Vijat e komunikacionit të ndërtuara prej ushtrive austro-hungareze
Pasi ushtritë austro-hungareze pushtuan pjesën më të madhe të Shqipërisë, ato ishin të detyruara të ndërtonin më tepër rrugë nga fuqite e tjera ndërluftuese. Ushtritë austro-hungareze ndërtuan në Shqipëri rrugë për automjete, dekovila, një teleferik dhe më në fund përmirësuan edhe rrugët e karvaneve që ishin atëherë. Një urdhër i komandës ushtarake austro-hungareze, i lëshuar që në ditët e para të pushtimit, thoshte se përmirësimi i komunikacioneve ishte një çështje me rëndësi jetike për qëndrimin e ushtrive austro-hungareze në Shqipëri dhe prandaj duhej nxitur me çdo mjet. Për këtë arsye u krijua një aparat i madh. Për ndërtimin e rrugëve punonin përveç ushtarëve të xhenjos të specializuar për të tilla punime edhe robër lufte dhe punëtorë vendas me pagesë. Udhëheqjen teknike të punimeve e kishin në dorë oficerë të xhenios.
Si rrugë për automjete u ndërtua krejt e re rruga Shkodër-Vorë dhe u meremetua si rrugë për qarkullim automjetesh rruga Tiranë - Durrës dhe Durrës - Kavajë. Perveç këtyre, u ndërtua për qarkullim të përkohshëm automjetesh rruga "Havraj" (fushë e Kavajës) - Tërbuf - Lushnje. Prej kësaj rruge afër kënetës së Terbufit, ndahej një degë që të shpinte në Libofshë dhe Fier dhe prej këndej nëpër Levan - Buzë-madh vazhdonte gjer në vijën e frontit me Italinë, në Vjosë. Po në këtë kohë është ndërtuar edhe rruga Lushnje - Berat dhe rrugët më të vogla Shkodër - Shirokë dhe Shkodër - Hani i Hotit. Rruga Shkodër - Drisht gjatë luginës së Kirit për në Prekal filloi të ndërtohet, por nuk u mbarua.
Përveç rrugëve ku mund të kalonin qerre, u përmirësuan dhe u zgjeruan këto rrugë karvanesh: Shkodër - Vau i Dejës - Pukë, Milot - Burgajet, Tiranë - Qafë e Kërrabës - Elbasan, Kallmet - Blinisht - Orosh - Qafë e Kumbullës - Ura e Vezirit - Kullat e Lumës - Prizren. Kjo e fundit ishte me rëndësi të madhe, sepse ishte lidhja e vetme me Kosovën.
Vijat e Dekovilit
Që ti bënte ballë me lehtë dhe më shpejt furnizimit të ushtrive që luftonin në Shqipëri, komanda austro-hungareze ndërtoi në vendin tonë një rrjet dekovili, d.m.th. hekurudha me binare të ngushte prej 0,65 m me lokomotiva me avull ose me motorë benzine. Ky rrjet dekovili fillonte në Shkodër, ku ishte qendra e komandës austro-hungareze në Shqipëri, dhe shkonte në Lezhë dhe në Shëngjin, ndërsa një degë e saj ndahej te Ura e Bunës e shkonte për në Shirokë. Prej Lezhe dekovili vazhdonte gjer në Vorë. Këtu ndahej një degë për në Tiranë, ndërsa dega tjetër shkonte për në Durrës - Kavajë - Rrogozhinë. Prej Rrogozhine një krah vazhdonte gjatë Shkumbinit për në Peqin - Papër - Elbasan gjer tek ura e Labinotit, kurse krahu tjetër kapërcente Shkumbinin mbi një urë të drunjtë me trarë hekuri nën Rrogozhine, dhe vazhdonte për në Lushnje ku ndahej përsëri në dy drejtime: njëra, vinte nga Lushnja, kalonte përmes Myzeqesë, nëpër Bishqethëm - Kolonje - Mbrostar - Fier - Levan gjer në Vjosë, kurse tjetra kalonte nëpër Karbunarë - Barbullinjë - Urë e Kuçit - Urë e Hasan beut dhe shkonte për në Berat. E veçuar ishte vija e dekovilit që nisej nga Gostima (Shtërmenji) e Elbasanit dhe shkonte në Frashër të Sulovës. Nje vijë tjetër dekovili lidhte Kavajën me kriporet.
Teleferiku Lezhë-Vorë dhe limanet
Gjersa u mbaruan përfundimisht vijat e komunikacionit midis Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme, siç ishin rrugët automobilistike dhe dekovili, ushtritë austro-hungareze ndërtuan një teleferik si mjet më të shpejtë komunikacioni të përkohshëm. Ndërtimi i rrugës dhe i dekovilit midis Lezhës dhe Vorës ka dashur një studim paraprak dhe punime të gjata si dhe materiale të shumta hekurudhore. Pikërisht për këtë arsye u ndërtua më së pari ky teleferik, i cili nuk kërkonte as studime të gjata as material dhe punë të shumtë. Teleferiku u vu në veprim disa muaj pas pushtimit austriak, që në fillim të dhjetorit të vitit 1916. Ky teleferik kalonte në vijë të drejtë nga Lezha për në Vorë dhe ishte 40 km i gjatë. Me të mund të transportoheshin jo vetem materiale, por edhe njerëz.
Kur u tërhoq më 1918 ushtria austro-hungareze nga Shqipëria, ajo kishte ndërtuar gjithsej 650 km rrugë dhe 450 km rrugë dekovili. Por ushtrite austro-hungareze u terhoqën duke luftuar kundër ushtrive italiane që i ndiqnin. Për këtë arsye, me qëllim që të ngadalësonin përparimin e kundërshtareve të tyre, ata i dëmtuan rëndë rrugët dhe urat gjatë vijës së tërheqjes. Ata hodhën në erë urën e gjatë të Rrogozhinës, shkatërruan dy këmbët e urës së gurtë mbi Shkumbin pranë Elbasanit dhe prishën gati të gjitha urat e dekovilit.
Rrugët që u ndërtuan prej ushtrisë italiane (1914-1920)
Edhe fashistët italiane, gjatë periudhës që mbajtën nën pushtimin e tyre pjesën më të madhe të Shqipërisë së Jugut (prej 1914 derisa, u dëbuan nga populli ynë më 1920) ndërtuan për qëllime ushtarake një varg vijash komunikacioni në vendin tonë. Përveç rrugëve, italianët ndërtuan edhe një rrjet dekovili 120 km të gjatë. Ky dekovil fillonte nga Vlora, dhe kishte dy vija te ndryshme. Një vijë shkonte në Vlorë - Qafë e Koçiut (Babicë) dhe zbriste në Shushicë, të cilën e kapërcente me urën e Penkovës. Këtu dekovili ndahej: një degë kalonte pas përroit të Vllahinës gjer afër Gërnecit, kurse dega tjetër vazhdonte pas anës së djathtë të Shushicës dhe vinte gjer matanë Movrovës, në kuotën 115.
Vija e dytë e dekovilit fillonte prapë nga Vlora dhe kishte edhe ajo dy degë: njëra shkonte pas fundit të kodrave dhe buzë detit nëpër Goricë dhe mbaronte në katundin Panaja ndërsa tjetra që nga Tophana vinte për në Bashtrovë dhe Panaja. Si rrugët ashtu edhe dekovili u shërbenin kryesisht qëllimeve ushtarake. Edhe dekovilat e ndërtuar prej italianëve patën në përgjithësi fatin e atyre të austriakëve. Vetëm dekovili Selenicë - Skelë e Vlorës bëri një përjashtim. Me 1926 qeveria shqiptare ia dha koncesion shoqërisë së Selenicës riparimin dhe shfrytëzimin e këtij dekovili. Afati i këtij koncesioni mbaronte më 31 Dhjetor 1960, atëherë kur mbaronte edhe afati i koncesionit të minierës. Për këtë koncesion shoqëria pagoi menjëherë 100 000 lireta dhe detyrohej të transportonte falas postën dhe nëpunësit që udhëtonin andej. Përveç rrugëve dhe dekovilit, italianet ndërtuan edhe 15 teleferikë të vegjël, të cilët plotësonin nevojat e komunikacionit.
Punëtorët për ndërtimin e këtyre rrugëve ishin, përveç ushtarëve italiane, më shumë vendas nga fshatrat afër si dhe disa qindra robër lufte. Drejtimi teknik dhe udhëheqja e gjithë këtyre punimeve ishte në duart e oficerëve të xhenios italiane dhe kontrollohej vetëm prej ushtarakeve. |