900-1999) njihet si "Babai" i arkeologjisë shqiptare, në të cilën dha një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë gjithë jetës së tij. Ne Apoloni ai punoi për rreth 40 vjet duke përfunduar gërmimet e ndërmara nga Leon Rei, si dhe punime e botime të tjera.
Një tjetër bashkëpunëtor i Leon Reit ishte edhe Perikli Ikonomi, drejtor i shkollës femërore të Fierit. I diplomuar në "Zosimean" e famshme të Janinës ai ishte një njohës i mirë i disa gjuhëve, veçanërisht i Greqishtes se vjetër. Pikërisht si zotërues i saj ai u angazhua në misionin arkeologjik, për të zbërthyer mbishkrimet antike, ku dha edhe kontributin e tij. Kjo pjesëmarrje i dha shkas Perikli Ikonomit, që të botonte më vonë disa vepra si: Historia e Tomorrit dhe Dodonës Pelazgjike dhe Historikun e rrethit të Fierit, ku vend të veçantë zinte edhe Apolonia antike. Si kryepunëtor i misionit francez shërbeu një banor i Pojanit Pilo Samarxhiu, një ish emigrant i kthyer nga SHBA-ja. (N.Ceka, Apolonia e Ilirisë). Eksperienca e fituar pranë Leon Reit dhe vite më vonë Hasan Cekës e ndihmoni Xha Pilon (kështu quhej për shkak të moshës), që të shërbente pas vitit 1960 si Cicëroni i parë i muzeut arkeologjik të Apolonisë.
Ndërkohë dikur në një nga ditët e gërmimeve Rei u kafshua nga një prej gjarpërinjve të shumtë që gjallojnë edhe sot nëpër gurët dhe blloqet e qytetit antik. Punëtorët shqiptarë të misionit arkeologjik e quajtën të pashpresë gjendjen e tij dhe porositën një grup vajtuesesh që ta qanin sipas riteve vendase të varrimit. Kryepunëtori i misionit Pilo Samarxhiu gjeti një xherah, i cili pasi i bëri prerjen në vëndin e kafshimit dhe i hoqi gjakun e helmuar e mbështolli trupin e zhveshur të Reit me "bajga lopësh", duke e lënë në atë gjendje për tre ditë. Ditën e fundit ndodhi ajo që nuk pritej Rei shpëtoi duke u rikthyer, në jetë pikërisht atje nën çatinë e "shtëpisë së Frëngut", në pikën më të lartë të Apolonisë.
Ndërkohë që një tjetër histori tipike shqiptare i ndodhi Reit në Apoloni. Kazmat qe ishin veglat kryesore që përdornin punëtorët e ekspeditës vidheshin dhe Rei për këtë gjë ju ankua në një ceremoni zyrtare mikut të tij: Kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Ali Asllanit. Pas një jave tre fshatarë vendas u dënuan rëndë për këtë problem. Ndërkohë kazmat e arkeologëve nuk u prekën më. Kjo gjë e tronditi Leon Rein, që u prek në ndërgjegjen e tij qytetare, nga ndëshkimi i rëndë i atyre tre "Fatkeqëve". Por ky ishte realiteti i shqipërisë, së viteve 30-të, krejt i ndryshëm nga qytetërimi Francez dhe ai Perëndimor, ku problemet zgjidheshin gjithmonë "Alla shqiptarçe".
Rezultatet e punës së tij voluminoze Rei i botoi në revistën "ALBANIA", e cila doli në 6 numra në vitet 1927-1939. Me një pjesë të këtyre studimeve arkeologjike dhe historike, ai formuloi cikle leksionesh, të cilat i referoi në Liceun francez në Korçë, dhe në Tiranë e Shkodër. Gjithashtu Rei u paraqit me studimet shqiptare në Konferenca shkencore të organizuara nga shoqëri të ndryshme arkeologjike jashtë vendit si në Berlin, Drezden, Luven (Belgjikë), etj. (H. Ulqini, Grabitës të Monumenteve. Tirane 1980). Pjesën tjetër të kohës Leon Rei e kaloi duke vizituar objektet me interes arkeologjik dhe historik në Shqipëri, ku me materialet e grumbulluara botoi "Guidën e Shqipërisë" në vitin 1930. Në projektet e tij ishte edhe ngritja e një institut studimesh për Skënderbeun, gjë të cilën nuk e realizoi dot.
Së bashku me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij shqiptar, arkeologun Hasan Ceka ai pregatiti edhe një studim për xhaminë e famshme të Et’hem beut në Tiranë.
Ndërkohë që merita e veçantë e Reit ishte se me kontributin e tij ai ishte pararendësi i Arkeologjisë Shqiptare. Me botimet e studimeve të tij ai e bëri të njohur Apoloninë në fushën e Arkeologjisë dhe historisë antike, duke "na dhuruar" atë "minierë arkeologjike" që do të bëhej "shkolla" e gjithë arkeologëve të mëvonshëm shqiptarë. |