Rrugëtimi i tij dhe i vlerave të tjera
Gjatë mesjetës shumica e njerëzve nuk dinin të shkruanin dhe të lexonin, ndërkohë që shumë gjëra mbi fenë ata i mësonin nga pikturat në kisha. Kjo gjë, ndihmonte në radhë të parë predikuesit, të cilët e përdornin këtë lloj arti vizual për ilustrimin e doktrinës së tyre. Për ti shërbyer këtij qëllimi kishat u mbushën qysh në periudhën e mesjetës së hershme me: ikona, afreske, skulptura, epitafe, etj. Vepra të tilla arti pregatiteshin nga artistë të aftë e të talentuar. Qëllimet e vërteta të tyre nuk kishin për synim të paraqisnin vepra realiste, por të krijonin ide mbi parasjën, ferrin dhe frymëzimet e tjera të karakterit të së shenjtës.
Në artin kishtar të famshme ishin edhe qëndisjet prej mëndafshi si dhe pikturimi i librave fetarë të quajtur kodikë, të cilat zbukuroheshin me miniatura të ndryshme, prej të cilave sot trashëgojmë vlera të mëdha artistike, kulturore e shkencore.
Veprimtari të tilla artistike ushtroheshin nga njerëzit e fesë. Krijimi dhe kopjimi i dorëshkrimeve dhe i kodikëve realizohej kryesisht në manastire nga murgj dhe klerikë të specializuar. Porositës dhe financues të këtyre veprave të kushtueshme të artit ishte përgjithësisht fisnikëria feudale. Ajo ja kushtonte ato senjorëve më të mëdhen, në shenjë nderimi dhe homazhi, ku në raste të tilla si dhurata përdoreshin edhe epitafet.
Epitafet dhe Arianitët
FEpitafi në literaturën fetare quhet një pëlhurë e qëndisur ose e pikturuar, e cila ka për qëllim që të paraqesë përpara besimtarëve skenën e vdekjes së Krishtit. Ky objekt përdorej gjatë ceremonialëve kishtare për tu adhuruar e nderuar prej besimtarëve. Arti i qëndisjes ose i pikturimit në Epitafe ishte i një cilësie shumë të lartë, duke krijuar kryevepra të artit kishtar. Ndërsa Arianitët ishin një prej familjeve më të vjetra feudale në Shqipëri. Midis veprimtarive të tjera ata përmenden gjatë mesjetës edhe për dhurimin e veprave të artit, siç ishte edhe Epitafi i Gllavinicës, apo ai i Beratit.
Ky i pari i dedikohet familjes feudale të Balshajve nga Vasali i tyre Gjergj Arianiti i I-rë, i cili nuk duhet ngatërruar me vjehrrin e Skënderbeut Gjergj Arianitin e II-të. Në vitin 1373 në krye të Principatës së Balshajve qëndronte Balsha i II-të, i cili në vitin 1370 kishte thyer së bashku me Vasalët e tij Muzakajt, Gropajt, Arianitët, etj, mbretin Serb Vukashinin, duke i marrë atij Korçën dhe Kosturin. Një vit më vonë pikërisht me 1371 ai theu edhe trashëgimtarin, e tij Mark Krajleviçin, duke krijuar një shtet që shtrihej nga Mali i Zi e Serbia Jugore, deri në Himarë dhe Kostur në jug. Por historia e epitafeve që lidhet me familjen e Arianitëve nuk mbaron këtu.
Një tjetër Epitaf, i cili u grabit nga ushtritë Austro-Hungareze gjatë vitit 1918 ishte dhe ai i Beratit. Për këtë vepër arti na dëshmon Babingeri (F.Babinger. Fundi i Arianitëve. Tirane 2004, fq.16), i cili citon Eqrem Bej Vlorën. Sipas bisedës që kish patur me dijetarin gjerman, Eqrem Beu, e kishte parë këtë epitap në Metropolinë e Beratit në vitin 1906. Ai ishte pregatitur me rastin e martesës së Gulielm Arianitit, diku në fillim të shekullti të XIII-të, me një princeshë Serbe, ndoshta një nga vajzat e mbretit serb Stefan Nemanjës. Kjo qëndismë e pregatitur në një nga kishat e kalasë së Beratit, ju dhurua kishës së manastirit të Shën Dëllisë së Aranitasit (vendi ku u kurorëzua i ati), i cili duhet të ishte patjetër nën kujdestarinë e familjes feudale të Arianitëve. Ndoshta nuk është e pa bazë edhe teza e Italianit Lorenconi (Impressioni d’Albania. Romë 1931), i cili mendon se vajza e Gjergj Arianitit të II-të, Donika (Androniku) u kurorëzua me bashkëshortin e saj Gjergj Kastriotin, në altarin e kishës së Shën Mërisë të manastirit të Ardenicës (Lushnje) në 26 Prill 1451.
Epitafi i Gllavinicës
Epitafi në fjalë është një pëlhurë liri e paforcuar me astar, me gjatësi 211 cm dhe gjerësi 114 cm. Ai është qëndisur me fije mëndafshi të cilat përbëjnë 19 lloje ngjyrash që krijojnë figurinat e tij. Për të ngjyrosur fijet e qëndisjes janë përdorur esenca të nxjerra nga bimësi të ndryshme. Interesante është fakti se për të nxjerrë ngjyrën e kuqe janë përdorur trupat e disa insekteve. Teknologjia e qëndisjes me ar është e një cilësie dhe niveli të lartë dhe realizimi i tij i përket artit paleolog.
Në qendër të epitafit është vendosur krishti i vdekur në pozicion fjetjeje. Ai është i zhveshur vetëm në të mbathura ndërsa anash janë paraqitur në medaljone të ndryshme figurat e Shën Mërisë Maria Madalenës, Moisiut, Profetë Isaia dhe Josif, disa ungjillore, ëngjëj, etj.
Anash epitafit ka dy kolona vertikale me mbishkrime në gjuhën greke, ku spikat vargu poetik: "Ti që zotëron jetën, ah se je trup i vdekur pa frymë". Por mbishkrimi kryesor të tij mbart këtë përmbajtje: "U plotësova ky aeras" (Epitaf), i gjithënderuar dhe hyjnor i së mbishënjtës Hyjlindëses së patundur me shpenzimin dhe mundimin e gjithëhirshmit Kalistit të Gllavinicës dhe Beratit, në muajin Mars, 22.1273. "Dora e Gjergj Arianitit arëqëndisësi".
Epitafi është pronë e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ai qëndron në katin e dytë në sallën e mesjetës. Përpara se të vendosej këtu epitafi ishte pronë e katedrales së Shën Mërisë në Kalanë e Beratit deri në vitin 1967. Në 2 Shkurt të vitit 1994 epitafi do të vidhet, së bashku me disa objekte të tjera nga ky muze, por do të gjendet dhe do të rikthehet aty në vitin 1996, duke bartur në vetvete një "sagë" të vërtetë policore.
Gjatë viteve që është në pronësi të Muzeut, ai ka udhëtuar në disa vende të Europës, për tu ekspozuar si: në France, Itali, Hungari etj. Midis vlerave të tjera që ai bart është edhe cilësimi i tij si, pëlhura më e vjetër që ruhet në vendin tonë.
Emërtimi i Gllavinicës
Megjithëse i përkiste si pronësi kishës së Shën Mërisë së kalasë së Beratit, Epitafi u quajt i Gllavinicës. Këtë emërtim e bëri studjuesi Theofan Popa. Ai ju përmbajt titullit që mbante Peshkopi Kalist, i cili në tekst quhet i Gllavinicës dhe i Beratit. Për ta plotësuar këtë tezë ai tregon në formë legjende se çfarë kishte dëgjuar dikur në qytetin e Beratit. Ja se ç’thotë ai midis të tjerave: "Ekziston në Berat një gojëdhanë sipas së cilës Epitafi i Gllavinicës dhe Lipsanat (eshtrat) e Shën Ëngjëllorit e të Shën Gorazdit, dy ish Peshkopëve të Gllavinicës gjatë pushtimit Bullgar, janë sjellë në kishën e Shën Mërisë, nga kisha e Shën Mërisë së Ballshit, së bashku me objekte të tjera kishtare, si edhe libra në pergamene". Fillimisht murgjit i çuan ato në Manastirin e Shën Gjergjit në Breshtan (Berat). Më vonë në momentet e Pushtimit Osman këto objekte i tërhoqi Peshkopata e Beratit me qëllim ruajtjen e tyre nga shkatërrimi. Epitafi i Gllavinicës qysh pas shekullit të XV u ruajt në kishën e Shën Mërisë së kalasë së Beratit.
Po për të njëjtin problem shpreh mendimin e tij edhe arkeologu dhe historiani Neritan Ceka në librin e tij ILIRET faqe 286 ky autor thotë kur në shek. XVI Peshkopata e Ballshit, "Gllavinicës" u braktis dhe u përfshi nga ajo e Beratit, këtu u transferuan reliket e shenjta të Gorazdit, Ëngjëllorit, Epitafi i Gllavinicës dhe Kodiku i purpurt (Kodex purpureus), i cili ishte trashëgim nga Bylisi.
Edhe studjuesja e artit kishtar mesjetar Dhorka Dhamo e pranon një fakt të tillë, ku midis të tjerave shkruan se, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XIV rritet numri i porositësve të veprave të artit. Kështu në 1373 Arianiti qëndis me ar e mëndafsh për manastirin e madh të Ballshit një vepër të përsosur arti Epitafin e Gllavinicës, porositur nga Gjergj Balsha.
Epitafi nga Gllavinica qysh pas shekullit të XV-të u vendos për tu ruajtur në kishën e Shën Mërisë së Beratit. Ai nxirrej për tu parë nga besimtarët në publik vetëm një herë në vit. Rituali përfshinte faljen dhe kalimin e tij nga poshtë me idenë e faljes së mëkateve.
Të tjera
Së bashku me Epitafin e Gllavinicës në Berat janë sjellë edhe objekte me vlerë të jashtëzakonshme. Njëri prej tyre është edhe Kodiku i purpurt i Beratit i quajtur ndryshe edhe Beratinus.
Ky kodik është një nga 3-4 kodikët më të vjetër të letërsisë kishtare botërore (Sh. Sinani. Beratinus. Tirane 2004.fq.57).
I shkruar në pergamene të purpurt (të kuqe) me shkronja të mëdha nga një dorë e stërvitur dhe shumë e kulturuar, ai është një nga shtatë kodikët e purpurt që ruhen sot në muzeumet dhe bibliotekat më në zë të Europës si në: Paris, Athinë, Peterburg, Napoli, etj. Mendohet se Beratinus është shkruar diku në shek. e V-të nga një prej Etërve të kishës Shën Gjon Sojarti, në kohën kur ai ishte i internuar në Epir. I shkruar me argjend dhe ar të tretur, në Greqishten antike, ai përmban 190 fletë të cilat përmbajnë ungjijtë e Mateut dhe Lukës.
Ndërkohë që aludohet se ky dorëshkrim mund të jetë bërë në Shqipëri, ashtu siç e përshkruam më sipër atë, ai i është dhuruar kishës së Labovës (Gjirokastër) nga Perandori Justinian (527-565). Më pas ai u vendos në Bylis ose siç u quajt gjatë mesjetës ky qytet Kefalini nga Bizanti, ose Gllavinicë nga Bullgarët.
Ashtu siç ndoqi rrugën drejt Gllavinicës, si qëndra më e madhe e Paleokristianizmit në Shqipërinë Jugore, po ashtu ai u zhvendos më vonë drejt Beratit, kur Gllavinica e humbi rëndësinë e saj si qendër urbane dhe kishtare.
Tërheqja dhe ruajtja e objekteve me vlerë që zotëroheshin ishte praktikë e kishës, e cila gjatë periudhave të luftërave dhe pushtimeve, siguronte në vende të posaçme të gjitha objektet me vlerë, të cilat mund të grabiteshin ose të shkatërroheshin nga ushtritë ndërluftuese. Dëshmia më e qartë në këtë drejtim është letra e inventarit të drejtuesit (IGUMENIT), të manastirit të perendisë në Berat, i cili i dorëzon Theodhor Muzakës, disa sende e dorëshkrime të manastirit, pikërisht në 8 Nëntor 1399, nga frika e turkut siç shkruan vetë murgu Daniel. (Dokumente të periudhës Bizantine për Historinë e Shqipërisë, shek. VII-XV-të. Tirane 1978. fq.105).
Një dëshmi e rallë
Njëqind vjet më parë një nga njerëzit më të ditur të shqipërisë (siç thekson Ernest Koliqi), Eqrem bej Vlora, gjatë vizitës së tij në Mitropolinë e Beratit, pikërisht në kishën e Shën Mërisë në Kala, shkroi këta rreshta në ditarin e tij. (Nga Berati në Tomorr e kthim, Tirane 2003. fq.50-52): "Këtu na treguan edhe gjërat më të shenjta. Një prift i lerosur nxorri nga një sënduk i vjetër hekuri një "Epitaphion" të rrasur Brenda dosido, ky njeri e tërhoqi me aq forcë e vrazhdësi pëlhurën, ana e së cilës kishte ngecur në gozhdët e sëndukut, sa unë u detyrova ti tërhiqja vëmendjen që të kishte parasysh, në mos vlerën reale si antikitet së paku përdorimin e saj kishtar. Epitafi thuhej se kishte qënë fillimisht perde e një altari.
Ai ishte 1.25 m i gjatë dhe 0.85 m i gjerë, i qëndisur nga të dyja anët mbi një sfond të gjelbërt me fill mëndafshi, ari dhe argjendi të ngjyrave të ndryshme. Edhe pse koha dhe njerëzit e kishin rrënuar keqas vizatimin dhe anët e tij, gjallëria e të parit dhe bollëku i thekave te të dytëve ishin ende të habitshme. Ishte një nga qëndismat më të rralla që kisha parë ndonjëherë. Në katrorin e qendrës dukej Krishti me kurorën e gjembave në kokë, me krahë të mbështetur pas trupit dhe me këmbë të shpuara.
Në të katër cepat në medaljone të rrumbullaktë ishin paraqitur kokat e katër shënjtorëve. Përreth figurës së mesit një shirit me një mbishkrim greqisht të gjitha shkronjat e të cilit lexohen qartë. Përkthimi është ky: "U plotësua (qëndis) ky aeras (epitaf) i gjithënderuar dhe i hyjshëm i së mbishenjtës Hyjlindëses së patundur me shpenzimin dhe mundimin e Peshkopit të gjithëhirshëm Kalistit të Gllavinicës dhe Beratit në muajin Mars 22 viti 1373. " Ti që zotëron jetën, ah! Si (je) trupi i vdekur pa frymë. Në kohën e zotërimit të zotërive të shumë lartë të Serbisë, Rumanisë dhe gjithë Albanit, vëllezërve Gjergjit dhe Balshës. Dora e Gjergj Aranitasit dhe arqëndisësit".
Epitafi vjen kësisoj nga viti 1373, pra është 537 vjet i lashtë. Po si trajtohet ky thesar. Më rrëfyen se kjo kryevepër arti, ditëve të festive kalon dorë më dorë në turmën që mban qirinj dhe nduket andej-këndej nga gratë dhe fëmijët, që presin çudira nga prekja e saj. Sasia e Pikave të Dyllit dhe një anë e djegur dëshmojnë së kjo është e vërteta.
Së bashku me Epitafin në sëndukun e lart përmendur ruhen edhe dy objekte të tjera të çmuara të kishës. Janë dy ungjijt tejet të rrallë, të shkruar me dorë, e mjerisht të dy të cënuar, u mungojnë fillimi dhe fundi. Nga pamja e jashtme nuk mund të gjykohet më për vjetërsinë dhe as për vlerën e tyre, sepse kapakët prej filigrame argjendi, nuk janë më të vjetër se 100 vjet. Janë shkruar me shkronja të mëdha ari, të cilat në shumë vende nuk lexohen më, sepse kodikët janë dëmtuar shumë nga insektet.
Përveç kësaj, për shkak të lagështisë së madhe të mjedisit fletët janë ngjitur me njëra-tjetrën dhe është e vështirë të ndahen. Askujt nuk i ka vajtur mendja të fusë letër mëndafshi mes tyre dhe kur unë iu luta priftërinjve që ta kenë këtë këshillë parasysh, ata më thanë se ungjijtë vihen çdo të kremte mbi katedër, ndaj nuk mund të trajtoheshin me kaq terezi. Deri përpara 20 vjetësh ungjijtë përdoreshin për qëllime mjekësore, u jepeshin si çudibërës të sëmurëve dhe u liheshin për një kohë të shkurtër dhe të gjatë, sipas vlerësimit që i bëhej ecurisë së shërimit. I dukej të sëmurit libri i rëndë dhe ai nuk e mbante dot, atëherë thuhej se ky njeri nuk kishte derman. Mitropoliti i mëparshëm i Beratit Anthimos Aleksudis, që ka një meritë të madhe në ruajtjen e përmendoreve të Shqipërisë së mesme, i vuri ledh më së fundi këtij mashtrimi qesharak, por që i kishte sjellë një dorë të mirë parash klerit të Mitropolisë.
Në shekullin e XV Berati u shndërrua në Metropol, duke u bërë një nga qendrat fetare kishtare në Shqipërinë e jugut. Qysh nga kjo periudhë drejt tij u tërhoqën për tu ruajtur ose arkivuar pjesa më e madhe e veprave dhe objekteve të artit kishtar që zotëroheshin nga kisha ortodokse në këtë rajon. Sasia e tyre ishte aq e madhe saqë kleri nuk i kishte mundësitë për mirëmbajtjen e tyre. Duke mos ditur vlerat e mirëfillta që bartnin shumë prej tyre, ato u lanë në mëshirën e fatit, derisa degraduan në sende pa vlerë. Shumë të tjera humbën ose u grabitën dhe vetëm fare pak erdhën deri në ditët tona për tu vlerësuar siç duhet. Ky është çmimi që ka paguar deri më sot kultura shqiptare.... |