Rrugë dhe objekte arkeologjike në Shqipëri

    Të dashur lexues:
Materialet që do të lexoni në vijim janë marrë nga një prej librave që ''mund'' të gjenden akoma nëpër biblioteka publike.
Dalë nga SHTEPIA BOTUESE ''8 Nëntori'', shtypur në KOMBINATIN POLIGRAFIK ''Shtypshkronja e re'' Tiranë 1983, me 168 faqe me ilustrime dhe një tirazh prej 2000 kopjesh, e bën këtë libër tepër të rrallë dhe me vlera të mëdha historike. Autori i këtij libri Jovan Adami, duke punuar si inxhinjer rrugësh, gjurmoi dhe studioi me pasion gjithçka që ruhej nga lashtësia duke përfshirë këtu projektet dhe ndërtimin e hekurudhës së parë shqiptare nga austro-hungarezët dhe më vonë nga italianët. Gjatë periudhës, që nga koha e vdekjes së autorit, në vitin 1951, studiuesit tanë kanë bërë për rrugët e Shqipërisë edhe disa studime të pjesshme duke lënë mënjanë hekurudhën. Nga libri do të shfletojmë vetëm faqet 71, 72, 73, 74, 75, 76 dhe faqet 84 ,85, 86, 87, 88 përsa i përket temës sonë.
Kjo pra është e vetmja histori e shkruar dhe tepër origjinale për ndërtimin e hekurudhës së parë shqiptare.

                                                                            PARATHENIE

Me studimin e rrugëve të Shqipërisë përpara Çlirimit janë marrë disa arkeologë të huaj, të cilët janë përqëndruar kryesisht në përcaktimin e stacioneve dhe të largësive midis tyre, të vijave kryesore të qarkullimit të antikitetit siç është Rruga Egnatia. Duke mos u interesuar për degëzimet e shumta të këtyre rrugëve në brendësi të vendit dhe duke e ngushtuar problemin në kohë, ata i kanë parë këto si pjesë përbërëse të arterieve rrugore të perandorive të mëdha, dhe për pasojë, si një trup i huaj që përshkonin vendin tonë. Edhe për vijat kryesore të komunikacionit, të cilat kanë qenë në qendër të vëmendjes të atyre studiuesve, autori i këtij libri bën mjaft vërejtje, korrigjime e plotësime në bazë të vrojtimeve vetjake në terren.
    Autori, duke punuar si inxhinjer rrugësh, gjurmoi dhe studioi me pasion gjithçka që ruhej nga lashtësia në këto lloje ndërtimesh si: trakte rrugësh të vjetra, ura, hane, etj. Lexuesi do të gjejë edhe studime mbi disa monumente arkitektonike të gjinive të tjera, siç janë akuaduktet, shpella e piktura murale.
    Jo me më pak vlerë janë punimet e autorit për ndërtimet e kultit. Ai jo vetëm ka prurë plotësime e saktësime por monumentet e njohura që më parë, por ka dhënë dhe një kontribut nëpërmjet studimit të ndëtimeve pak të njohura apo që i paraqiten studiuesit për herë të parë. Ishte ndër të parët që dha kontributin në leximin e mbishkrimeve ndërtimore të tyre, gjë që ndikohon për vendosjen në kohë të këtyre monumenteve. Po kështu ai i vendos ndër ndrejtimet kryesore arkitektonike këto ndërtime, duke u bërë kontributi i tij një bazë për studiuesit e mëvonshëm.
    Pjesa e dytë e librit e titulluar ''Vëzhgime të ndryshme historiko-arkeologjike'', përmban raporte pune të cilat inxh. Jovan Adami së bashku me kolegët e vet, arkeologët Hasan Ceka dhe Skënder Anamali, i kanë hartuar gjatë viteve 1948-1949, 1950, 1951. Këto materiale (raporte pune studimore) autorët nuk i kishin për botim, por u përfshinë në këtë libër pasi u ripunuan dhe u përshtatën nga redaksia, duke mos cënuar vlerat studimore historiko-arkeologjike për periudhën në të cilën ato janë bërë. Skicat që ilustrojnë librin janë punuar nga inxh. Jovan Adami.
    Gjatë periudhës, që nga koha e vdekjes së autorit, në vitin 1951, studjuesit tanë kanë bërë për rrugët e Shqipërisë edhe disa studime të pjesëshme, veçanërisht për Rrugën Egnatia. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me një sërë monumentesh që përmend autori pranë trasesë së këtyre rrugëve. Kështu do të ishte me vend, për të mos keqinformuar lexuesin, të shënojmë rezultatet kryesore të kërkimeve të cilat plotësojnë apo saktësojnë veprën e Jovan Adamit. Stacioni ''AD QUINTUM'' i Rrugës Egnatia, të cilën autori e caktoi në Papër, është identifikuar me Bradasheshin. Është plotësuar dhe është saktësuar trasea e Rrugës Egnatia nga Ura e Haxhi Beqarit në Qukës (Monumentet 1, 1971, f. 43-61). Antigonea, të cilën autori e vendos në Tepelenë ose diku afër saj është identifikuar nga gërmimet arkeologjike në Jermë (Gjirokastër). Janë kryer studime më të plota për qytetin Ilir të Zgërdheshit (Monumentet 1,1971), etj. Gjithashtu autori përdor për një sërë vendesh e fshatrash emrat e tyre të vjetër.
    Për të gjitha këto, rezultati i natyrshëm i zgjerimit dhe i thellimit të studimeve dhe i përparimit të vendit tonë, nuk i uli vlerën këtij libri.
                                                                                                                                GJERAK KARAISKAJ

  Next Next